Listat e Shkodrës

Andis Muka

Qarku i Shkodrës ka tërhequr disa komente këto ditë. Duke qenë së janë paraqitur ose si analiza krahasuese, në bazë të statistikave zgjedhore 2009-2015, mbi të cilat mund të ndërtohen hipoteza leximi të 25 qershorit, ose janë fokusuar vetëm te lista e Partisë Demokratike, që sigurisht prodhoi debate, propozojmë këtu një panoramë më të gjerë.

Zaptimi

Ndër tri forcat që pretendojnë poltrona parlamentare nga elektorati i Qarkut të Shkodrës, LSI-ja është më dinamikja dhe më pretenduesja, duke konsideruar edhe suksesin në 2009 (2,800 vota), 2013 (13,000 vota), 2015 (ka një anëtar më shumë në Këshillin bashkiak se sa PS-ja). Të krijon përshtypjen e një sipërmarrjeje private dhe de facto ashtu është, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, ku drejtohet nga deputeti Agron Çela, biznesi më i spikatur i cilit është i vetmi hotel me 5 yje i qytetit, i shtrirë tërësisht në lulishten publike kryesore të Shkodrës (bashkë me barin, këndin e lojërave dhe madje parkingun brenda në lulishte), mu në qendër, dy hapa nga Bashkia. Ngjitur me këtë të fundit (pa hyrë në detaje të tjera), në një tjetër lulishte publike, ngrihet media private, e të njëjtit subjekt, e cila propagandon sukseset e LSI-së dhe vizionin për të ardhmen e rinisë, target-grupi më i synuar prej saj, që shpreson të ndërtohet duke u punësuar në administratën publike (ç’rini, ç’e ardhme!), kur partia e mbështetur të vijë në pushtet. Pra, nga zaptimi i lulishteve në zaptimin e administratës. Ky është thelbi i lavdisë: programi dhe emrat nuk kanë rëndësi. Natyrisht, përveç emrit të kryesuesit dhe sfondit të kreshnikëve (legjendave të viteve ’80 dhe atyre që prodhoi 1997).

Mashtrimi

Partia Socialiste prezantohet me një nga fytyrat simbol të Rilindjes së dështuar, Ditmir Bushatin. Arritjet e Bushatit në Ministrinë e Jashtme i përjeton çdo votues potencial i tij kur drejtohet për në Malin e Zi: për një drejtues mjeti kërkohet një sigurim (minimumi) dyjavor, që i paguar në Shqipërinë e Rilindjes kushton 40€ (dy herë më shumë se në Shqipërinë e Berishës), ndërsa i paguar në shtetin fqinj kushton 15€, gati sa shuma e një sigurimi vjetor të votuesit malazez që kalon kufirin me makinë. Në këtë pikë dhe në radhën e pafundme doganore mund të kishte gjetur kohën për të ndërhyrë Ministri i Jashtëm në 4 vite, ndërsa angazhimi i tij për paqen në Afganistan mbetet i pakapshëm për votuesin e Qarkut – përfshi edhe ata të verbrit që e votojnë si djali i Sul Bushatit – megjithëse është më e besueshme një paqe e tillë se sa 300 mijë vendet e punës së Rilindjes, që me cinizëm Ministri vijon t’u mbivendosë premtime të tjera po aq qesharake. Emrat e spikatur të klaneve që pasojnë Bushatin në listën e sigurt (Sterkaj e Harushaj) janë dëshmi e mosndarjes së PS-së nga flirti me ambientet e errëta, me gjithë frakturën e shkaktuar nga Tom Doshi në këtë atmosferë kambizmi votash dhe pushteti. Një ndër familjet me precedentë më të lartë kriminaliteti në qytet e rrethina siguron vota për Rilindjen. E rëndësishme: mekanizmat e qëndrimit në pushtet kanë programuar sërish një paketë koncesionesh ndaj këtyre ambienteve.

Turbullimi

Partia Demokratike, që Shkodrën e konsideron bastion, edhe pse të humbur de juro në 2013 falë drejtimit të Jozefina Topallit, paraqitet me një listë dyzuese që ka shkaktuar jo pak kundërshtime, sidomos nga një habitat amebash klienteliste, i cili, i mykur në poste publike, lëshime, tendera e karrierizëm, mbjell pakënaqësi ndaj Lulzim Bashës. Këtu, sa për ilustrim, kanalizohen thumbimet e kategorisë së drejtoreshës që kryesoi çështjet e arsimit në 8 vitet e miopisë autoritare të Topallit, pa u cenuar aspak nga 7 mijë eurot e kërkuara për një vend pune në arsim, të cilat pjesërisht kanë kontribuar edhe në ngritjen e 7 kateve beton dy hapa prej Muzeut Historik, si dëshmi e dashurisë së këtij soji për Shkodrën. Ka të drejtë Fatlum Nurja (këshilltar bashkiak) kur pohon se investimet në Bashkinë e Shkodrës siguroheshin nga Topalli e jo nga Lorenc Luka (8 vite kryetar i saj), por shpërndarja e tyre, projektet dhe xhepat vetëm sa firmoseshin nga Luka.

Kullimi

Vendimi i guximshëm i Bashës për ta ndryshuar këtë kënetëzim të partisë dhe publikes mund të përshëndetet vetëm në mënjanimin e Topallit, e cila në reagimet e saj konfirmoi privatizimin, kurse lista në vetvete frymëzon pak garanci përmbysjeje. Një Luka i konvertuar në deputet është gati-gati më ofendues se prania e Nard Ndokës në listën e sigurt, apo e Bardh Spahisë, që është në politikë për meritë të mbiemrit. Akoma më keq është kryesimi i listës. Përtej ambicies së shfrenuar të Romeo Gurakuqit, sjelljes autoritare e cinike me shtresën jetime e të çarmatosur të studentëve (që sidoqoftë janë më se të mjaftueshme për ta parashikuar frymën e drejtimit të ri të PD-së në Shkodrën e 4 viteve të ardhshme), shqetësojnë më shumë qëndrimet e tij të bëra publike rregullisht, deri edhe në faqet e Panoramës, ku ai kërkon haptazi kuota pushteti për bashkësinë fetare (Panorama:13.12.2013), ku quan Tom Doshin “zë i lirisë dhe i të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqipërisë Veriperëndimore” (11.03.2015), ku herë është liberal (12.02.2015) e herë shprehës i një konservatorizmi krahinarist (17.03.16). Gurakuqi kryeson listën e një force politike kombëtare, lyp votat e tërë Qarkut, por shpall se përfaqëson interesa sektare, çka në fakt Spahia, për shembull, nuk bën (e as ka shtyllë kurrizore për ta bërë), ndonëse i shitet elektoratit sikur po respektohet Alia. Preferenca ndaj një liste të tillë mund të jetë fryt vetëm i kombinimit mes vullnetit për të mbështetur Bashën dhe vendosmërisë për t’i dhënë fund ciklit të Rilindjes.

Individi

Listat e tjera janë thjesht kryesuesit. PSD e PDIU në Shkodër kanë imazhin e Tom Doshit dhe Sait Fishtës. Nga njëra anë biznesi i errët dhe nga tjetra biznesi literalisht nën dritën e diellit, përtej pahijeshisë së fasadave portokalli; nga njëra anë zgjatimi i kopesë që, duke mos njohur ligje, dhunon, frikëson e rrezikon llojin njerëzor, nga ana tjetër familja e familjariteti me disa vlera e norma, ose të paktën zë, figurë e sjellje që nuk prodhojnë ndjenja frike. Duket si përballja atavike mes të keqes dhe të mirës. E në fakt, për si janë katandisur politika dhe shoqëria shqiptare, togfjalëshi ‘njeri i mirë’ është maksimumi i kërkuar, edhe nëse e mira varfërohet në disa elemente bazë, edhe nëse nuk është garanci e një përfaqësimi në nivelin e duhur. Por, në këtë rast, ç’mund të jetë vallë ‘e duhura’ kur është bjerrë kuptimi i ‘të mirës’?/ pb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne