Lubonja bën thirrje: Pse duhet rrefuzuar me votë Edi Rama

Nga Fatos Lubonja

Edi Rama ka dalë në fushatë elektorale dhe po kërkon maksimumin  e votave me një argument që po e përsërit nga televizioni në televizion dhe nga mitingu në miting. Sipas tij janë partitë e vogla (e ka fjalën për LSI kryesisht, por edhe PDIU, PPDNJ etj.) që nuk e kanë lënë të bëjë shtet me institucione dhe administratë funksionale, sepse ato imponojnë «sistemin e tepsisë» siç e quan ai.

Ky sistem – sipas tij i ndërtuar që prej 25 vjetësh – konsiston në shantazhimin e kryeministrit të zgjedhur nga partia e madhe nëpërmjet kërkesave klientelare të të voglave të cilat, përndryshe, nuk e lënë të qeverisë. Dhe kështu, sipas Ramës, e keqja hyn në administratë, mbetet brenda. Prandaj thotë ai, kësaj here mos i votoni ato, por votoni partinë time, që do t’ju ndërtojë më të mirën e administratave, për të dalë pastaj në një sistem bipolar, ku të dini se kë të ndëshkoni pasi të qeveris unë edhe katër vjet të tjera. Duket se në këtë hulli arsyetimi qëndron pakti që ka bërë me Lulzim Bashën për të pastruar partitë e vogla nga jeta politike e vendit.

E kanë akuzuar se nuk ka program. Në fakt ky është programi elektoral i Ramës.

Ky argument elektoral mban era mashtrim që nga shumë larg, por, si të gjitha mashtrimet, e ka një pikë të vërtete ku Rama e ka mbështetur levën për t’ua hedhur edhe një herë shqiptarëve: partitë e vogla vërtet kanë vepruar kështu. Por ama e vërteta e kësaj mënyre të vepruari është shumë më e madhe sesa kaq. Le të jap vetëm ndonjë argument që e nxjerr zhveshur gënjeshtrën e Edi Ramën.

ARGUMENTI HISTORIK

Rama gënjen kur thotë (siç tha te «Të paekspozuarit» se «sistemi i tepsisë» ka funksionuar kështu që prej 25 vjetësh. E vërteta është se në kohën e Berishës së parë ky pati mundë- si të qeverisë vetëm dhe e keqja nuk erdhi nga partitë e vogla, por nga pushteti i madh i së madhes dhe të kryetarit të saj. E njëjta gjë mund të thuhet për qeverisjen e socialistëve 1997–2005. PS-ja në fillim përfshiu në koalicion edhe disa parti të vogla jo nga halli, por për të zgjeruar bazën e qeverisjes në emër të ndërtimit të një shteti. Nëse punët filluan të degradojnë, kjo nuk ndodhi për shkak të partive të vogla, por për shkak të partisë së madhe dhe kryetarit të saj të madh.

E vërteta historike është se sistemi me parti të vogla që luajnë «king maker»-in ka filluar të bëhet problem për kryeministrat pas marrëveshjes PD-LSI të vitit 2009 dhe asaj PS-LSI të vitit 2013. Dhe fakti është se dy lëvizjet e LSI-së janë aprovuar nga shumica e zgjedhësve si formë ndëshkimi ndaj autoritarizmit dhe arrogancës në rritje të të mëdhave, që është bërë më i padurueshëm edhe sesa efekti «tepsi».

ARGUMENTI I QEVERISJES RAMA

Sado që përpiqet t’ua hedhë fajin partive të vogla për keqqeverisjen Rama nuk i reziston dot një argumenti që ia kanë evidentuar më se një herë. Edhe nëse të voglat në praktikat e tyre kanë punuar sipas «sistemit të vijon nga faqja 1 tepsisë», çfarë e ka penguar atë, atje ku e ka pasur gjithçka në dorë të vet dhe të të vetëve, të funksionojë ndryshe, në emër të interesit publik dhe jo të klientelizmit partiak? Sikur ai dhe të vetët të mos bënin korrupsion, klientelizëm, politika partiake dhe abuzime të ndryshme ky do të ishte shembulli më i mirë për t’u konfrontuar gjatë fushatës me të kë- qijtë dhe për të marrë votat e elektoratit të tyre. Por të gjithë e dinë se nuk ka ndodhur kështu, por e kundërta: se Rama dhe të vetët kanë qenë kampionët e keqqeverisjes dhe abuzimit gjatë këtyre katër vjetëve. Sjellja e Ramës si opozitar ndaj «sistemit të tepsisë» po të thellohesh vetëm fare pak, kuptohet se është në fakt një vetëdenoncim.

PSE GËNJEN RAMA

Edhe kësaj here, si në të gjitha komunikimet e tij, Rama po kërkon ta fshehë të vërtetën dhe ta manipulojë publikun me gënjeshtrën e radhës, duke na servirur një shkak të rremë të së keqes dhe një kurë të rreme. E keqja e madhe shqiptare nuk janë partitë e vogla, por kapja e të gjitha partive kryesore dhe, nëpërmjet tyre e shtetit dhe institucioneve të tij, nga 5% që i quajmë rëndom oligarkë dhe bosët e krimit. E keqja e madhe nuk qëndron te ndarja e buxhetit të rrogave dhe të njerëzve të administratës midis militantëve të njërës parti apo tjetrës. As tek abuzimet e këtyre njerëzve. Këto janë vetëm një degës e të keqes së madhe. E keqja e madhe qëndron në masakrimin e parasë publike dhe po ashtu e territorit dhe pasurisë publike, e burimeve tokë- sore dhe nëntokësore, ashtu sikurse edhe turistike të vendit nga 5% që rëndom i quajmë oligarkë dhe njerëz të krimit. E keqja e madhe nuk është ndarja e tepsisë, por shndërrimi i Shqipërisë në tepsi dhe kapja e kësaj tepsie nga partitë nëpërmjet lidhjeve të shkurtra të politikanëve si Rama me këtë 5% duke anashkaluar institucionet ose duke i përdorur këta vetëm si fasadë.

Rama nuk e thotë dot këtë të vërtetë për dy arsye. E para, sepse nëse ka njeri që ka punuar në mënyrë sistematike në shërbim të këtij sistemi, është ai. Së dyti, sepse nuk ka ndërmend ta luftojë, por ta shfrytëzojë këtë sistem edhe më tej. Në fakt fushata e tij elektorale është në shërbim të këtij sistemi, por me ndryshimin se ai po synon të vërë nën kontroll të gjithë tepsinë – me shumë gjasa në bashkëpunim me oligarkët kryesorë të 5%-shit, të cilët deri dje kanë qenë edhe me PD-në, edhe me LSI-në.

Si e tillë kjo është një zgjedhje e rrezikshme që është një hap larg predikimit që kanë bërë diktatorët që e fajësonin demokracinë për mungesë eficense, që i bënin thirrje popullit t’ua jepnin të gjithë pushtetet atyre, sepse ata dhe vetëm ata do të bëheshin garant të mbrojtjes së interesave të tyre. Musolini p.sh. e përkufizonte regjimin fashist si aleancë e pushtetit fashist me korporatat.

Në emër të demokracisë, lirisë, të mbrojtjes së të vërtetës dhe ruajtjes së shpresave, si dhe të një shpërndarjeje disi më të drejtë të të ardhurave, shqiptarët duhet ta refuzojnë në kutitë e votimit me vendosmëri këtë projekt.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne