Shqiperia

Lubonja: Kryeprokurorja, ushtare e Ramës, Lu dhe Vlahutin duan të na “shpëlajnë trutë’

Analisti Fatos Lubonja, duke folur për News24 në një lidhje me “Skype”, ka komentuar zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku , me votat e mazhorancës dhe deklaratat e ambasadës amerikane dhe misionit të BE-së, që dënonin dhunën në protestë dhe shpreheshin se reforma në drejtësi tani po funksionon.

“Kryeprokurorja si ushtare tha “betohem”. Deklarata e ndërkombëtarëve është mungesë e qartë sinqeriteti, përgjegjshmërie e ambasadorit Lu. Lu ka vënë bast për këtë reformë. Lu-ja nuk ka reflektuar për dështimin e reformës, bën sikur nuk e sheh dështimin. Lu dhe Vlahutin kanë vënë bast për ta paraqitur reformën si një arritje të Shqipërisë. Ndërkombëtarët po ndihmonjë në instalimin ë një regjimi.”

Sipas Lubonjës, kryeprokurorja Arta Marku, do të përdoret nga mazhoranca për të luftuar partitë e tjera. Lubonja i konsideron partitë banda dhe thotë se Edi Rama kërkon eleminimin e të gjitha bandave për të rritur pushtetin e bandës së vet.

“Prokuroria e kapur do të përdoret nga një bandë kundër bandave të tjera. Po shkojmë drejt një humnere dhe mungese lirie në Shqipëri. Nga banda, këto forca duhet të kthehen në parti dhe jo që njëra bandë të eleminojë të tjerat. Ambasadorit Lu, i kujtoj që në një shtet si SHBA, me nje demokraci të konsoliduar dhe institucione të konsoliduara, një kryetar shteti psikopat si Trump, mund të vërë në rrezik demokracinë, mund të heqë shefin e FBI-së. Mendoni ç’mund të ndodhë në Shqipëri që nuk ka institucione, kur tradicionalisht psikopatët kanë sunduar.”

Lubonja u shpreh se shqiptarët duhet të shohin se çfarë ndodh në vend dhe të mos ndjekin ndërkombëtarët të cilët kërkojnë të “na shpëlajnë trutë”.

“Kjo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht, shiqptarët të ecin me kokën e tyre dhe të ndjekin atë që shohin çdo ditë, jo cfarë u thonë këta njerëz që nuk dinë asgje ose bëjnë sikur nuk dinë asgjë. E kemi provuar me ambasadorin Arvizu që donte të na sillte armët kimike. Nuk mund ta presim shpëtimin nga ndërkombëtarët.  Populli të mos jetë spektator por të marrë pjesë në ndryshim. Duhet organizim, krijimi i një lëvizjeje, transformimi i partive. Kjo është një gjë që e sjell koha. Por ka prirje për ta ndaluar këtë gjë, prandaj shqiptarët largohen nga vendi”.

OPINIONE