Londër – Mbretëresha miraton draftin që parandalon Brexit-in pa marrëveshje

Drafti për parandalimin e Brexit-it pa marrëveshje, i kaluar në Parlament nga partitë opozitare të mbështetura edhe nga deputetët opozitarë brenda Partisë Konservatore në pushtet, u ligjësua të hënën duke marrë miratimin e Mbretëreshës Elizabetë II.

Dhoma e Komunëve (krahu i ulët i Parlamentit britanik) dhe Dhoma e Lordëve (krahu i lartë i Parlamentit britanik) e patën miratuar këtë projektligj javën e kaluar.

Sipas draftit në fjalë, qeverisë britanike do t’i duhet të kërkojë nga Bashkimi Evropian 3 muaj kohë shtesë për Brexit-in nëse deri më datë 19 tetor nuk gjen një marrëveshje me Unionin ose Parlamenti nuk aprovon largimin pa marrëveshje të vendit nga BE-ja.

Në rast se BE-ja propozon një datë tjetër, pranimi apo refuzimi i kësaj nuk do të jetë gjithashtu në kompetencën e qeverisë britanike, por të Parlamentit.

Megjithatë, siç bën të ditur shtypi londinez duke u bazuar në burime të besueshme brenda qeverisë, Kryeministri Boris Johnson planifikon të bëjë qëndresë për mos ta zbatuar këtë ligj dhe për ta nxjerrë vendin nga BE-ja më 31 tetor duke krijuar një fakt të kryer.

Nëse Johnsoni zgjedh të ndjekë rrugën në fjalë, ka shumë gjasa që të zgjedhurit e Parlamentit britanik (anëtarët e Dhomës së Komunëve) ta çojnë këtë çështje në gjyq./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne