Libani paralajmëron operacion ushtarak në kufi me Sirinë

Ushtria e Libanit do të kryejë një operacion kundër militantëve në afërsi të kufirit me Sirinë, tha të martën kryeministri Saad Hariri.

Duke folur në parlament, Hariri tha se qeveria i ka dhënë ushtrisë të drejtën për të vepruar në zonën Juroud Arsal.

Kryeministri libanez mohoi çdo koordinim me regjimin sirian lidhur me operacionin e planifikuar.

“Nuk ka as koordinim e as hapësirë për operacion të përbashkët midis ushtrive libaneze dhe siriane”, tha ai, pa specifikuar datën e operacionit.

Juroud Arsal ka qenë bazë për militantët që kryejnë sulme kundër forcave libaneze gjatë gjithë luftës civile siriane.

Në vitin 2014, zona pati përplasje vdekjeprurëse mes forcave libaneze dhe militantëve që vinin nga Siria.

Muajin e kaluar, katër shpërthime vetëvrasëse goditën një kamp refugjatësh sirianë në Arsal gjatë një bastisjeje ushtarake gjatë së cilës u arrestuan dhjetëra refugjatë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne