Shqiperia

Lirimi i Kajmakut/ Bardhi: Gjithçka e llogaritur që të mos vuante asnjë ditë burg lulishtari i Ramës në Surrel

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzon qeverinë dhe drejtësinë se me një skenar mafioz lanë të lirë në 24 orë ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.

Bardhi shkruan se skenari fillonte me Policinë që gjoja e arrestoi pasi 7 muajsh arrati, dhe më pas gjithçka u llogarit në mënyrë të tillë që Kajmaku mos vuante asnjë ditë burg.

Në fakt, ka qenë PD që denoncoi me dokumenta ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, për një fshehje në formularin e dekriminalizimit për një dënim të mëparshëm në Greqi. Prej nëntorit për këtë shkelje ligjore, Agim Kajmaku u shpall në kërkim derisa ra në prangat e Policisë një ditë më parë pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital privat në Tiranë.

Por tashmë akuza qëndron por Kajmaku është lënë në detyrim paraqitje, edhe pse nuk i ka mbyllur ende hesapet me drejtësinë.

STATUSI NGA GAZMENT BARDHI

Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.

Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti i Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!/Tpz

OPINIONE

INTERVISTA