Lu dhe “Kavaja” detyrojnë palët të ulen në tryezë

Ndërkombëtarët kanë ndërmarrë dje një tur negociatash për të ulur sërish në tryezën e bisedimeve dy liderët e politikës shqiptare. Ambasadori Lu ka zhvilluar dje dy takime me Ramën, ndërsa Basha ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të BE. Frika për trazira në Kavajë ka detyruar ambasadat të akreditojnë vëzhgues në zgjedhje

Kreu i qeverisë Edi Rama dhe ai i opozitës Lulzim Basha kanë zhvilluar dje në mbrëmje një takim të dytë, por pa mundur sërish që të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë një zgjidhje për ngërçin politik që ka përfshirë vendin prej 18 shkurtit të shkuar.Por që palët të arrinin të uleshin sërish brenda 24 orëve përballë njëra-tjetrës duket se kanë ndikuar disa faktorë, përfshi këtu rolin dhe ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, rreziku i dhunës në zgjedhjet e së dielës në Kavajë, por edhe nevoja për një stabilitet afatgjatë që mund ta sjellë vetëm një palë zgjedhje me opozitën të pranishme.

Për këtë qëllim e enjtja e djeshme ka qenë një ditë e ngjeshur me negociata, ku duket se rolin e ndërmjetësit e kanë marrë sërish përfaqësuesit e huaj të akredituar në Tiranë.

Kështu ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, në dy takime të veçanta u përpoqën që të negociojnë me kryeministrin Rama për të gjetur një zgjidhje për çështjet për të cilat palët i mban larg, ndërsa pjesa tjetër e ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë kanë zhvilluar një bisedë të gjatë me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Ndërkohë që paralelisht me këto përpjekje opozita ka rritur presionin ndaj zgjedhjeve që pritet të mbahen të dielën për Bashkinë e Kavajës, ndërsa ka nisur edhe dislokimin e drejtuesve kryesorë të saj për të organizuar protestën në ditën e votimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne