Bota Shqiperia

Letër nga familjet e anëtarëve të MEK-ut në Shqipëri për Ministrinë e Brendshme dhe UNHCR-në

Përshëndetje,

Sipas provave dhe dëshmive të dhëna gjatë viteve të fundit nga më shumë se njëmijë ish-anëtarë të Muxhahedin-e Halk (MEK, kulti Raxhavi) brenda dhe jashtë Iranit, organizata MEK vepron si një kult shkatërrimtar i kontrollit të mendjes që mohon të gjitha të drejtat më themelore të njeriut për anëtarët e vet.

Për dekada të tëra, ky kult ka mashtruar të rinjtë e ndershëm por të papërvojë duke përdorur truke të ndryshme dhe i ka dërguar në Irak ku i ka skllavëruar ata si mentalisht ashtu edhe fizikisht. Në këtë kult përdoren teknika psikologjike për pastrimin e trurit dhe kontrollin e mendjes. Përgjigja ndaj çdo mosmarrëveshjeje apo dyshimi është izolimi i vetmuar, tortura, presionet psikologjike dhe fizike, detyrimi i anëtarëve për të kryer vetëvrasje, madje edhe vrasja e tyre.

Gjatë dekadave të fundit, mijëra anëtarë kanë përdorur çdo mundësi që të largohen nga ky kult shkatërrues dhe të ndahen prej tij. Po, kjo është e vërtetë – kulti Raxhavi është një vend nga i cili njerëzit duhet të arratisen. Nuk është e lehtë të largohesh nga grupi pasi ata mbahen në kushte të skllavërisë moderne.

Tani që kulti Raxhavi, pavarësisht nga rezistenca dhe pengesat e krijuara për të mos u larguar nga Iraku, është detyruar të vendoset në Shqipëri, për familjet që nuk mundeshin t’i vizitonin të dashurit e tyre në Irak ka mundësi t’i kontaktojnë ata në Shqipëri.

Ne, familjet, jemi të sigurta se fëmijët tanë janë nën një manipulim të ashpër të mendjes dhe nën një trushpëlarje, dhe prandaj nuk kanë fare vullnet të lirë. Që nga rinia e tyre kur u rekrutuan për herë të parë atyre u është mohuar çdo formë kontakti me botën e jashtme. Pas dekadave të këtij trajtimi ata kanë humbur të gjitha shpresat e tyre, madje edhe idenë për një jetë normale, dhe prandaj kanë nevojë për familjet e tyre për t’i deprogramuar ata dhe për t’i kthyer në shoqërinë normale.

Bazuar në raportet e dhëna nga ish-anëtarët e panumërt, ne jemi absolutisht të sigurtë se më shumë se 90% e anëtarëve janë të pakënaqur dhe po kërkojnë një rrugëdalje nga kulti. Ne gjithashtu e dimë se për shkak të kësaj kulti nuk do t’u lejojë atyre qasje në botën e jashtme, dhe në veçanti kontakt me familjet e tyre. Shumica e anëtarëve dëshirojnë të jenë në kontakt me familjet e tyre, por Massoud Raxhavi, si të gjithë udhëheqësit e tjerë të kultit, është armik i familjes dhe përdor çdo mashtrim propagandues dhe psikologjik për të parandaluar anëtarët që të kenë ndonjë kontakt me familjet e tyre.

Mësuam se kultivi i Raxhavit po përpiqet të përsërisë kushtet që i ka imponuar grupit në Irak dhe dëshiron t’i zhvendosë të gjithë anëtarët në një vend të largët në Shqipëri ku mund të mbahen në izolim të plotë. Kjo do të thotë se kontakti i tyre me botën e jashtme dhe familjet do të ishte pothuajse i pamundur.

Mësuam gjithashtu se ndihma individuale e refugjatëve të OKB-së për të gjithë anëtarët që janë pranuar në Shqipëri si refugjatë u paguhet drejtpërdrejt organizatës MEK dhe kjo përfshin edhe ata që e kanë lënë kultin. Kjo do të thotë që këta njerëz detyrohen të jenë ende të varur nga kulti dhe duhet t’i binden diktateve të kultit si më parë.

Ne, familjet që vuajmë dhe që në disa raste nuk kemi pasur lajme për të dashurit tanë prej dekadash, i bëjmë thirrje UNHCR-së dhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë që të bashkëpunojnë plotësisht për të rregulluar së pari kontaktin direkt midis nesh dhe të dashurve tanë, së dyti për t’u marrë me ta individualisht dhe jo si një grup dhe t’i paguajnë ata drejtpërsëdrejti si refugjatë, dhe së treti për të siguruar që anëtarët të mos burgosen në asnjë vend ku ata nuk kanë kontakt me botën e jashtme.

Disa familje të anëtarëve të MEK-ut në Shqipëri

/ © Gazeta Impakt

Etiketa

OPINIONE