Lideri i VMRO-së, Mickoski: Jemi kundër marrëveshjes dhe ashtu do të mbetet

“VMRO-DPMNE-ja është kundër kësaj marrëveshje dhe ashtu do të mbetet”, kështu ka deklaruar lideri i opozitares maqedonase, Hristijan Mickoski dy ditë para seancës plenare kur ndryshimet kushtetuese që parashihen me marrëveshjen Maqedoni – Greqi duhet të kalojnë leximin e parë.

Lideri Mickoski ka thënë se deputetët duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të shprehur në referendumin e 30-shtatorit.

“Edhe njëherë ju përkujtoj se Qeveria, Kuvendi dhe çdo njëri deputet e ka përgjegjësinë të punojë dhe veprojë në pajtueshmëri me vullnetin e popullit. Kurse vullneti i popullit është i qartë dhe pa hamendje u shpreh në referendum”, tha Mickoski.

Mickoski ka vlerësuar se kriza politike në Maqedoni nuk erdhi se pse dështoi referendumi, por se nuk u hedh poshtë marrëveshja.

“Burimi i krizës që po ndodh tash, ndodh për shkak se nuk u hedh poshtë marrëveshja me Greqinë, nuk është as referendumi i dështuar, por vetë qeveria e Zoran Zaevit të cilët duhet të ikin që Maqedonia të fitojë. Kurse besoj, se me fuqinë e popullit, vendosmërinë dhe pjekurinë e përbashkët, Maqedonia do të fitojë, dhe të gjithë bashkë do të mundohemi për stabilitet, ardhmëri evropiane dhe dinjitet të mbrojtur”, tha Mickoski.

Kjo deklaratë e Mickoskit vjen dy ditë para leximit të parë të ndryshimeve kushtetuese, që do të jetë në rend dite të seancës së 61-të të Kuvendit të Maqedonisë. Ndryshimet kushtetuese vijnë me propozim të Qeverisë së Maqedonisë dhe parashihen me marrëveshjen e nënshkruar në Prespë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Që të kalojë leximi i parë, duhet vota “për” e 80 deputetëve, që jozyrtarisht thuhet se është siguruar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne