Lista e oficerëve të Arta Markut, vëllezër, nipa dhe gra të zyrtarëve të lartë

Një komision i përbërë nga tre anëtarë nga Prokuroria e Përgjithshme, ka shpallur 27 fituesit e parë që konkuronin për Oficerë të Policisë Gjyqësore. 27 fituesit kanë dalë në krye të listës, gjatë një konkurimi mes 171 kandidatëve që ishin pranuar në fazën e dytë të garës, duke kryer dhe procedurën e intervistimit në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme. Lista e firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku, dhe e publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme është e mbushur me emra të njohur, ku me sa duket ndikim të madh duhet të ketë pasur dhe ndërhyrjet politike dhe kunjukturat e brendshme në Prokurorinë e Përgjithshme, në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit (Vetting) dhe në sistemin gjyqësor. Në listë bien në sy emra të personave që kanë punuar në prokurorinë e Shkodrës, në prokurorinë e Tiranës dhe tek Krimet e Rënda.

I pari që qëndron në krye të listës është Arben Jorgaqi, një ish-oficer në prokurorinë e Vlorës dhe i shkarkuar nga ish-kryeprokurori i Vlorës Ramadan Troci, me motivacion mosparaqitje në punë. Më pas Jorgaqi ndërmori një sulm mediatik ndaj Trocit dhe Llallës në vitin 2017.Por në vitin 2018 Arben Jorgaqi arrin të depërtojë në institucionin e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, duke shërbyer si këshilltar ligjor pranë një trupe gjyqësore, dhe siç mëson “Shqiptarja.com”, pikërisht pranë trupës gjyqësore që kishte në verifikim dhe shqyrtim dosjen e Artan Markut në Vetting, të cilën e kaloi me sukses.

Në rrethana ende të paqarta Jorgaqi është dorëhequr nga KPK, por tashmë është bërë pjesë e oficerëve të prokurorisë, pasi që prej 31 majit 2019, është shpallur i pari fitues me 100 pikë të plota në listën prej 27 personave. I dyti me 100 pikë është renditur djali i prokurorit të ndjerë Xhevat Hana, Rezart Hana. Më tej lista emërore e fituesve është me 98 pikë, ku e treta është renditur Esmeralda Xholi, sekretare në prokurorinë e Tiranës, njëherësh bashkëshortja e prokurorit Adnand Xholi. Poshtë saj me 98 pikë renditet, Armando Felaj, vëllai i deputetes së Partisë Socialiste Ermonela Felaj. Burri i kësaj të fundit, një muaj më parë u emërua prokuror pranë prokurorisë së Tiranës, pasi kishte fituar procesin gjyqësor në gjykatën administrative.

Një muaj pas burrit, Felaj, rregullon dhe vëllain në sistemin e prokurorisë. E shtata në listën e fituesve është renditur Valbona Kalaci nga Shkodra, me detyrë sekretare gjyqësore pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, më konkretisht sekretare e gjyqtarit Fuat Vjerdha. I 14-ti në listën e fituesve është renditur Real Qeleshi, djali i avokatit Arben Qeleshi, njëherësh vëllai i Joana Qeleshit, kryetares së Gjykatës së Durrësit.E 18-ta është renditur Esmeralda Qafa, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e gjyqtarit të Administratives Arjan Qafa. E 22-ta është rradhitur Anila Veliu që dyshohet se është një e afërme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Më pas lista e fituesve vijon me Shiqiri Manjanin nga Dibra, i cili sipas burimeve të “Shqiptarja.com” është nipi i ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. Një tjetër emër në listën e fituesve është Gentian Ndoi që rezulton të jetë burri i prokurores Afërdita Ndoi, të cilën KLP-ja e promovoi duke e bërë drejtuese të Prokurorisë së Apelit në Durrës. Ndërsa i fundi që ka fituar është Ermal Kaçkini, vëllai i Besart Kaçkinit, gjyqtarit të gjykatës Administrative në Tiranë. Ibrahim Saliko, djali Hysen Salikos gjyqtar në Apelin Vlorë dhe ish-anëtar i KLD-së. Nga fillimi i këtj viti, punonjësit e kësaj strukture kanë një pagë mujore prej 160 mijë lekësh të rinj për shkak të hyrjes në fuqi të paketës së reformës në drejtësi e cila parashikon se paga e oficerëve të policisë gjyqësore është sa 60 për qind e rrogës mujore të prokurorëve.

EMRAT E OPGJ-VE TË RINJ 
ARBEN JORGAQI
REZART HANA
ESMERALDA XHOLI
ARMANDO FELAJ
ILIR LIÇO
ENI KODRA
VALBONA KALAÇI
ARTOR MUJA
ILIR NDREA
IBRAHIM SALIKO
HAMIT KASEMI
ÇLIRIM HALILI
ORJANA CUFAJ
RAEL QELESHI
BASRI HADROI
BENARDIN NDOJ
ERISELDA SHAHMANI
KLODJANA QAFA
KLODJAN HAXHILLARI
DIANA TAHIRAGA
KUJTIM ZENELAJ
ANILA VELIU
SHIQIRI MANJANI
IBRAHIM HOXHA
GENTIAN NDOI
LEONORA NDREU
ERMAL KACKINI

 

 

 

 

 

burimi:/shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne