Lufta e Katarit për t’ja dalë mbanë i qetë nën bllokadën e Arabisë Saudite

Katari tani paguan 10 herë më shumë për të importuar ushqime dhe ilaçe në vend për shkak të bllokadës së udhëhequr nga Saudia, tha ministri i jashtëm sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani – megjithëse vendi ka forcuar pozitën e tij si prodhuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror, dhe ka ruajtur vlerësimin e tij në Moody.

Duke folur në Institutin Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare (Chatham House), Londër, 5 korrik, Al Thani tha se vendi po përdorte pasurinë e madhe të naftës për të siguruar që ndikimi i rritjes së tarifave të mos ndihej nga qytetarët mesatarë.

“Katari po paguan 10 herë më shumë shpenzime për transportin, nga fondet e qeverisë – ka fonde të disponueshme për këtë. Por nëse Katari nuk do të ishte në të njëjtin nivel të të ardhurave, nuk do të ishte në gjendje të mbulonte as nevojat e popullit të vet për mjekime dhe ushqim”, tha ai.

Në qershor, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahrejni, Jemeni dhe Egjipti shkurtuan marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke pretenduar se vendi i Gjirit mbështet terroristët dhe grupet militante.

Pjesa më e madhe e rritjes së çmimit të ushqimeve rrjedh nga mbyllja e kufirit të vetëm tokësor të Katarit me Rijadin, nëpërmjet së cilit vendi importon rreth 40 për qind të furnizimeve të tij ushqimore. Irani, me të cilin Katari ndan një fushë të gazit natyror në Gjirin Persik, është ofruar të japë ushqim nga deti.

Mosmarrëveshja tregon shenja të pakta të përfundimit, dhe Departamenti i Shtetit të SHBA-së madje ka paralajmëruar se përshkallëzimi është i afërt – megjithëse lufta gjithësesi është ndoshta e pamundur.

Sidoqoftë, Katari – shtëpia e Produktit të Brendshëm Bruto më të madh në botë për frymë (127,660 dollarë amerikanë) – mund të jetë në gjendje të durojë embargon për muaj apo ndoshta edhe për vite. Në javën e parë të korrikut, Katari ka forcuar pozitën e tij si prodhuesi më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror dhe është gati të mbajë vendin e parë për shtatë vitet e ardhshme, pasi Qatar Petroleum tha se do të rrisë prodhimin me 30 për qind.

Pavarësisht nga kjo, më 5 korrik, agjensia e vlerësimeve Moody e uli perspektivën kreditore të Katarit nga “stabël” në “negative”, lidhur me shqetësimet rreth një mosmarrëveshje të zgjatur të Gjirit – edhe pse agjensia e mbajti vlerësimin e lartë të emetuesit afatgjatë të vendit në Aa3. Megjithatë, agjensia tha se paqartësia rreth bllokadës do të ndikonte negativisht në ndjenjat e biznesit dhe të investitorëve të huaj, dhe gjithashtu do të peshonte në planet afatgjata të diversifikimit të qeverisë për ta pozicionuar vendin si një qendër për shërbimet mjekësore, arsimin dhe sportin nëpërmjet një perceptimi më të lartë të rrezikut midis investitorëve të huaj.

“Mundësia e një periudhe të zgjatur të pasigurisë që shtrihet në vitin 2018 është rritur, dhe një zgjidhje e shpejtë e mosmarrëveshjes nuk ka gjasa gjatë muajve të ardhshëm, gjë që rrezikon që bazat e kredive sovrane të Katarit të ndikohen negativisht”, shpjegon Moody në një deklaratë.

Një aspekt shumë i dëmshëm i bllokadës është mbyllja nga koalicioni e hapësirës së tyre të përbashkët kolektive me Qatar Airways, dhe anullimi i të gjitha fluturimeve nga Emirates, Etihad, Flydubai dhe Air Arabia e Emirateve të Bashkuara Arabe në Doha. Ndalimi nënkupton që Qatar Airways paguan shpenzime shumë më të mëdha për të rivendosur fluturimet, duke përfshirë shpenzime më të larta karburanti dhe më shumë ndalesa për t’u furnizuar me karburant – dhe shkatërron planet e Dohas për të transformuar veten në një qendër globale të transportit.

Megjithatë, agjensitë e tjera të vlerësimit ishin më pak pozitive krahasuar me gjendjen financiare të Katarit. Në qershor, S & P Global Ratings e uli vlerësimin sovran të vendit dhe e vuri atë në vëzhgim negativ të kredisë, duke e bërë Katarin të prekshëm ndaj një uljeje të mëtejshme në të ardhmen e afërt. Fitchit Ratings gjithashtu e ndryshuan perspektivën e vendit në negative.

Për më tepër, shkëmbimet dhe bankat e huaja anembanë botës tani refuzojnë të blejnë rijalët e Katarit – dhe katarianët po përjetojnë vështirësi në këmbimin e monedhës kur udhëtojnë për në Azi, Evropë dhe SHBA.

Situata mund të përkeqësohet edhe më tej – dhe sizmikisht – në qoftë se bllokada shtrihet në eksportet e gazit dhe naftës, edhe pse një veprim i tillë do të nxiste një krizë botërore të përmasave epike. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne