“Lidhja e Prizrenit”, pronë e Bashkësisë Islame!

Shkruan: Dr. Orhan Bislimaj, kryeimam i BIK, Prizren

Kush nuk e ka ditur, le të dijë se Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklisë), ka qenë pronë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Kjo ka vazhduar deri në vitet ’80-ta të shekullit të kaluar, kur bëhet ndarja e kompleksit të Lidhjes nga xhamia e Bajraklisë.

Ky tjetërsim i pronës, në mënyrë detyruese, nuk ishte thjeshtë një proces shpronësimi, por mbi të gjitha, një tendencë për abstrahimin e dimenzionit fetar islam, e sidomos të rolit të xhamisë, në kryengritjen e Lidhjes. Sepse, pushtetarët e kohës, një gjë të tillë, nuk e bënë dhe për Hamamin e Prizrenit, i cili vazhdon të mbetet pronë e Bashkësisë Islame, por e bënë për Lidhjen!?

Lidhja e Prizrenit, përtej faktit si një kryengritje panshqiptare, për mbrojtjen e Shqipërisë, ajo gjithësesi, brenda saj, përmban dhe një dimension islam të padiskutueshëm. Këtë e pranojnë edhe studiuesit ndërkombëtarë, Noel Malcom, Christine von Kohl-i, etj. Nëse e lexojmë “Kararnamenë”, si një akt, që përmban vendimet e Kuvendit të Lidhjes, do të vërejmë, këtë që e themi. Përveç sheriatit për sistem ligjor, aty tregohet lojaliteti ndaj Qeverisë, si dhe, duket edhe pjesëmarja e vëllezërve muslimanë nga Bosnja, e që dëshmon se Lidhja përmbante brenda saj edhe aleancën islame, si një antipod kundër pansllavizmit, që shtrihej nga fqinjët e afërt e deri te Rusia. Sa kaq, të gjithë e dinë, se Lidhjes i ka paraprirë, iniciativa e ylemave të kohës, që njihej si “Komuniteti i muhamedanëve të mirëfilltë”, në krye me Myderris Ymer Prizrenin. Në takimet e tyre, ngjizet ideja e Lidhjes! Pastaj, kjo ide, ka dalë në përmasa gjithëpërfshirëse, si një lëvizje nacionale, politico-ushtarake, që përfshinte katër vilajetet shqiptare. Edhe më tej, jo rastësisht në krye të Lidhjes ishte Myderris Ymer Prizreni dhe jo rastësisht, Kuvendi i Lidhjes ishte mbajtur në xhami, e që kishte vazhduar pastaj, në disa raste edhe në teqenë te Marashi, në Prizren. Të gjitha, kanë qenë veprime të natyrshme, nëse e kemi parasysh kohën kur janë zhvilluar. Në fund të “Kararnamesë”, thuhet: “Në bazë të besës së lidhur nga bu­rrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Ju­gut dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën dhe që për Din, Devlet dhe Vatan japin je­tën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet të Lidh­jes.” Kjo pikë, flet mjaft shumë!

Prandaj, sot kur e kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, duhet ta lexojmë drejtë atë deri te mesazhet e çlirimit të Kosovës në vitin 1999, pa devijime historike. Sepse, vetëm kështu e përjetojmë si një kapital të pavdekshëm. Tekstet shkollore, që e shtrembërojnë të vërtetën e Lidhjes, duhet t’i përmirësojmë sa më parë, duke vendosur aty edhe xhaminë si një vend ku është mbajtur Lidhja, sepse kjo është e vërteta. Po ashtu, nuk duhet t’u themi fëmijëve, se ideja e Lidhjes ishte për çlirim nga Perandoria Osmane, siç po thuhet aty-këtu, sepse kjo i bie, sikur sot të thuhet se Kosova dshiron të largohet prej Europes dhe Amerikës!? Përkundrazi, atyre t’u thuhet se Lidhja ishte një kryengritje serioze popullore shqiptare, për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare, cep e n’cep, nga sllavët, në kohën kur Perandoria Osmane, nuk mund ta mbronte veten e saj, sidomos pas nënshkrimit të humbjes në Traktatin e Shën Stefanit, më datë 03 Mars 1878, i cili u rishikua në Kongresin e Berlinit, 13 qershor – 13 korrik 1878. Historia e vërtetë është mësim cilësor, ndërsa e kundërta e saj është përrallë. Apo siç e kishte merak, rahmetli Esat Stavileci, një aforizëm: “Historia është mësuese e njerëzimit, por erdhën ca maniakë dhe e dhunuan mësuesen!”.

Urime, përvjetori i Lidhjes dhe i çlirimit…! /indeksonline

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne