Lirohen me kusht 3 turqit e arrestuar nga forcat izraelite në Jerusalemin Lindor

Tre qytetarë turq, të cilët u arrestuan të premten nga forcat izraelite në Xhaminë al-Aksa, janë liruar me kusht nga një gjykatë izraelite të shtunën në mbrëmje.

Dy prej shtetasve turq – Abdullah Kizilirmak dhe Mehmet Kargili – janë akuzuar për “ushtrim force ndaj policisë izraelite dhe rezistencë”.

I treti – Adem Koc – është akuzuar për “prishje të rendit publik dhe pjesëmarrje në një demonstratë të paligjshme”.

Ndërkaq, turqve u është ndaluar deri më datë 1 janar 2018 hyrja në zonën e Qytetit të Vjetër, pjesa brenda mureve rrethuese të Jerusalemit Lindor nën pushtimin izraelit, ku ndodhet edhe Xhamia al-Aksa.

Bëhet e ditur se në këtë seancë gjyqësore, e cila është ndjekur nga diplomatë të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tel-Aviv dhe Konsullatës së Përgjithshme në Jerusalem, nuk ka marrë pjesë asnjë zyrtar nga misioni diplomatik i Belgjikës; megjithatë ka pasur një interesim të lartë nga media vendase dhe ndërkombëtare.

Më 6 dhjetor, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi vendimin e tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit pavarësisht kundërshtimeve në mbarë botën.

Vendimi nxiti demonstrata dhe zemërim në të gjithë botën myslimane e jo vetëm. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe zyrtarë të tjerë të lartë turq kanë qenë në ballë të opozitës ndërkombëtare kundër vendimit të SHBA-së.

Të enjten, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash (128 pro dhe 9 kundër) një rezolutë kundër vendimit të Trumpit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne