Lubonja: Krimi ndjell krimin, u ndjeva i fyer dhe i poshtëruar kur pashë seancën për Tahirin

Pasolini ka një shkrim të famshëm, të botuar në “Corriere della Sera”, titulluar “Unë e di”. Atje ai shkruan se i di emrat që fshihen pas strategjisë së terrorit në vitet 1968-1974, sepse-thotë ai- “jam një intelektual, një shkrimtar që përpiqet të ndjekë se çfarë po ndodh, të lexojë gjithë çka shkruhet, të imagjinojë atë që nuk dihet, si dhe atë për të cilën heshtet, […] të verë së bashku në një kuadër politik, koherent, copëza të çorganizuara dhe fragmentare, të ndërtojë një rend logjik atje ku duket sikur mbretëron  arbitrariteti, çmenduria dhe misteri.” “Unë e di”-vazhdon ai-“sepse, tek e fundit, rindërtimi i së vërtetës së asaj që ka ndodhur në Itali pas vitit 1968 nuk është i vështirë, por nuk i kam provat që të përmend emrat sepse provat i kanë ata që kanë pushtetin”.

Duke ndjekur skandalin e fundit me emrin Habilaj-Tahiri & Co, m’u kujtua ky shkrim i Pasolinit dhe më erdhi të them se nuk ka nevojë të jesh mendje e rrallë si ajo e Pasolinit për të rindërtuar historinë e asaj që ka ndodhur në Shqipëri këta vjet dhe për të vendosur skandalin në fjalë në “një kuadër politik koherent”. Dora-dorës, që krimi i organizuar dhe i çorganizuar ka rritur peshën e vet në ekonominë dhe jetën e vendit, politikanët shqiptarë, më të vjetër dhe më të rinj, kanë marrë gjithnjë e më qartazi tiparet e kapove politiko-mafiozë duke e zhytur Shqipërinë gjithnjë e më thellë në një rrugë ku krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Që ministri ynë i Brendshëm, Saimir Tahiri, sipas përgjimeve të Prokurorisë italiane, ka marrë 30.000 euro për çdo rrugë nga trafikantët e drogës dhe makina e tij është përdorur për trafikim droge, është një provë këlthitëse e kësaj.

Por prapë, pas “habisë” së parë, nuk mund të mos kthehemi e t’i themi njëritjetrit se ne këtë e kemi ditur, madje se dimë shumë më tepër se kaq, por s’kemi prova si ato që kanë siguruar italianët. Po pse? Sepse pushtetin e kanë kriminelët, edhe mbi Policinë, edhe mbi Prokurorinë, edhe mbi Gjyqësorin. Dhe ky është absurdi në këtë histori. Kriminelët na thonë: ok, ju e dini që ne jemi kriminelë, edhe ne e dimë që jemi të tillë, por s’keni prova të na e vërtetoni. Që t’ua provosh duhet t’u marrësh pushtetin, por që t’u marrësh pushtetin, duhet të kesh paratë e tyre të pafundme që i sigurojnë nga krimi. Përndryshe, po të guxosh t’u nxjerrësh ndonjë provë, të bëjnë qindin, të thonë gënjen, maskara, kjo nuk është provë.

Ja, kjo ndodhi në Komisionin Parlamentar të premten dhe të shtunën e javës që sapo kaloi.

Si qytetar, duke parë atë shfaqje, u ndjeva disa herë i fyer dhe i poshtëruar. U ndjeva kështu sepse pashë një njeri, për të cilin ka prova më se të mjaftueshme për ta quajtur bashkëpunëtor me kriminelët, të sillej përpara njerëzve të drejtësisë me një arrogancë dhe siguri të frikshme për çdo njeri që ka shpresë se në këtë vend mund të ketë një çikëz drejtësi. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse pashë deputetë, që pretendojnë se janë intelektualë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut, të bëhen një me këtë njeri. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar edhe më shumë, duke parë një turmë të organizuar për ta pritur jashtë me brohoritma, sikur ky sapo të ishte kthyer nga fitimi i ndonjë trofeu sportiv dhe jo sikur të ishte njeriu i akuzuar se ka kthyer shtabin drejtues të policinë në bandë kriminale, që është përgjegjës minimumi për mbulimin e aktivitetit kriminal të një bande shumë të rrezikshme, që është direkt dhe indirekt përgjegjës edhe për tërë ata të rinj, që futen në rrugën e trafikimeve dhe vrasin çdo ditë njëri-tjetrin në rrugët e Shqipërisë. U ndjeva i fyer dhe i poshtëruar sepse nuk pashë një gazetar t’u afrohej këtyre njerëzve dhe t’i pyesë se përse ndiheshin kaq krenar për një njeri, mbi të cilin rëndojnë akuza kaq të rënda.

Por, përveçse i fyer dhe i poshtëruar, u ndjeva edhe i shqetësuar për atë që na paralajmëron kjo histori. Zhvleftësimi dhe përçmimi që treguan deputetët socialistë ndaj atyre provave dramatike, ishte edhe shumë ndjellakeq. Këta njerëz, thashë, që arrijnë deri këtu, mund të shkojnë edhe më tej për të mbrojtur pushtetin e tyre që u jep garancinë se provat që i inkriminojnë nuk do të dalin në dritë. Sepse krimi ndjell krimin, humnera ndjell humnerën. Historia jonë na e ka provuar më se një herë këtë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne