Rajoni

Loja perverse e Thaçit për ta zhvendosur “hallin” në Tiranë

I kapur në befasi (rrallë ndodh një gjë në takime të tilla ku për të gjitha çështjet bihet dakord që më parë), presidenti i Shqipërisë arriti të belbëzojë se kjo nuk është rruga e duhur për të mbërritur tek qëllimi.

Por, me sa duket Hashim Thaçi nuk hoqi dorë. Ai e ka ripërsëritur idenë e tij edhe në një intervistë për radion gjermane Deutshe Velle duke theksuar madje se shteti shqiptar e ka obligim kushtetues ta bëjë këtë. “Ky mund të jetë një vendim që më tepër ka karakter fisnik dhe human. Kërkesa ime nuk është presion ndaj Shqipërisë por është nevojë, kërkesë fisnike dhe shumë humane. Shqipëria mendoj se do të sillet përgjegjshëm dhe përsëri kërkesa ime është edhe me e fuqishme sot që edhe Presidenti Meta edhe kryeministri Rama të jenë në kryerje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore por edhe të përgjegjësive kombëtare që t’ua lehtësojnë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë nëpër zonën Shengen” tha ai për radion gjermane.

Pra ai e përsëriti edhe njëherë këtë thirrje duke ia adresuar këtë herë kërkesën edhe Edi Ramës.

Dhe menjëherë pas kësaj në shtypin e anës tjetër të kufirit filluan të gëlojnë titujt: “Pse po hesht Rama për pajisjen e kosovarëve me viza”?

Ideja është e thjeshtë liderët e shtetit amë bëjnë propagandë me Kosovën, luajnë me ndjenjat patriotike, me sombole dhe flamuj, por kur vjen puna për interesin e qytetarëve të Kosovës ata se vënë ujin në zjarr.

Në fakt historia nuk është kaq e thjeshtë. Eshtë e vërtetë që Brukseli po e denigron Kosovën për lëvizjen e lirë. Eshtë e vërtetë që ai po e mban peng megjithëse ajo ka plotësuar 94 nga 95 kushtet e plotësuara. Është e vërtetë që marëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është një alibi absurde për të penguar lëvizjen e lirë.

Por të gjitha këto janë probleme që Prishtina duhet t’i zgjidhë me BE-në. Ajo duhet të negocjojë me BE-në dhe jo ti bëjë asaj presion përmes Tiranës.

Më mirë se kushdo këtë e di edhe Hashim Thaçi. Ai është i ndërgjegjshëm se vende si Shqipëria, që për shkak të kriminalizimit të tyre, kanë ngritur zëra në Europë për revokimin e lëvizjes së lirë, nuk mund ta luajnë këtë rrol.

Por Thaçi ka një problem tjetër. Ai ka premtuar personalisht me zë dhe me figurë, që kur kandidonte për kryeministër 7 vite më parë, se liberalizimi i vizave do të bëhej që atëhere.

Dhe sot kur ende nuk e ka rrealizuar ende një premtim elektoral, ai po kërkon ta transferojë problemin në Tiranë. Ai thjesht po e bën këtë si një lojë perverse për t’I hedhur sy kosovarëve. Ai po e bën këtë për të shmangur problemin nga pyetja: “Pse Brukseli nuk po na jep vizat e premtuara”, tek dilema tjetër: “Pse Shqipëria nuk po na ndihmon”.

Pikërisht këtu qëndron hilja e deklaratave të fundit të presidenti të Kosovës.

© LAPSI.al

OPINIONE