Leksion nga Britania për sundimin e ligjit, Gjykata Supreme rrëzon kryeministrin: Pezullimi i Parlamentit, i paligjshëm

Një vendim historik është marrë paraditen e sotme nga Gjykata Supreme në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kësaj Gjykate, vendimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të pezulluar parlamentin, është i paligjshëm.

Kryetarja e gjykatës, Lady Hale, u  shpreh  se ky vendim kishte efekte  “ekstreme mbi thelbin e demokracisë”.

Kryeministri kishte pezulluar parlamentin për pesë javë, me argumentin se do të krijonte mundësi, që ai të prezantonte politikat e tij.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, tha se ky vendim ishte unanim dhe se Parlamenti nuk ishte pezulluar, pra vendimi i Boris Johnson konsiderohet pa asnjë efekt. I takon Spikerit dhe Parlamentit të vendosin se si do të procedohet më tej.

Ndërkohë, në një reagim të menjëhershëm pas këtij vendimi të gjykatës, Spikeri i Parlamentit, John Bercow, u shpreh se e mirëpriste atë dhe se do të konsultohet urgjentisht me liderët e partive politike, në mënyrë që parlamenti të mblidhet sa më parë.

Ky është një vendim historik, ku gjykata vendos se një kryeministër britanik ka vepruar në mënyrë të paligjshme, duke mbyllur parlamentin, në një kohë mjaft delikate për Mbretërinë e Bashkuar, e cila do të dalë nga Bashkimi Europian.

Boris Johnson ndodhet aktualisht në New York dhe “Downing Street” ka deklaruar se po e analizon këtë vendim.

Sipas analistëve politikë, është ende e pamundur të kuptohet, se sa i dëmshëm do të jetë ky vendim për kryeministrin dhe nëse ai do të tejkalohet.

Lideri i opozitës, Jeremy Corbyn, ka kërkuar që Johnson të “konsiderojë pozicionin e tij”, pra duke nënkuptuar dorëheqjen e kryeministrit./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne