Shqiperia

Lirohet nga detyra Ambasadori shqiptar në Katar me pasuri marramendëse

Presidenti Ilir Meta dekreton lirimin nga detyra të z. Edmond Çaça, Ambasador në Shtetin e Katarit, resident.

Çaça ishte emëruar në këtë detyrë në 2014 me dekret të Presidentit Nishani.

Kush ishte ambasadori Çaça, i përfolur për pasuri të jashtëzakonshme?

Edmond Çaça ishte një ndër ambasadorët shqiptarë më të përfolur, lidhur me pasurinë e tij të jashtëzakonshme, e cila ka kaluar në ‘skanerin’ e verifikimit nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Në një shkrim të më shumë se një vit më parë Shqiptarja.com zbardhi detaje mbi pasurinë e tij, ku në deklaratën e pasurisë së ambasadorit Edmond Çaça dhe bashkëshortja e tij, Bjanka Ceka, të depozituar në ILDKPKI, kanë deklaruar se janë pronarë të disa apartamenteve, të disa llogarive bankare, që sipas tyre, kanë rrjedhur si rezultat i punës së zhvilluar në vendet e botës arabe dhe kursime nga familjarët.

Mirëpo në deklaratat e pasurisë janë dhe disa dhurata tepër të shtrenjta, ku bëhet fjalë për një automjet tip “BMË 740 LI” e dhuruar nga një mik i Edmond Çaçës nga Dubai. Makina ka një vlerë prej 60 mijë euro, ndërkohë që sipas Çaçës ky automjet më pas është shitur prej tij, duke blerë një makinë tjetër prej 30 mijë euro të tipit “Infinity”.

Më tej Çaça dhe bashkëshortja e tij Bjanka Ceka deklarojnë se disponojnë në formë dhurate ora “Rolex” dhe “Breitling” me vlerë financiare prej 12 mijë euro të dhuruara nga Emiri i Kuvajtit dhe Emiri i Katarit gjatë vizitave të bëra nga Bamir Topi në 2012 dhe Edi Rama në Katar në 2014. Ambasadori dhe bashkëshortja e tij disponojnë dhe disa llogari bankare me shifra financiare të konsiderueshme.

 

OPINIONE