Lobimi i PD, Dhurata Çupi: Prokuroria po përdoret politikisht

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, nga rubrika “Opinion” në News 24 tha se, me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje lokale dhe as të përgjithshme.

Ajo foli edhe për dy letërporositë e ardhura nga SHBA dhe Skocia, ndërsa tha se PD-ja nuk ka fshehur asgjë dhe të gjitha shpenzimet janë deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Çupit, Prokuroria e Tiranës ka bërë veprime të paprecedenta duke shtuar se ka nxjerrë përfundime pa kryer më parë asnjë hetim mbi rastin e pretenduar për lobimin e selisë blu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lidhjet e mundshme me Rusinë.

“Basha ka deklaruar para mediave ashtu siç ka deklaruar edhe në Prokurori. Është hera e parë që Prokuroria ka nxjerrë përfundime pa bërë hetime. Letër porositë e ardhura si nga SHBA ashtu edhe nga Skocia, janë porosi që janë deklaruar edhe në faqen zyrtare. Konkluzionet e Prokurorisë janë të paprecedenta përgjatë 30 viteve demokraci. Prokuroria po përdoret politikisht”, tha ajo.

Ajo foli edhe për aksionet politike dhe protesta e opozitës së bashkuar. Demokratja theksoi mes tjerash se qytetarët shqiptarë po tregojnë nga dita në ditë se janë të pa përfaqësuar nga kjo maxhorancë. Por ndryshe nga herët e tjera, PD-ja ka vendosur për protestë kombëtare me 13 prill, e cila do të fillojë në orën 18:00, ndërsa Çupi tha se kjo orë është vendosur për të shmangur temperaturat e larta.

“Protesta kanë vazhduar dhe mos të harrojmë se sot është bërë një muaj, që ky vend drejtohet nga një parlament ilegjitim. Protestat do të jenë sa herë të këtë seancë plenare. Është hera e parë që ka një fluks të njëpasnjëshëm të protestave, ka një fluks të shtuar dhe pakënaqësia e qytetarëve është në rritje. Do të ketë, ka dy vite rresht, si në 2018 dhe në 2019 me target grupe të ndryshme. Do zhvillohet pasdite. Kështu është gjykuar. Skenari i opozitës është skenari i qytetarëve shqiptarë. Qeveria e ndershme të dalë nga votat e qytetarëve dhe jo nga votat e blera. Ne ia kthyem përgjigjen ashtu si të gjithë socialistëve se çdo zgjedhje në Shqipërinë me Edi Ramën kryeministër nuk do të këtë. Ne thamë që nuk mund të këtë as zgjedhje lokale dhe as të përgjithshme pasi ka perceptim se ai blen zgjedhje”, tha mes të tjerash Çupi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne