Liga Arabe reagon kundër implementimit të planeve izraelite për judaizimin e Jerusalemit

Liga Arabe reagoi mbrëmjen e së mërkurës kundër implementimit të planeve izraelite për judaizimin e Jerusalemit.

Saeed Abu Ali, nënsekretar i përgjithshëm i Ligës Arabe për Çështjet e Palestinës dhe Tokave Arabe të Pushtuara, publikoi një deklaratë të shkruar me rastin e 50-vjetorit të djegies së Xhamisë al-Aksa nga çifutët fanatikë.

“Autoritetet e Izraelit pushtues vazhdojnë të zbatojnë planet e tyre për judaizimin e Jerusalemit dhe të vendosin në shënjestër sistematikisht Jerusalemin dhe të shenjtat e myslimanëve e të krishterëve. Në krye të këtyre shkeljeve vijnë pikërisht bastisjet e përditshme ndaj Haram al-Sharifit përmes vendimeve zyrtare dhe patronazhit të autoriteteve izraelite”, shprehet Abu Ali në këtë deklaratë.

Duke theksuar se “Izraeli synon të ndryshojë statusin historik e ligjor për të judaizuar dhe ndarë Haram al-Sharifin me mbështetjen gjithëpërfshirëse të SHBA-së”, nënsekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të përmbushë përgjegjësitë e saj për të ndalur sulmet e vazhdueshme të Izraelit dhe garantuar mbrojtjen e nevojshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund pushtimit.

Edhe pse kanë kaluar 50 vjet që kur çifuti ekstremist australian, Denis Michael Rohan, i vuri zjarrin Xhamisë al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar më 21 gusht 1969, palestinezët thonë se kjo faltore e shenjtë vazhdon të mbulohet nga flakët.

Zjarri i vitit 1969 shkatërroi gati 1/3 e Xhamisë së Kiblesë, në Kompleksin al-Aksa, duke përfshirë mihrabin e kalifit mysliman Omar bin al-Hatab, minberin e çmuar 1.000-vjeçar të Salaudinit ngadhënjimtar të Jerusalemit, pjesën e brendshme të dekoruar dhe kupolën e praruar prej druri.

Çifutët vazhdojnë gërmimet nën Kompleksin al-Aksa – e cila formohet nga Xhamia e Kiblesë, Xhamia e Kupolës së Shkëmbit, muzeu, medresetë dhe një oborr madhështor – me pretendimin se atje “gjenden rrënojat e Tempullit të Sulejmanit”. Ata e përdorin këtë edhe si argument për të fituar të drejtën e adhurimit në Xhaminë al-Aksa. Status-kuoja në Haram al-Sharif lejon kryerjen e riteve fetare vetëm për myslimanët në Xhaminë al-Aksa, për të cilën kujdeset Administrata e Fondacioneve Islame të Jerusalemit, një agjenci shtetërore e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne