Lavrov: Situatën në Idlib përpiqemi ta zgjidhim së bashku me Turqinë

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se së bashku me Turqinë, janë duke bërë përpjekje për të zgjidhur situatën në Idlib të Sirisë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të arritura.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij gjerman Heik Maas në Berlin, Lavrov ritheksoi marrëveshjen për formimin e një “zone të deeskalimit të konflikteve”.

Ai gjithashtu tha se janë duke bërë përpjekjet e nevojshme për të hapur një korridor humanitar për njerëzit që duan të largohen nga zona e Idlibit.

Lavrov shtoi se në këtë kontekst janë marrë masat për të mos ndodhur në atë qytet “një katastrofë humanitare”.

Sipas tij, Rusia nuk do të veprojë si koalicioni i udhëhequr nga SHBA që ka bërë në Mosul të Irakut dhe në qytetin sirian Rakka, duke vënë në dukje se atëherë nuk ka pasur kurrfarë bisedime në mënyrë që të arrihet një zgjidhje, as nuk është hapur ndonjë korridor humanitar.

Lavrov potencoi se në atë kohë në Rakka kishte ndodhur “katastrofë humanitare”, për të cilën, siç tha, askush nuk flet.

Ai gjithashtu rikujtoi se presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan më 17 shtator do të diskutojnë për situatën në Idlib.

Ministri rus thotë se gjatë takimit të tij me ministrin e Jashtëm gjerman, ai gjithashtu diskutoi rindërtimin e infrastrukturës në Siri, duke shtuar se përpara kësaj, megjithatë duhet siguruar kushtet e nevojshme.

Në fjalimin e tij për gazetarët, Maas i bëri thirrje Rusisë për të parandaluar një sulm të mundshëm ndaj Idlibit.

“Ka një rrezik që të ndodhë një katastrofë për miliona njerëz nëse regjimi sirian do të kryej sulm ndaj Idlibit”, tha Maas.

Ai shtoi se ka mundësi të caktuara për të luftuar kundër organizatave terroriste që janë në listën e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke theksuar se më e rëndësishme është të garantohet siguria për popullatën civile.

Maas tha se pret që Rusia të ndikojë te regjimi i Asadit për të parandaluar përdorimin e armëve kimike.

Shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se është e nevojshme të fillohet procesi politik dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme për sirianët në mënyrë që të fillojë rindërtimi i Sirisë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne