Erjon Bacaj
Shkëlqesia Juaj Z. Begaj,
Reagimi juaj ndaj eskalimit të protestës është një pikë e re kulmore e një turpi të përbashkët, që ju dhe lloji juaj keni në krye të shtetit shqiptar.
Fjala juaj nis me shprehjen: “Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.”
Atdheu im nuk është i përbashkët me ju që, duke vjedhur e sunduar, siguroni privilegjet e padrejta të mendjes suaj.
36 vjet Shqipëri e zbrazur nga mbi 1.2 miliona shqiptarë, vendi me popullsinë më të kequhqyer në Evropë, vendi i padrejtësisë sociale, i shkollave që prodhojnë analfabetizëm, i spitaleve që u shkurtojnë jetën qytetarëve, i kadastrave që janë zyra për grabitjen e pronës publike e private dhe i deputetëve që mbrojnë me kartonë të akuzuarit e SPAK-ut për vjedhje të parave publike.
Atdheu im dhe i miliona shqiptarëve të trungut anë e mbanë botës nuk është atdheu juaj.
Shqipëria nuk është atdheu i një presidenti që pa pikë turpi i ankatohej një presidenti të huaj për madhësinë e zyrës që Republika e vjedhur dhe e grabitur i kishte ndërtuar.
Shqipëria nuk është atdheu i një presidenti që pa turp bëhet i vogël para Kryeministrit për të shpallur zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i rrëzoi dekretin.
Shqipëria nuk është atdheu i një presidenti që nuk guxon të flasë kur shkrihen bashki ku jetojnë 225 mijë shqiptarë, kur drejtuesit e policisë bëhen pjesë e bandave, kur drejtuesi i SHISH-it rezulton i dashuri i hajdutëve të parave publike, kur policia mobilizon bandën pa uniformë për të dhunuar e rrëmbyer qytetarët në protestë në mënyrë sistematike prej 11 muajsh.
Sot u shqetësuat për shkatërrimin dhe djegien e 20 semaforëve e 10 koshave të plehrave? Turp të keni ju dhe ata që amnistojnë miliardat e vjedhura të këtij populli duke marrë poste publike të korruptuara.
Kostot e shpërthimit të revoltës qytetare si pasojë e mohimit të të drejtave për një jetë të dinjitetshme, do të duhet t’i mbajmë mbi kurriz me padrejtësi të gjithë ne, e me meritë ju.
Fjala juaj bie në veshë të shurdhër, sepse ju nuk keni legjitimitetin, moralin dhe atdheun për t’i folur popullit të vuajtur të këtij kombi. Marazi, sharjet, frustrimi i studentëve dhe qytetarëve kanë pasojat për të gjithë sepse ju heshtët e u tallët me protestën paqësore.
Fjala juaj është urdhri i radhës i pronarit tuaj politik, Edi Rama, i cili ju ka hequr edhe dorëheqjen nga dora dhe, si pasojë, unë as që mund t’ju kërkoj atë.
Dhe në këtë pamundësi, e vetmja kërkesë e imja është që të vazhdoni të qëndroni në heshtje, ashtu siç keni bërë për të gjitha të zezat që i kanë ndodhur këtij kombi nën drejtimin tuaj si president. Mbyllni gojën, përfundoni mandatin tuaj dhe ikni, sepse Shqipëria nuk është atdheu juaj./fb


















