Lideri i MILF mbështet ligjin për autonomi të muslimanëve në Filipine

Lideri i Frontit Çlirimtar Islam Moro (MILF), Al-Hajj Murad Ebrahim ka përshëndetur miratimin e ligjit Bangsamoro i cili i jep autonomi të gjerë provincës Mindanao dhe ishujve përreth në Filipine, ku në masë të madhe jetojnë muslimanë.

Ebrahim në intervistën për Unionin e Gazetarëve të Huaj në Filipine, të cilën e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, miratimin e ligjit e cilësoi si një moment historik të ri në luftën revolucionare të popullit Moro.

“Pjesën e madhe të jetës sonë e ndamë për këtë luftë. Personalisht njeriu pyet vallë mund të dalim në pension por në të ardhmen do të përballemi me sfida të reja. Andaj që të jetë i suksesshëm ligji i Bangsamoros duhet të përpiqemi”, tha Ebrahim.

Ai shprehu bindjen se marrëveshja paqësore të cilën e kanë nënshkruar me qeverinë dhe hapat e ndërmarra për autonomi në këtë drejtim do të jenë të përhershëm, duke njoftuar se do të vazhdojnë mbështetjen për procesin e paqes derisa të shohin përparim.

“Miratimin e ligjit e shohim si një fillim të mirë por si MILF në këtë proces do të vazhdojmë konsultimet me popullin tonë. Çdo sukses është i mundshëm me mbështetjen e shumicës më të madhe të popullit tonë”, u shpreh ai.

Duke treguar se në fund të luftës 40 vjeçare do t’i kapërcejnë pengesat, Ebrahim tha se “Hapi që duhet të hedhim pas kësaj është referendumi”.

Turqia mbështeti normalizimin

Ebrahim tha se Turqia ka qenë një ndër shtetet e cila më së shumti ka mbështetur procesin e normalizimit.

Ligji i cili jep autonomi të gjerë provincës Mindanao u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit me një ditë vonesë. Tashmë për të hyrë në fuqi pret dekretimin e presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte.

Moro është emri i përbashkët i muslimanëve filipinas. Ligji ka për qëllim t’u japë një autonomi më të gjerë, ku administrata e provincës do të ketë autoritet më të gjerë politik dhe financiar, ndërsa pjesa nga të ardhurat e taksava kombëtare do të rritet në 5 për qind.

MILF është grupi më i madh i armatosur në mesin e popullit Moro në Filipine, ndërsa në vitin 2014 si rezultat i negociatave ishte marrë vendimi për përgatitjen e Ligjit Bangsamoro në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur me presidentin e asaj kohe Benigno Aquino III.

Moro-t në Filipine

Komunitetet musliman në arqipelagun Mindanao, Palawan dhe Sulu si dhe ishujt tjerë jugor të Filipineve quhen “Moro”.

Ata përbëjnë 11 për qind të popullsisë së Filipineve, ndërsa Islamin e kanë pranuar në shekullin e 14-të. Moro-t gjithashtu quhen edhe si Bangsamoro ose Bangsa Moro, që është grupi i dytë më i madh që nuk është katolik në Filipine, ndërsa në vete përfshin pjesëtarë të etniciteteve të ndryshme që flasin 13 gjuhë të ndryshme.

Moro-t deri në shekullin e 20-të jetonin në vendin e tyre të pavarur, ndërsa qindra vite zhvilluan luftë kundër spanjollëve dhe kolonizatorëve amerikanë. Në vitin 1946 me sundimin kolonial të SHBA-ve populli Moro humbi pavarësinë e tij.

Nga kjo datë, për të fituar sërish pavarësinë e tyre, muslimanët Moro filluan t’i përdorin negociatat si mënyrë politike. Por, këto negociata nuk dhanë rezultate dhe pasiqë sulmet që shënjestronin popullin musliman u shndërruan në spastrim etnik, pjesëtarët e popullit Moro për të mbrojtur veten në vitet 1970-ta vendosën të luftojnë me armë.

Në përleshjet mes forcave qeveritare dhe muslimanëve gjatë më shumë se 40 viteve humbën jetën mbi 120 mijë persona, ndërsa 2 milionë njerëz u bënë refugjatë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne