Lavrov: ShBA po e prish me dashje stabilitetin strategjik

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po e prishin qëllimisht strukturën arkitekturore dhe stabilitetin strategjik të botës.

Këto deklarata Lavrov i bëri në një konferencë të përbashkët shtypi pas një takimi në Moskë me Ministrin e Jashtëm të Bjellorusisë, Vladimir Makey. Kryediplomati rus vlerësoi për gazetarët edhe aktivitetin ushtarak të ShBA-së dhe NATO-s.

Lavrov theksoi se situata është përkeqësuar kur bëhet fjalë për kontrollin e armëve.

“ShBA-ja është duke e shkatërruar qëllimisht strukturën arkitekturore dhe stabilitetin strategjik të botës. Uashingtoni ka prishur Marrëveshjen e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), duke shkaktuar rritje të tensionit”,- u shpreh ai.

Lavrov tha se ai ishte i shqetësuar për përpjekjet e NATO-s për të forcuar infrastrukturën e saj politiko-ushtarake pranë kufijve të vendit të tij.

Lavrov theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) vendosin e zbatojnë sanksione të njëanshme.

“ShBA dhe BE po shkelin rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB) me sanksionet e tyre të njëanshme. Sanksionet e njëanshme minojnë seriozisht besimin dhe pengojnë zhvillimin e ekonomisë globale”,- vlerësoi shefi i diplomacisë ruse.

Pasi rikujtoi se samiti i udhëheqësve të Katërshes së Normandisë [Gjermani, Francë, Rusi, Ukrainë] do të mbahet më 9 dhjetor, ministri Lavrov komentoi: “Kushtet e nevojshme për mbajtjen e samitit janë krijuar. Në veçanti, shpresojmë që Franca, mikpritësja e samitit, të bëjë çdo përpjekje për të zgjidhur paqartësitë në lidhje me Ukrainën”

Duke e akuzuar ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko për sabotim të vendimeve të marra brenda kornizës së formatit të Normandisë Lavrov tha: “Me qeverinë e krijuar nga presidenti ukrainas Vladimir Zelenskiy ne arritëm të zgjidhim probleme që nuk ishin zgjidhur për një kohë të gjatë”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne