Nisin për herë të katërt Lojërat e Solidaritetit Islam që kësaj here organizohen në Azerbajxhan, raporton Anadolu Agency (AA).
Hapja zyrtare e lojërave do të bëhet në Stadiumin Olimpik në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
Në lojëra do të marrin pjesë tre mijë sportistë nga afërsisht 54 shtete ndërsa ato do të zgjasin deri më 22 maj.
Ndërkaq, Turqia do të garojë me 337 sportistë në 20 disiplina, edhe atë qitje, kërcim, atletizëm dhe para atletizëm, basketboll 3 në 3, boks, gjimnastikë artistike, futboll, mundje, peshëngritje, hendboll, xhudo-xhudo për të verbër, karate, ping-pong, vaterpolo, taekvondo, tenis, volejboll, vushu dhe not.
Historiku i Lojërave
Lojërat e para nën organizim nga Federata e Lojërave të Solidaritetit Islam (ISSF) në të cilën marrin pjesë shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) u organizuan në vitin 2005 në Arabinë Saudite.
Lojërat në fjalë, për të cilat ishte vendosur të mbaheshin një herë në katër vite, ishin planifikuar që për herë të dytë të organizoheshin në Iran në tetor të vitit 2009. Më pas ato u shtynë për në prill të vitit 2010 për shkak të problemeve mes Iranit dhe botës arabe, megjithatë, ato nuk arritën të realizohen për arsye të tjera.
Ndërkaq, lojërat e treta u mbajtën në vitin 2013 në kryeqytetin e Sumatras Jugore të Indonezisë, Palembang.
Ndryshe, në lojëra mund të marrin pjesë edhe jomuslimanë nga shtetet anëtare.
Lojërat e Pesta të Solidaritetit Islam në vitin 2021 do të mbahen në Stamboll.
Në lojërat e para të mbajtura në Arabinë Saudite Turqia u radhit e 15-ta për nga numri i medaljeve, duke fituar shtatë medalje, edhe atë një të artë dhe nga tri të argjendta dhe të bronzta.
Ndërkaq, në lojërat në Indonezi Turqia u radhit e pesta me gjithsej 103 medalje të fituara, edhe atë 23 të arta, 30 të argjendta dhe 50 të bronzta.