Letër e Dr. Mustafa Çeriç për Presidentin Tramp: Jerusalemi nuk është një cicërimë në Twitter, por ja çfarë…

Dr. Mustafa Çeriç, një ndër personalitetet klerikale më të njohura në rajon e me gjerë, i ka përcjellë një letë Presidentit Trump, si një prej formave reaguese ndaj vendimit të këtij të fundit për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Më poshtë mund të lexoni të plotë këtë letër:

President,

Shpresoj se kjo letër do t’ju gjejë në shëndet të mirë. Dhe shpresoj që do të gjeni kohën ta lexoni atë.

Po ju shkruaj në lidhje me vendimin tuaj rreth Jerusalemit. Në fakt, po përpiqem, por nuk mund ta kuptoj se pse keni vendosur ta shpallni Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, kur ju e dini se kjo thjesht nuk do dhe nuk mund të kalojë. Nuk po mund ta kuptoj se akoma nuk e keni të qartë se çfarë keni bërë? Ju keni tronditur gjithë botën, ngase asnjë person me mendje të shëndoshë në botë nuk mund ta kuptojë se gjërat nuk funksionojnë kështu. Historia e Jerusalemit nuk është cicërrimë e zogut (“Tweeting”).

Historia e Jerusalemit është një sakrificë njerëzore, një britmë e njeriut, një kthim i njeriut, një shpresë e njeriut, një lindje njerëzore, një shpëtim njerëzor, një ngritje e njeriut në qiell. Ai që nuk e kupton këtë, nuk mund të vendosë për fatin e Jerusalemit. Jerusalemi nuk është vetëm një qytet në Tokë. Jerusalemi është një qytet edhe në qiell. Prandaj, vendimin për Jerusalemin e sjell Ai, i Cili tashmë ka marrë një vendim: se Jerusalemi “Dar al-Salam” (“Qyteti i Paqes”) i takon të gjithë pasardhësve të Ibrahimit: Ismailit, Is’hakut – hebrenjve, të krishterëve dhe muslimanëve.

Kjo mund të jetë vetëm kështu dhe assesi ndryshe. Ky është vendimi i Atij që është i Plotfuqishëm në qiell dhe në tokë. Ai, i cili është Mëshirshmi dhe i Gjithëdijshmi, dhe i Cili e di më së miri se pse Jerusalemi i përket të gjithëve, jo vetëm njërit nga bijtë biologjikë dhe shpirtërorë të Ibrahimit.

President,

Nëse keni dashur të qetësoni pasionet rreth Jerusalemit me vendimin tuaj, vetëm sa i keni trazuar tani!

Nëse keni dashur që të qetësoni radikalët me vendimin tuaj, ju vetëm sa i keni radikalizuar edhe më shumë tani!

Nëse keni pasur për qëllim që me vendimin tuaj t’i ofroni siguri Izraelit, vetëm sa e keni bërë më të pasigurtë tani!

Nëse me vendimin tuaj keni pasur për qëllim që të tregoni se nuk jeni antisemit, ju keni treguar se jeni anti-arab që ëshët njësoj si të jesh si anti-semit tani.

Nëse keni dashur të zgjidhni konfliktin izraelito-palestinez, vetëm sa e keni komplikuar edhe më shumë tani!

Nëse me vendimin tuaj keni dashur t’i poshtëroni muslimanët nëpër botë, ju vëtëm sa i keni zgjuar ata tani!

Nëse keni pasur për qëllim që t’u dërgoni mesazh udhëheqësve të përçarë muslimanë, ju vetëm sa i keni bashkuar ata tani!

Nëse me vendimin tuaj për Jerusalemin keni pasur për qëllim që të vendosni rend dhe paqe, ju vetëm sa e keni rrënuar atë tani.

Nëse e kishit ndërmend të fikni zjarrin në Jerusalem, ju vetëm sa e keni ndezur edhe më shumë atë tani!

Nëse keni pasur për qëllim të tregoni se jeni të fuqishëm, ju vetëm sa keni treguar se jeni i pafuqishëm për të vendosur paqe dhe besim në Jerusalem tani!

Sepse nuk është i fuqishëm ai që ndez një zjarr, por i fuqishëm është ai që e fikë atë; nuk është i fuqishëm ai që kërcënon të shkatërrojë një komb tjetër, por i fuqishëm është ai që premton se do ta shpëtojë planetin Tokë nga shkatërrimi bërthamor; dhe këtë mund ta bëjë vetëm ai që ka qëllim të sinqertë, fjalë të mira dhe veprimtari paqësore.

President,

Unë me të vërtetë nuk mund ta kuptoj pse mu tani keni prekur në pikën më të ndjeshme të pranisë qiellore në tokë dhe pranisë njerëzore në qiell? Dhe nuk mund ta kuptoj pse keni pasur nevojë t’i qaseni Jerusalemit në një mënyrë kaq të pamatur? Dhe pikërisht tani kur të krishterët po përgatiten të shënojnë lindjen e Isait në Bethlehem?

Nuk po mund të gjej ndonjë arsye për këtë, sidomos pasi për ju është organizuar një pritje në Riad, çfarë nuk është organizuar për asnjë president të SHBA-së më parë.

Sot, në botë ka rreth dy miliardë muslimanë. A nuk mjafton kjo si arsye që t’i respektoni ata, mu ashtu siç ata kanë treguar respekt për ju në Riad, sidomos pas tuaja deklaratave islamofobe gjatë fushatës politike për president të SHBA.

Kohët e fundit kemi dëgjuar një thirrje në Poloni: “Duam një holokaust islamik”, por këto qarqe islamofobe harrojnë se nuk është e mundur të digjen dy miliardë njerëz. Kjo thjesht nuk është e mundur, ashtu siç nuk është e mundur të tjetërsohet Jerusalemi nga dy miliardë muslimanë që kanë të drejtë në të, njësot siç kanë të drejtë edhe hebrenjtë dhe të krishterët që përmes Jerusalemit të ngjiten në qiell, sepse ndonjëherë jeta bëhet e padurueshme edhe për ta në këtë planet të Tokës.

President,

Unë dua të besoj se ky ishte vetëm një gabimi juaj i pamatur. Nuk është i pari, por do të doja të jetë i fundit. Unë dua të besoj se vjen nga ajo Amerikë, të cilën e njoh nga ditët e mia në Çikago (1981-1986), kur Presidenti Ronald Regen mbante pishtarin e lirisë kundër tiranisë në Bashkimin Sovjetik. Unë dua të besoj se populli amerikan është i aftë të kalojë me sukses testin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut të cilin ju e keni imponuar mbi ta, mbi gjitha tani, për shkak të vendimit tuaj për Jerusalemin. Sepse Amerika nuk duhet të humbasë besueshmërinë e ndërmjetësit të paqes në Lindjen e Mesme. Me respektin e duhur, por Rusia nuk është në gjendje të marrë atë rol.

President,

Mos u zemëroni nëse isha plotësisht i sinqertë me ju. Unë nuk di ndryshe. Shpresoj që ta kuptoni letrën time në qëllimin më të mirë dhe se do ta konsideroni ndryshimin e vendimit tuaj për Jerusalemin, në mënyrë që ta vendosi këtë Qytet të Shenjtë në dispozicion të hebrenjve, të krishterëve dhe muslimanëve, ashtu që ta ndiejnë paqen shpirtërore dhe bekimin e Perëndisë në të.

Me këtë emër, z. Presidenti, ju uroj festat e fundvitit!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne