Shqiperia

Lirimi i anëtarëve të bandave, Etilda Gjonaj heq përgjegjësitë nga qeveria e ministria

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka deklaruar se ministria dhe qeveria nuk kanë përgjegjësi për lirimin e parakohshëm nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm si Endrit Dokle e Lulzim Berisha.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë dje me gazetaren Ilva Tare, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh:

“Qeveria dhe unë si ministre kam marrë disa masa që jo vetëm të ndëshkohet rasti, por edhe të parandalohen raste të tilla të ngjashme. Nëse i rikthehem lirimit të Endrit Dokles, e kuptoj reagimin publik, por Ministrisë e Drejtësisë nuk ka asnjë lloj kompetence në sistemin e Drejtësisë me reformën në drejtësi.”

Ministrja tha se ajo ka marrë masa për të ndëshkuar zyrtarët që shkelin ligjin në këto raste:

“Një urdhër për gjithë Shërbimin e Provës; nga sot nuk kanë të drejtë të çojnë raportin në gjykatë për të dënuarit mbi 15 vjet pa u miratuar më parë nga drejtoritë e përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë. Ajo që është bërë në burgje me vite nuk ka ndodhur. Më parë jo vetëm jepeshin rekomandime, por liroheshin të dënuar për një kohë të caktuar dhe ktheheshin prapë brenda.

Sot mund të ketë raste sporadike ku administrata e burgjeve mund të çedojë, por e rëndësishme është që ka edhe masa ndëshkuese.”

Në një tjetër studio televizive, dje në mbrëmje, deklaratave të Zonjës gjonaj i është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, i cili u shpreh se në shumë raste këtyrë të burgosurve i është dhënë garanci nga qeveria Rama dhe administrata publike:

“Ka një tendencë, të paktën të vitit të fundit, të lirimit nga burgu para kohe apo ulje të dënimit të atyre që kanë qene me dënim me burgim të përjetshëm dhe që kanë qenë anëtarë të bandave më famëkeqe në vend. 

Nuk është vetëm përgjegjësia e gjyqtarëve kjo çështje.

Para se të shkojmë deri tek gjyqtari duhen plotësuar ca letra njëherë nga administrata në varësi të Ramës. Ne kemi rastet e krybashkiakëve që lëshojnë vërtetime që të dënuarit me dënim të përjetshëm…

Pa diskutim, po ka disa dokumente e disa kritere që duhen të plotësohen, por që të plotësohet ky dokumentacion, rol aktiv luajnë në të gjithë këtë luan administrata publike.

Kush doli garant për punësimin e Lul Berishës? Doli Vangjush Dako. Rama i përdor në zgjedhje, të mos bëjmë tani sikur nuk e dimë, Këta janë individët që nga burgu kanë kërcënuar votues në zgjedhjet e shkuara sot janë jashtë burgut për të bërë fushatën për PS.”

Në tre vitet e fundit kanë përfituar nga liria me kusht disa personazhe të njohur si anëtarësh bandash të rrezikmedhe të dënuar për krime të rënda vrasje, trafik droge dhe organizatë kriminale. Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, u lirua nga burgu në fund të 2016 me garanci se do të punonte në Bashkinë Durrës. Pas tij u liruan Elidon Kotorri, Gerd Gjinerari, Lulzim Caka, Viktor Ymeri dhe Genc Tafili.

Sardian Sulejmanin, ish-anëtar i bandave të Durrësit, u lirua më 11 tetor të vitit 2019, edhe pse atij i kishte mbetur edhe më shumë se 4 vite burg për të kryer nga dënimi prej 25 vitesh.

Pak ditë më parë u lirua dhe Endrit Dokle, një ndër drejtuesit e tjerë të Bandës së Durrësit, dënuar me 4 burgime të përjetshme./Exit

OPINIONE