Larja e hesapeve trondit Elbasanin, ekzekutohet me 5 plumba i skeduari për kokainë, i përfshirë në disa atentate! 3 autorët djegin makinën, brenda gjenden dy kallashnikovë

Elbasani nuk gjen qetësi nga krimi. Ekzekutohet me armë zjarri Emiljano Ramazani, 39-vjeç i njohur ndryshe me nofkën ‘Rramani’. 39-vjeçari, prind i 4 vajzave pasditen e sotme rreth orës 16:30 po parkonte makinën e tij tip ‘Ford Focus’ me targa AA 945 DG mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi për vdekje 5 herë me pistoletë nga xhami i pasagjerit. Vrasja është kryer poshtë shtëpisë së tij, teksa Ramazani po parkonte makinën.

Sipas gazetarit Elton Qyno, autorët kanë qenë tre vetë në makinë dhe njëri prej tyre ka qëlluar me armë tip pistolete 5 herë duke e lënë të vdekur në vend. Megjithëse në makinën e djegur janë gjetur dy kallashnikovë të shkrumbuar, policia dhe prokuroria e Elbasanit thonë se viktima Ramazani është qëlluar me pistoletë.

Si u larguan autorët: Pas kryerjes së vrasjes autorët kanë marrë rrugën kryesore në drejtim të Metalurgjikut dhe me pas drejt Paprit ku kanë djegur makinën. Rreth 30 minuta pas ngjarjes, në aksin Elbasan-Peqin, mes Vidhasit dhe Paprit u gjet e djegur në një kodër me ullishte makina që autorët përdorën në krim,  tip ”Volksëagen” me targë me targa AA 819 KX, që rezulton e vjedhur në Tiranë dhe e denoncuar në komisariatin nr. 2. Targat e vjedhura 10 ditë më parë në Tiranë i përkasin një makine “Renault Megane”. Sipas gazetarit Merin Maçi, si pasojë e djegies së makinës flakët përfshinë edhe kodrën me ullishte, ndërsa autorët u zhdukën duke humbur gjurmët. Në vendin e ngjarjes në Elbasan, por edhe në kodrën që u dogj makina mbërritën forca të shumta policie të drejtorisë vendore të mbështetura nga RENEA dhe FNSH në kërkim të autorëve duke rrethuar zonën, por deri tani asnjë rezultat.

Pistat dhe e shkuara kriminale e viktimës

Vrasja lidhet me konfliktet për shpërndarjen e kokainës në qytet pasi viktima njihet nga policia si shpërndarës kokaine në qytetin e Elbasanit. Madje është proceduar tre herë për këtë veprimtari kriminale ku një herë është dënuar dhe dy herë është deklaruar i pafajshëm, megjithëse në dosje nuk mungonin provat. Hera e fundit që Emiljano Ramazani është proceduar ka qenë në vitin 2017 për shpërndarje kokaine. Prokuroria e Elbasanit në vitin 2018 ka kërkuar dënimin e tij me 8 vite burgim për akuzën e shpërndarjes së kokainës në qytet, ku iu sekuestruan kokainë, disa pasaporta e telefona. Në fund të procesit,  gjykata deklaroi të pafajshëm Emiljano Ramazanin duke e liruar nga qelia. Tashmë çështja ndodhej në pritje për tu gjykuar në gjykatën e Apelit Durrës, pasi prokuroria kishte depozituar apelim. Emiljano Ramazani që u ekzekutua sot në mes të ditës në Elbasan është një emër i njohur për drejtësinë. Ai ka qenë tre herë i arrestuar dhe dënuar, pasi është kapur me kokainë dhe heroinë, ndërsa dyshohet se ka qenë përfshirë edhe në disa atentate në qytetin e Elbasanit. I njohur ndryshe me nofkën ‘Rramani’ më 2012 u arrestua së bashku me 5 persona të tjerë për drogë. Pesë vite më pas ai u kap sërish së bashku me një tjetër person,  pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe iu gjetën 10 doza kokainë, 50.000 lekë dhe 14 aparate celularësh.

Pista e vetme ku po hetohet për momentin është larja e hesapeve mes bandave për konfliktet e vjetra lidhur me aktivitetin kriminal. Report Tv mëson gjithashtu se vëllai i viktimës ka një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit. E ndërsa autorët sipas policisë u larguan në kodrat përballë Paprit, në Elbasan zbarkuan drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu dhe i sektorit të Krimeve Tonin Vocaj, të shoqëruar nga drejtuesi i prokurorisë së rrethit Kreshnik Ajazi. Një ndihmë për policinë mund të jenë pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë vendit të krimit për të shkuar te autorët, të cilat janë sekuestruar. Gjithashtu janë marrë edhe dëshmitë e disa prej banorëve të zonës që në atë moment ndodheshin aty.

/shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne