LSI parakalon PD-në. Ky është politikani më popullor

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, janë të shumtë institucionet që kanë zhvilluar sondazhe lidhur me rezultatin e pritshëm të këtyre zgjedhjeve.
Përfundimet janë të ndryshme dhe publikimi i këtyre sondazheve është shoqëruar me akuza dhe kundërakuza politike.

Duhet thënë se kanë qenë shumë të pakta rastet që sondazhet paraprake për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të kenë parashikuar saktë rezultatet.

Kjo ndodh për arsye të ndryshme të lidhura me specifika të shoqërisë shqiptare, një prej të cilave fakti që shumë votues ndihen nën presion, dhe nuk e deklarojnë në cdo rast për sondazhierët partitë që realisht do votojnë, por përpiqen të konformohen me trendin dhe kontekstin e sondazhit.

Në këtë këndvështrim sondazhet në Shqipëri merren përherë me rezerva, sidomos ku bëhet fjalë për zgjedhje kaq të veçanta si këto të këtij 25 qershori.

Megjithatë, nuk mungojnë përpjekjet për të kryer hulumtime mbi tendencën e votës edhe nga institucione që i përdorin rezultatet për qëllime të brendshme të punës së tyre, jo për publikim.

Një prej tyre është ky sondazh publikuar sot nga Dita, i kryer nga një organizatë e huaj e cila monitoron në vijimësi situatën në Ballkan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, kryesisht me fokus gjendjen politike, atë të sigurise, lëvizjet radikale etj.

Sipas këtij sondazhi, politikani me mbështetjen më të fortë publike aktualisht në Shqipëri është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Mbështetja për Erion Veliajn në Tiranë është nga 60 deri ne 62 për qind e qytetarëve, shumë më lart se liderët e partive të mëdha, gati 20 pikë mbi Ramën dhe thuajse dyfish i kreut të PD, Basha.

Sondazhi jep edhe një të dhënë interesante lidhur me renditjen e partive politike në rast se zgjedhjet zhvillohen këtë javë. Ndryshe nga sondazhet e publikuara deri tani, në të cilat rezulton se PD është forcë e dytë politike në vend, ky sondazh e nxjerr PD-në në vendin e tretë me jo më shumë se 22.24 për qind të elektoratit.

Forcë e dytë politike sipas këtij sondazhi ka kaluar Lëvizja Socialiste për Integrim me 28 deri në 30 përqind të preferencave.

PS vazhdon të mbetet forcë e parë politike në vend, por sondazhi thekson se asnjë nga partitë e mëdha nuk do arrijë e vetme numrin 71 të mandateve, të nevojshme për të krijuar qeverinë e vetme.

Një e dhënë tjetër interesante e këtij sondazhi është numri i shqiptarëve të pavendosur për të marrë pjesë në votimet e 25 qershorit. Sipas këtij sondazhi, numri it ë pavendosurve arrin mbi 12 për qind me tendencë ngjitjeje përgjatë fushatës.

Sondazhi në fjalë jep gjithashtu disa të dhëna lidhur me koalicionet e pas 25 qershorit.

Një koalicion i majtë mbetet ende i preferuar nga shumica e shqiptarëve. Koalicionin PS – LSI e mbështet 56 për qind e votuesve – sipas këtij sondazhi, ndërsa koalicionin PS – PD e mbështet 34 për qind e votuesve.

Duhet theksuar se sondazhi është zhvilluar përpara përshkallëzimit të akuzave brenda së majtës dhe rasteve të dhunës në fushatë të shfaqura ditët e fundit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne