Rajoni

Lirohen dy pjesëtarët e FSK-së të arrestuar nga Serbia

Dy pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komunitetit serb të arrestuar nga Serbia të premten , janë liruar.

Lajmin e ka konfirmuar  Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili ka thënë se lirimi i tyre është bërë dje, në orën 10:00.

Për ndalimin e pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë pas kalimit të pikës kufitare në Bërnjak, të premten kishte reaguar dhe MPJ e Kosovës.

Kjo ministri në reagimin e saj kishte shprehur indinjatën për sjelljet e Serbisë.

 “Ministria e Punëve të Jashtme proteston për sjelljet e tilla të pahijshme dhe tendencioze ndaj pjesëtarëve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK-së dhe të komunitetit serb të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.

Ndryshe, arrestimi i pjesëtarëve të FSK-së nga ana e Serbisë nuk është rasti i  vetëm. Pjesëtarët e Policisë serbe vite më parë kishin arrestuar edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në kufirin Kosovë- Serbi.

OPINIONE

INTERVISTA