Libri që hedhë dritë mbi të kaluarën e errët

Justin MacCarthy, Vdekje dhe dëbim, spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922, Alsar, Tiranë, 2015, 414 faqe

 Shkruan: Murat M. ALIU, Prilep

Libri “Vdekje dhe dëbim, spastrimi etnik i myslimanëve osman, 1821-1922”, i historianit amerikan Justin MacCarthy, paraqet një libër tejet të rëndësishëm, si në kuptimin e dhënies së një kontributi literaturës së përgjithshme botërore, ashtu edhe në kuptimin e shpërfaqjes së disa të vërtetave historike mbi dhunën e ushtruar ndaj myslimanëve, kryesisht nga të krishterët ortodoksë, brenda kufijve të Perandorisë Osmane gjatë gjithë shekullit XIX dhe fillimit të atij XX, e inspiruar nga rrymat nacionaliste, për të cilën shumë pak është shkruar në librat historikë në Perëndim e më gjerë.

Autori, në fillim të librit, i numëron tri shkaqet kryesore të cilat e bënë të mundur dhunën dhe shpërnguljen me dhunë të myslimanëve të Europës Osmane, Krimesë, Kukazit dhe Anadollit dhe, rrjedhimisht, edhe ndryshimin demografik në këto vende. Sipas tij, arsyeja kryesore konsiston në dobësinë ushtarake dhe ekonomike të Perandorisë Osmane. Shkaku i dytë ka të bëjë me lindjen e nacionalizmit brenda kufijve të Perandorisë, ndërsa shkaku i tretë ndërlidhet drejtpërdrejt me ekspansionin perandorak rus (f. 25).

Luftërat e njëpasnjëshme, të cilët vijuan gjatë gjithë shekullit XIX, e dobësuan dukshëm Perandorinë Osmane, si në rrafshin ushtarako-politik, ashtu edhe në rrafshin ekonomik dhe, rrjedhimisht, Perandoria ishte e pafuqishme t’i mbrojë muslimanët nga dhuna dhe eksodi i popujve të krishterë-ortodoksë. Ndërkaq kjo dobësi, sipas autorit, mundësoi paraqitjen e dy faktorëve të tjerë – nacionalizmin e grupeve pakicë osmane dhe ekspansionizmin rus. Kësisoj, nacionalizmi, i cili mori karakterin racor, veçmas ndër të krishterët e Ballkanit, paraqiste faktorin e dytë me rëndësi që ndikoi në dhunën dhe dëbimin e myslimanëve. Revolucioni Grek i vitit 1821, që në fakt paraqet lëvizjen e parë nacionaliste brenda kufijve të Perandorisë dhe që synim kryesor kishte krijimin e shtetit nacional grek, ndoshta për herë të parë shkaktoi vdekjen dhe dëbimin e myslimanëve mbi baza të ndjesisë/përjashtimit etnik dhe nacional, kjo edhe përkundër faktit se autori thekson se motivet fillestare të revolucionit grek nuk mundë të quhen si të tilla (f. 25-29, 33). Pavarësisht kësaj, autori vë në dukje se: “në muajin prill të vitit 1821, një popullsi myslimane, që shkon deri në mbi njëzet mijë frymë, jetonte e shpërndarë në Greqi dhe e punësuar në bujqësi. Sa pa kaluar dy muaj, pjesa më e madhe e tyre u kalua në teh – burrat, gratë e fëmijët u vranë pa asnjë mëshirë ose keqardhje. (…) sakaq, popullsia e krishterë e kishte sulmuar dhe vrarë popullsinë myslimane në çdo vis të siujdhesës” (f. 30-31). Ndërkaq ekspansioni rus, i cili filloi në shekullin XIV, ka shkaktuar vdekjen dhe shpërnguljen e shumë popujve myslimanë, veçmas të tatarëve të Krimesë (f. 34-42).

Në kapitullin e dytë autori flet për Anadollin Lindor dhe Kaukazin, me ç’rast thekson se diku rreth viteve 1820-të filluan shpërnguljet masive të myslimanëve nga këto rajone. Po ashtu në këtë kapitull autori flet edhe mbi rolin e armenëve dhe bashkëpunimin e tyre me Rusinë në arritjen e këtyre qëllimeve. Duke u bazuar në të dhënat e George Bournoutian-it, MacCarthy hedh dritë në luftërat e viteve 1827-29, që u zhvilluan ndërmjet Perandorisë Osmane dhe asaj Ruse, ku vdiqën ose u dëbuan rreth 26.000 myslimanë nga krahina e Erivanit dhe se në vend të tyre janë sjellë rreth 45.000 armenë nga viti 1832. Ky proces i shkëmbimit të popullsisë ka vazhduar edhe në periudhat e mëvonshme (f. 43-52). Të njëjtin fat, sipas tij, e pati edhe popullsia myslimane e rajonit të Kaukazit, sepse ata të cilët pësuan nga ekspansioni rus dhe shpërngulja me dhunë e tyre ishin çerkezët dhe abkazët. “Metodat e migrimit me dhunë që pësuan abkazët në vitin 1867 ishin në thelb të njëjtat që ishin përdorur më herët. Ushtarët rusë erdhën në fshatrat abkaze, dogjën shtëpitë, vodhën bagëtitë dhe sende të tjera… “ (f. 56). E njëjta gjë ndodhi edhe me çerkezët, shkruan autori. Në total, sipas tij, rreth 1.2 milionë kaukazianë emigruan nga tokat e të cilat u pushtuan nga rusët, 800.000 prej të cilëve arritën të shpëtonin dhe vendoseshenin brenda kufijve të Perandorisë Osmane (f. 56.). Si pasojë e gjithë këtyre ngjarjeve, struktura demografike, si në vendet nga të cilët u dëbuan muslimanet, ashtu edhe në vendin ku ata migruan, pësoi një ndryshim të dukshëm.

Në kapitullin e tretë autori shpërfaq fakte historike mbi vdekjen dhe dëbimin e myslimanëve nga Bullgaria përgjatë Lëvizjes Revolucionare në Bullgari, e cila filloi në vitin 1876 (f. 83). MacCarthy thekson se kryengritja bullgare që në zanafillën e saj paraqite një masakër ndaj myslimanëve të cilët jetonin në Bullgari. Ndërkaq, nga ana tjetër, autori po ashtu vë në dukje vrasjet e bashibozukëve (të cilët ishin kryesisht çerkezë dhe myslimanë) ndaj bullgarëve, të cilët u armatosën nga ana e Perandorisë. Për shembull, në afërsi të Burgasit u ftuan të mposhtnin 2.000 deri më 3000 kryengritës dhe kur e kryen këtë akt, ata plaçkitën pesë fshatra bullgare. Po ashtu, në maj të vitit 1876, gjenerali osman, Shefqet Pasha, ka kryer një masakër, me ç’rast kishin vdekur 168 burra, 8 gra dhe 12 fëmijë (f. 85). Por, edhe përkundër kësaj, autori mban qëndrimin se qeveria osmane dhe trupat e saj të rregullta kanë bërë përpjekjet maksimale për të penguar dhunën kundër popullsisë civile dhe se këto veprime të bashibuzukëve nuk përfaqësonin politikën zyrtare të qeverisë osmane. Ndërkaq hyrja e trupave ruse në Bullgari në vitin 1877 ka shkaktuar një terror të vërtetë ndaj popullsisë myslimane. Autori, duke iu referuar korrespodentëve të kohës, shkruan: “Ata deklarojnë se kanë parë me sytë e tyre, në Razgrad dhe Shumla, fëmijë gra, dhe të moshuar që ishin të plagosur nga heshtat dhe shpatat (…) Ata deklaruan se e gjithë popullsia myslimane e fshatrave të shumtë ishte masakruar, ose teksa ata merrnin arratinë ose në fshat në fshatrat e tyre të plaçkitur” (f. 91-92). Pra, sipas autorit, hyrja e trupave rusë në Bullgari në vitin 1877 ka shkaktuar vrasjen dhe dëbimin e mijëra myslimanëve, të cilët jetonin në Bullgari. Dhe. kjo jo vetëm nga rusët, por edhe nga bullgarët, të cilët e kishin mbështetjen dhe përkrahjen e rusëve (për numrin e shpërnguljeve dhe vrasjeve shih tabelën me nr. 3, 4, 5 6; f. 114-117).

Në kapitullin e katërt, autori e analizon Lindjen ose pjesën lindore të Perandorisë nga viti 1878 deri në Luftën e Parë Botërore, përkatësisht hedh dritë mbi viktimat dhe shpërnguljet masive të myslimanëve përgjatë Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-78. Autori, po ashtu, vë në dukje se qeveria ruse gjatë luftës dhe përpara saj e ka shfrytëzuar veçantinë etnike të armenëve në Anadoll për t’i arritur ashtu synimet e saj. Kështu, pas marrjes së qytetit Ardahan në mënyrë paqësore, forcat ruse, kryesisht kozakë dhe karapapakë, kanë vrarë rreth 300 vetë nga garnizoni osman dhe një numër shumë më të madh civilësh. “Konsulli britanik në Tiflis, Ricketts, raportoi se garnizoni osman në Ardahan, që ishte dorëzuar paqësisht, u masakrua në masë të madhe dhe qyteti u plaçkit nga 12.000 trupa të ushtrisë së rregullt ruse”, shkruan MacCarthy (f: 142). Gjithashtu, prezenca e ushtrisë ruse në kufijtë e Perandorisë Osmane i ka inkurajuar armenët në ushtrimin e dhunës ndaj popullatës myslimane në pjesën Lindore të Perandorisë. Në këtë kontekst autori shkruan: “Kur rusët e morën Erzurumin, armenët e qytetit përfituan nga sundimi i krishterë për të abuzuar me myslimanët” (f. 142). Llazët, të cilët ishin një popull mysliman që fliste një dialekt të gjeorgjishtes dhe jetonte në rajonin bregdetar juglindor të Detit të Zi, kryesisht në krahinat e Batumit, Karsit dhe Ardahanit, pas pushtimit rus të këtyre krahinave përjetuan një eksod nga shtëpitë e tyre të hershme, me ç’rast u detyruan të shpërngulen në drejtim të territoreve të cilët qeveriseshin nga Perandoria Osmane. Sërish duke iu referuar konsullit britanik në Tiflis, MacCarthy shkruan: “Pothuajse e gjithë popullsia muhamedane e përbërë, siç thuhet nga 10.000 familje prej 60. 000 frymësh kanë vendosur të emigrojnë në Turqi…” (f. 144-145). Në këtë kapitull, po ashtu, përshkruhen edhe vrasjet e armenëve ndaj myslimanëve në vendet e Kaukazit, përkatësisht në Baku (f. 154-155).

Në kapitullin e pestë të librit janë përshkruar vrasjet, shpërnguljet, shkatërrimet dhe të gjitha mizoritë tjera ndaj popullsisë myslimane gjatë luftërave ballkanike. Krahasuar me Luftën Ruso-Turke të viteve 1877-78, masakra ndaj myslimanëve në luftërat ballkanike nuk ishte e organizuar, por kjo nuk do të thotë që ishte me pak vdekjeprurëse, nënvizon autori, kjo për faktin se bullgarët, grekët, serbët dhe malazezët nuk e kanë pasur efikasitetin dhe disiplinën ushtarake të rusëve. Vrasjet e kryera gjatë luftërave ballkanike ishin të inspiruara nga “lufta racore” (173). Në luftërat ballkanike komitët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në masakrimin e myslimanëve, ndërsa shtetet ballkanike nuk kanë marrë asnjë masë për t’i parandaluar ata. Autori vijon duke thënë: “pa ekzagjerim mund të thuhet se vështirë që të ketë ndonjë fshat turk në krahinat e Kavallës dhe Dramës që nuk ka vuajtur përndjekjet e komitëve bullgarë dhe të popullsisë së krishterë vendase (…) Të gjithë aleatët e krishterë u përfshin në masakrat e shkallës së gjerë të fshatarësisë myslimane (…) Vetëm në krahinat e Lumës dhe Dibrës, më shumë se 2000 myslimanë u masakruan nga trupat serbe. Vëzhguesit perëndimorë vlerësonin se përafërsisht 5.000 myslimanë shqiptarë u vranë mes Kumanovës dhe Shkupit dhe 5.000 në zonën e Prishtinës” (f. 173). Sipas disa vëzhguesve perëndimorë, numri i të vrarëve në Traki kishte arritur në mbi 200.000 frymë. Grekët i mblodhën turqit nga e gjithë kazaja e Pravishtës dhe i çuan në grykën e Kasrubit, ku i vranë dhe i lanë trupat si dëshmi për aktet e tyre, shkruan autori (f. 174).

Në vazhdim, MacCathy flet për bombardimet intensive bullgare në Edirne, të cilat shkaktuan problemin e urisë dhe mungesën e produkteve elementare për ushqim. Po ashtu edhe në qytetin e Kavallës ka pasur masakra të tmerrshme. Sipas vlerësimeve osmane, rreth 7000 refugjatë myslimanë janë vrarë vetëm në këtë krahinë. E njëjta gjë ndodhi edhe në qytetin e Strumicës, Serresit dhe Dedeagaç (Aleksandropojës) (f. 177-18).

Përveç vrasjeve dhe dëbimeve, autori përqendrohet edhe në fenomenin e shkatërrimeve dhe plaçkitjeve që i përjetuan myslimanët gjatë kësaj periudhe. Kështu Shqipëria dhe shqiptarët pësuan nga pushtimi malazez, të cilët, siç thotë autori, kanë shkatërruar gjithçka që u ka dalë përpara. Por, jo vetëm fshatrat myslimane. Sipas tij, u shkatërruan edhe fshatrat katolike. Sipas raportit të përfaqësuesit britanik Lamb, në Shqipëri janë shkatërruar 102 fshatra myslimanësh, të cilët kanë përmbajtur 2.044 njerëz të masakruar, 2.800 shtëpi të djegura dhe 25.000 kafshë të marra. Po ashtu provinca e Manastirit paraqet një shembull tipik të shkatërrimit që iu shkaktua fshatrave myslimane në të gjithë Ballkanin (f. 181-182). “Besohet se rreth 80 për qind e fshatrave të banuar vetëm nga myslimanë dhe e mëhallëve myslimanë të fshatrave me popullsi të përzier janë bastisur dhe shkatërruar pjesërisht apo tërësisht…”, nënvizon MacCarthy, i cili në vijim flet edhe për konvertimet me dhunë në Krishterim nga ana e bullgarëve (f. 182-185). MacCarthy, duke ruajtur objektivitetin shkencor, po ashtu thekson se jo vetëm myslimanët, por gjatë luftërave ballkanike pësoi edhe popullata e krishterë. “Megjithatë, bullgarët, grekët, dhe, në një masë më të vogël të tjerët ishin gjithashtu viktima të mizorive. Pjesa më e madhe e këtyre mizorive ngjau në Luftën e Dytë Ballkanike, kur ish aleatët e krishterë sulmuan njëri tjetrin” (f. 187).

Sa i përket kapitullit të pestë, ku autori analizon luftërat ballkanike, menjëherë në fillim të këtij kapitulli autori jep të dhëna statistikore, ku del se popullsia myslimane përbënte shumicë në Europën Osmane. Kështu në vitin 1911 myslimanët përbënin 51% të popullsisë së përgjithshme. Grekët ishin 25%, bullgarët 19% dhe të tjerët 5% (shih tabelën me nr. 7 dhe 8. f. 167-168). Por, pas përfundimit të luftërave ballkanike, si pasojë e vdekjeve dhe shpërnguljeve masive me dhunë, myslimanët më nuk përbënin shumicën në Europën Osmane. Kështu, ndërmjet viteve 1912-1920 nga Ballkani për në Stamboll janë shpërngulur rreth 132.500 myslimanë, në Ajdin 145.000, në Ankara 10.008, në Hydavendigar 20.853, në Karasi 14.687, në Sivas 10. 805, si dhe në shumë qytete tjera të Turqisë (shih tabelën me nr. 10, f. 194-195). Pra, siç edhe theksuam më lart, të gjitha këto migrime kanë shkaktuar ndryshime demografike në Ballkan. Sipas autorit, “Aty nga fundi i vitit 1913, nëpërmjet procesit të vdekjeve dhe migrimit me dhunë, myslimanët ishin bërë një pakicë në të gjithë Ballkanin”(f. 195). Kështu, në krahinat e Perandorisë Osmane të pushtuara nga Greqia në vitin 1911, pra përpara luftërave ballkanike, jetonin gjithsej 746.485 myslimanë, 797.111 grekë dje 145.186 bullgarë. Ndërkaq pas luftërave, përkatësisht në vitin 1923 në Greqi kishin ngelur vetëm 124.460 myslimanë, ndërsa 1.773.964 ishin grekë. Po ashtu në zonat e pushtuara nga Bullgaria përpara luftës 327.732 ishin myslimanë, 29.255 grekë dhe 204.701 bullgarë. Në vitin 1920 po në të njëjtën zonë, pra në Bullgari, ky ishte zvogëluar numër dukshëm. Kësisoj, numri i myslimanëve ishte vetëm 179.176. Sipas statistikave, të cilët i nxjerr autori, si duket shpërngulja më e madhe e myslimanëve ka ndodhur nga vendet e pushtuara nga Serbia. Kështu para luftërave ballkanike numri i shqiptarëve të cilët jetonin në zonat të cilët më pas u pushtuan nga Serbia ka qenë 1.231.076, ndërsa në vitin 1921, tanimë brenda shtetit Jugosllav kishin ngelur vetëm 566.478 myslimanë. Sipas kësaj, rezulton se në total brenda 10 viteve nga Greqia, Bullgaria dhe Jugosllavia janë shpërngulur dhe vrarë rreth 1.445.179 myslimanë (shih tabelën më nr. 11, 12, 13, f. 195-198).

Në kapitullin e gjashtë autori i përshkruan ngjarjet brenda Perandorisë gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht ngjarjet në pjesën lindore dhe juglindore të Turqisë së sotme. Kështu, ai theks të veçantë vendos mbi Revolucionin Armen të vitit 1915 dhe masakrat e tyre ndaj popullsisë myslimane në vilajetet e Vanit dhe Bitlisit (f. 213-228) . “Ne shkurt të vitit 1915, armenët në vilajetet e Bitlisit dhe Vanit filluan të sulmonin fshatarët myslimanë. Në mesin e shumë të tjerëve, për shembull, ata sulmuan fshatrat e Kajaliut duke përdhunuar gratë e reja dhe duke vrarë fshatarët nëpër rrugë (…) Në mbarë Anadollin Lindorë, xhandarët u sulmuan nga fshatarët armenë dhe bandat e organizuara. Linjat e telegrafit u këputën, dhe fshatrat muslimanë iu nënshtruan terrorit”, shkruan MacCarthy (f. 228). Në vazhdim autori shkruan edhe për masakrat dhe vrasjet e rebeleve armen ndaj popullsisë myslimanë pas Luftës së Parë Botërore. Kësisoj, në qytetin e Erzurumit, Bajburtit dhe Terxhanit pati një numër të madh vrasjes, shpërnguljesh me dhunë dhe shkatërrimesh. Kjo dhunë e armenëve vazhdoi edhe nëpër fshatrat përreth (f. 233-239).

Në kapitullin e parafundit, përkatësisht kapitullin e shtatë, autori e analizon Luftën Çlirimtare dhe antiimperialiste të udhëhequr nga Mustafa Kemal Ataturku, në rend të parë kundër Greqisë e më pas kundër Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë. Ndonëse shumë pak autorë perëndimorë kanë shkruar për vrasjet dhe tmerrin të cilin e kanë shkaktuar grekët menjëherë pas pushtimit të Izmirit në maj të vitit 1919, MacCarthy – në mënyrë të detajuar dhe të guximshme hedh dritë mbi gjitha këto tmerre. Sipas tij, pushtimi grek i Turqisë Perëndimore, veçmas pushtimi i Izmirit dhe Ajdinit, lënë pasojë katastrofike për popullatën myslimane në këto qytete. Menjëherë pas pushtimit të Izmirit, vendasit grekë – të ndihmuar nga ushtria e rregullt greke – filluan terrorin e tyre ndaj popullsisë myslimane. “U grabitën prona, mëhalla të tëra u plaçkitën. Ushtarët grekë vetëm në një rast të rrallë e ndalën bastisjen e pronës myslimane; më shpesh ata iu bashkuan plaçkitjes”, shkruan MacCarthy (f. 306). Po ashtu grekët vranë civilë, ushtarë, redaktorë e korrespodentë gazetash, udhëheqës në pension të xhandarmërisë, zyrtarë shtetërorë etj. E njëjta gjë ndodhi edhe pas pushtimit të qytetit të Ajdinit në 27 maj 1919. Ushtria e rregullt greke, duke i çarmatosur ushtarët turq, armët e tyre ua dhënë popullsisë greke në rajon, të cilët – bashkë me ushtarët grekë – filluan ta plaçkitnin qytetin (f. 309). Grekët jo vetëm në Izmir dhe Ajdin, por ata kryen masakra dhe persekutime të shumta edhe në qytetet tjera përreth, siç ishin Jalova, Izmiti dhe Gemliku. “Nuk mund të ketë asnjë dyshim se djegia e fshatrave, masakrave dhe migrimet me dhunë ishin të sanksionuara nga ushtria dhe qeveria greke. Komisionari i Lartë amerikan, Admirali Bristol, komentoi mbi “mizoritë greke, të cilat duket se janë kryer me gjakftohtësi, sipas një plani të parapërgaditur” (f. 320). Po ashtu autori në këtë libër i paraqet edhe vëzhgimet dhe përshtypjet e profesorit dhe historianit të njohur Arnold Toynbee, i cili në atë kohë e ka vizituar Anadollin si korrespodent ose analist për “Manchester Guardin”. Si një njeri jo mik i turqve, ai priste të shihte veprime fisnike nga grekët dhe veprime të liga nga turqit. Por, pasi pa masakrat dhe tmerret e grekëve në Jalovë dhe Gemlik, ai njësoj si Komisioni Hetimor Ndër-Aleat (shih f. 307-308), konkludoi se masakrat dhe dëbimet ndaj turqve ishin të planifikuara si politikë zyrtare e qeverisë greke (f. 321).

Në kapitullin e fundit i cili mban titullin Fundi i tokës myslimane, autori MacCarthy shkruan se – pas përfundimit të luftërave – komunitetet myslimane në një hapësirë aq të gjerë, sa e gjithë Europa Perëndimore, ishin pakësuar ose shkatërruar. Të gjitha këto vrasje dhe migrime të myslimanëve kanë ndikuar dukshëm në dobësimin e sistemit politik, ekonomik dhe social të Perandorisë dhe të pasardhësve të saj, por efekti kryesor i të gjithë këtyre, sipas autorit, ishte krijimi i shteteve etnikisht homogjene në Ballkan dhe Kaukaz (f. 383). Domethënë, vrasja dhe dëbimi më dhunë i myslimanëve u shërbeu qëllimeve nacionaliste, madje edhe fashizoide të grupeve etnike të krishtera, të cilët i krijuan shtetet e tyre kombëtare. Në fund të këtij kapitulli autori jep numra konkret të vdekshmërisë dhe migrimit të myslimanëve si nga Ballkani, ashtu edhe nga Kaukazi dhe Anadolli Lindor. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe njëshekullore, janë vrarë dhe kanë vdekur në total rreth 5.060.000 myslimanë, ndërsa 5.381.000 janë shpërngulur (shih tabelën me nr. 30, f. 389).

Si përfundim mund të thuhet se arsyeja kryesore e krijimit të këtij libri, siç thotë vetë autori, ka qenë fakti se “askush nuk e dinte me të vërtetë se sa myslimanë kishte pasur në kohërat osmane” (f. 15). Përderisa është marrë me këtë çështje, thotë ai, zbulova një tjetër fakt që nuk ishte përfshirë kurrë në librat europianë dhe amerikanë të historisë: “pothuajse tre milionë mysliman anadollas kishin vdekur në luftëra gjatë periudhës nga viti 1912-1922” (f. 15) dhe pothuajse askush nuk ishte marrë me çështje. “Në Perëndim, historia e vuajtjes së myslimanëve të Ballkanit, Kaukazit dhe të Anadollit as nuk është shkruar e as nuk është kuptuar ndonjëherë. Historia e Ballkanit, Kaukazit dhe Anadollit është shkruar pa përmendur askund njërën prej protagonistëve të saj kryesore, “pikërisht” popullsinë myslimane”, shkruan autori (f. 23).

Nga këto rreshta kuptojmë se qëllimi kryesor i autorit në këtë vepër është të dëshmojë njëanshmërinë e historiografisë perëndimore dhe të hedhë në dritë fakte historike mbi tmerrin, vdekjet dhe persekutimet ndaj myslimanëve të Ballkanit, Kaukazit dhe Anadollit nga ana e të krishterëve ortodoksë. “Këndvështrimi ‘tradicional’ i historisë së Ballkanit, Kaukazit dhe Anadollit është më pak se sa i plotë, në mos çorientues, për shkak se historitë e grupeve pakicë osmane janë nxjerrë nga konteksti” (f. 23), shkruan MacCarthy. Si pasojë e kësaj qasjeje të historiografisë perëndimore, por jo vetëm, jemi mësuar të lexojmë libra të ndryshëm historikë, ku në mënyrë të njëanshme dhe subjektive osmanët ose turqit portretizohen si dhunues, por jo e kundërta. Pra, me këtë vepër autori na paraqet një rrëfim më ndryshe për sa u përket ngjarjeve dhe zhvillimeve të shekullit të fundit të Perandorisë Osmane.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne