Shqiperia

Ligji i ri, ja kush përfiton nga falja e gjobave tatimore e doganore

Ligji “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore” i publikuar më 21 prill në Fletoren Zyrtare, hyn në fuqi më 6 maj 2017.

Cilat subjekte përfitojnë?

Nga përcaktimet e parashikuara në këtë ligj përfitojnë:

a) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore;

b) subjektet debitore ndaj administratës doganore për detyrime;

c) subjektet pronare të mjeteve të transportit.

Subjektet që nuk përfitojnë

Nga fshirja/shuarja e detyrimeve të parashikuara sipas këtij ligji nuk përfitojnë subjektet që kanë detyrime tatimore/doganore, të cilat janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore.

Detyrimet tatimore që fshihen pa kusht

Fshihen/shuhen pa kusht, detyrimet tatimore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë të cilat:

1. Rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Detyrimet e papaguara për sistemin e taksave vendore.

3. Dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore.

Detyrimet tatimore që fshihen me kusht

1. Fshihen/shuhen: gjobat e kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:

a) detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;

b) kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;

c) taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011 – Dhjetor 2014.

Kjo procedurë zbatohet edhe në rastin kur tatimi/taksa/tarifa/kontributi është paguar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Fshirja/shuarja e detyrimeve të tjera

Fshihen/shuhen, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore së cilës i përkasin:

a) detyrimet tatimore, përfshirë tatimin/kontributin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridikë që rezultojnë të çregjistruar në QKB me vendim gjykate apo që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

b) dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve;

c) dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara, të llogaritura deri në datën 31.12.2016;

ç) dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2017;

d) dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet akt-konstatimit, deri në datën 31.12.2016;

dh) dënimet administrative (gjobat) të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese;

e) Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetëdeklaruara dhe të papaguara, të shoqërive që operojnë në sektorin elektroenergjetik dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12.2013.

Por duhet pasur kujdes: Gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve dhe detyrimet e vetëdeklaruara për këto periudha, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi. Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën janar deri në dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi;

ë) Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100% me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12 2013. Gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve për këto periudha fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë kontributi. Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën janar deri në dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi;

f) fshihen/shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara, të regjistruara ose jo apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që, në çdo rast, aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014;

g) fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që i përkasin periudhave nga 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, me kusht pagesën e kontributeve brenda datës 31.12.2017.

Kompensimi i detyrimeve debitore

Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar. Në rastet kur teprica nuk e mbulon vlerën e plotë të tatimit të papaguar, atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur dhe më pas bëhet fshirja/shuarja e dënimeve administrative.

Përcaktimet e këtij neni për kompensimin zbatohen automatikisht, pa kontroll, përveç rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, për të cilat ky nen zbatohet kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.

Duhet pasur kujdes: Kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; detyrimet tatimore që janë në proces ankimi. Subjekti, i cili është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor për detyrimet tatimore, i nënshtrohet këtij ligji nëse ai heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës administrative kompetente.

Procedurat e mbledhjes së detyrimeve

Administrata tatimore, për detyrimet që fshihen/shuhen, sipas këtij ligji, në rastin kur i ka filluar, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve. Për detyrimet tatimore që nuk përfitojnë nga falja, sipas këtij ligji, procedurat e mbledhjes së detyrimeve vijojnë të kryhen sipas përcaktimeve në ligjin e procedurave tatimore.

Heqja nga qarkullimi e mjeteve

Hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim. Heqja nga qarkullimi i këtyre mjeteve bëhet pasi fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, taksa vjetore e qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave.

Subjektet/personat përgjegjës kanë të drejtë që, brenda datës 31.12.2017, të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij. Personave, të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen/shuhen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen/shuhen.

Nëse brenda datës 31.12.2017, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të kryejë, pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të tij.

Afati i zbatimit

E drejta e subjekteve që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji ushtrohet brenda datës 31.12.2017. Subjektet, për të cilat fshirja/shuarja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje/shuarje të detyrimit nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.

Subjektet, të cilat sipas një vendimi të administratave përkatëse nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja, sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative, sipas legjislacionit të fushës në fuqi.

Etiketa

OPINIONE