Loja e ekspertëve me “Google Maps”… si i shpëtoi konfiskimit të pronave “bosi” i Shijakut

Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda bën rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të togave të zeza të shkallës së dytë, e cila liroi nga sekuestro pasuritë e biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka.
Më 20 korrik 2017, u mësua se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte hequr sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit, Dashmir Gjoka.

“Prokuroria vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për rrëzimin e konfiskimit të pasurive të shtetasit Dashamir Gjoka është marrë në zbatim të gabuar të ligjit, si edhe është bazuar mbi shkelje procedurale”, thuhet në rekursin e dorëzuar në gjykatën e Lartë.

Organi i akuzës kërkon që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.

Organi i akuzës filloi hetimin pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, pas dyshimeve se shtetasi Dashamir Gjoka i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

Loja me ekspertët dhe “Google earth”

Sipas prokurorisë, Gjykata e Apelit ka thirrur në gjykimin ku hoqi sekuestron e pronave, ekspertët që kanë bërë ekspertizën në gjykatën e shkallës së parë, duke shtuar edhe një ekspert të tretë.

“Kjo vendimmarrje e gjykatës është tërësisht kundër procedurës. Gjykata e shkallës së dytë (Apeli) mund të thërrasë ekspertë gjatë gjykimit të saj, në rastet kur vlerëson se ekspertiza në shkallën e parë ka të meta.

Dhe, nëse konstatohet se ka të meta, gjykata e Apelit thërret ekspertë të tjerë, të ndryshëm nga ata që kanë realizuar ekspertizën në shkallën e parë. Në rastin konkret, gjykata ka thirrur të njëjtët ekspertë, ndërkohë që ka thirrur edhe një të tretë.

Nga ky ekspert i tretë, gjykata ka kërkuar sqarime plotësuese në lidhje me ekspertimin e kryer në shkallën e parë, ndërkohë që ky ekspert nuk mund të jepte “sqarime plotësuese”, pasi ai nuk e ka kryer ekspertizën e parë. Në bazë të “sqarimeve plotësuese” të këtij eksperti, ndryshoi rrjedhja e gjykimit në Apel, e cila u pasua me rrëzimin e konfiskimit.

“Gjykata ka argumentuar se asetet pasurore të Dashamir Gjokës janë krijuar para vitit 1999, pra, para kohës kur ai është përfshirë në aktivitetin kriminal, për të cilin është dënuar në Itali.

Këtë qëndrim, gjykata e ka bazuar edhe në të dhënat e “Google Earth” dhe argumenton se këto foto i përkasin një kohe para vitit 1999.

Në fakt, ky qëndrim i gjykatës nuk bazohet në asnjë prej provave shkresore të paraqitura nga Prokuroria”, thuhet në rekurs.

Sipas tij, në aktin e ekspertimit janë bashkëngjitur foto të kompleksit “Gjoka” për periudhën nga viti 2002 dhe më pas, por ekspertja nuk ka bashkangjitur foto të të njëjtit objekt të periudhës 1995-1999.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne