Liderët aziatikë: SHBA duhet të pranojë Kinën si konkurrent

Singapori sot ka kërkuar që SHBA-të dhe Kina të punojnë në një model të bashkëpunimit konstruktiv për hir të një rendi të qëndrueshëm global, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë konferencës së 25-të “Nikkei Future of Asia”, zv/kryeministri i Singaporit, Heng Swee Keat i bëri thirrje Washingtonit zyrtar që ta njohë Kinën si konkurrent të tij.

“Të dyja shtetet patjetër të rindërtojnë besimin në marrëdhëniet mes tyre. Këto janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe që janë kyçe në paqen e vazhdueshme dhe prosperitetet si në Azi ashtu edhe në botë”, citohet të ketë thënë Henga nga Channel News Asia.

Ai gjithashtu rikujtoi se për çdo marrëdhënie të qëndrueshme, të dyja palët duhet të japin diçka.

Të dyja shtetet janë përfshirë në një luftë të ashpër tregtare. SHBA-të gjithashtu u ndaluan kompanive të tyre që të bëjnë biznes me gjigantin kinez të teknologjisë Huawei.

“SHBA ka nevojë të përshtat dhe të njohë faktin që Kina është një konkurrent, është gjithashtu një partner i çmueshëm, i cili mund të ndajë përgjegjësinë e ofrimit të të mirave publike ndërkombëtare”, tha Heng.

“Të dyja palët patjetër të bëjnë përpjekje për të shmangur përshkallëzimin duke menaxhuar me politikat e tyre të brendshme. Çdo vend duhet të kuptojë kufizimet e brendshme dhe vijat e kuqe të palës tjetër që negociatat të jenë konstruktive”.

Zv/kryeministri i Singaporit shtoi se Washingtoni zyrtar patjetër të “pranojë që nuk ka opsion më të mirë pos të punojë me Kinën, për shkak se nëse tenton ta frenojë, do të ketë rezultate më të këqija”.

Ai gjithashtu tha se Kina duhet të kuptojë se rritja e rëndësisë së saj strategjike dhe ekonomike patjetër të përshtatet me përgjegjësi më të madhe ndërkombëtare.

Ai e përshkroi Iniciativën kineze “Brezi dhe Rruga” (BRI) si një hap pozitiv në këtë drejtim.

Më herët, kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad në një konferencë tha se vendi i tij nuk do të heq dorë nga përdorimi i teknologjisë së Huawei-t.

Ai i përkufizoi “si budallallëqe” luftërat ekonomike, që nuk i shërbejnë asnjë qëllimi dhe vetëm dëmtojnë progresin ekonomik.

Agjencia e lajmeve Bernama citon kryeministrin e Malajzisë të ketë thënë se bota patjetër të pranojë faktin që kinezët janë bërë shumë të pasur dhe po përdorin paratë e tyre për të forcuar pozitat e tyre.

“Po, Kina po eksporton shumë, por ju ishit të kërcënuar nga Kina kur ishte e varfër, ju gjithashtu kërcënoheni nga Kina kur është e pasur. Çfarë duhet të bëjnë ata? Ata nuk mund të qëndrojnë në mes”, tha Mohamad.

“Nëse e mbani mend, njëherë shtetet evropiane ishin shumë të fuqishme dhe ata pushtonin pjesën tjetër të botës. Kina akoma do të na pushtojë neve. Ne kemi bërë tregti me ta në 2.000 vitet e kaluara”, tha ai./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne