Shqiperia

Llalla dhe familja e tij shpallen “non grata” nga SHBA

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adratik Llalla dhe familja e tij janë shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. Vendimi u mor nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson dhe u bë publik të mërkurën. Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Sipas Zërit të Amerikës, ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Adriatik Llalla para pak ditësh hoqi dorë edhe nga e drejta për të zgjedhur gjyqtar i Apelit duke iu shmangur kësisoj Vetting-ut. Marrëdhëniet e tij me ambasadën amerikane nëe Tiranë kanë qenë tejet të ndera. Selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara e akuzoi drejtëpërdrejtë se nuk ka ndërmarrë veprime për të hetuar zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion.