Lufta mes “Hezbollahut” dhe armikut izraelit, a është vërtet afër?

A do të jenë Lartësitë Golan epiqendra e saj? A do t’i kthejë Kupola e Hekurt (Iron Dome) 2000 raketa në ditë? Çfarë nëse Izraeli e sulmon sërish Sirinë…? A do të ketë përgjigje?

Abdul Bari Atuan

Kush ndjek këto ditë gazetat libaneze e izraelite dhe programet e debateve politike në stacionet televizive e të dy palëve do të dalë me përshtypje në mënyrë të vendosur se lufta ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut është e pashmangshme dhe se shumica e treguesve dhe analizave të analistëve të lartë ushtarakë – të cilët janë gjeneralë – janë në këtë drejtim.

Ajo që shtoi nxehtësinë e këtyre pritshmërive është organizimi pak ditë më parë nga ana e Hezbollahut të një turneu të dhjetëra gazetarëve libanezë e të huaj në jug të Liban, një precedent i pazakontë, ku elementë të Hezbollahut u shfaqën me armatime të plota në një prej luginave, vetëm pak metra larg nga kufiri me Palestinën e pushtuar. Ky konsiderohet një mesazh i qartë, fjalët e të cilit duket sikur thonë se Hezbollahu i merr absolutisht seriozisht kërcënimet izraelite me luftë.

Gazeta “Jerusalem Post” e krahut të djathtë izraelit ka bërë të ditur pak ditë më parë për përgatitjen e një plani evakuimi të qindra e mijëra izraelitëve që jetojnë në Galile pranë kufirit me Libanin, në pritje të shpërthimit të luftës. Qarqe akademike izraelite besojnë se ardhja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe mbështetja e tij e pakufizuar për Benjamin Netanyahun, i cili përballet me akuza për korrupsion dhe mobilizim të vendeve arabe – mes të cilave Egjiptin, Jordaninë dhe shtetet arabe të Gjirit (Persik) – për të formuar një “NATO” të Lindjes së Mesme kundër Iranit, ndoshta do ta ngrejë nivelin e ankthit dhe do ta nxitojë ndezjen e një lufte me Iranin.

***

Ekspertët ushtarakë izraelitë pohojnë se Hezbollahu ka më shumë se njëqind mijë raketa të madhësive e distancave të ndryshme dhe se – në rast të një lufte – Hezbollahu do të lëshojë një mesatare prej dy mijë raketash në ditë që do të vënë në shënjestër territorin izraelit, në krahasim me 150 raketa në ditë gjatë Luftës së Korrikut 2006.

Udhëheqja izraelite e konsideron “Hezbollahun” më të rrezikshëm se kurrë më parë, pas rritjes së forcës dhe përvojës së tij të luftimit dhe mbingarkesës së arsenalit të tij me raketat më të fundit, gjë që nuk përjashton ndërmarrjen nga ana e saj të një goditjeje parandaluese që do të pakësojë humbjet dhe do t’i rikthejë prestigjin ushtrisë izraelite pas humbjes së tij në dy luftërat e Rripit të Gazës kohëve të fundit dhe para tyre në Luftën e Korrikut me Libanin në vitin 2006.

Teoria e skifterëve që u bien daulleve të luftës thotë se kjo goditje proaktive është e nevojshme para posedimit nga ana e Hezbollahut të një numri më të madh aftësish ofensive, por edhe për shkak të preokupimit të tij të tanishëm në luftën siriane. Përveç kësaj, humbjet e Izraelit tani mund të jenë më pak sesa do të jenë në rast të një lufte të mundshme pas një, dy ose tri vitesh.

Ajo që i shqetëson më shumë tani udhëheqësit në Izrael është “shtrirja” e mundshme e Hezbollahut dhe e forcave të Gardës Revolucionare të Iranit në jug të Sirisë dhe hapja e frontit të Golanit. Janë rreth 25 mijë luftëtarë iranianë që ndodhen aktualisht në Siri, duke përfshirë edhe forcat e Gardës Revolucionare dhe disa milici nga Pakistani, Afganistani dhe Iraku. Ata mund të shndërrohen në krahë luftarake të Hezbollahut në frontin e Golanit. Kjo shpjegon edhe vrasjen e dëshmorëve Samir al-Kintar – gjeneral i të burgosurve arabë në burgjet izraelite – dhe Xhihad Imad Mugnije, të cilët ishin duke planifikuar me ekspertë në Gardës Revolucionare të Iranit për të ringjallur këtë front.

Kërcënimi i Sejid Hasan Nasrullah në më shumë se një fjalim gjatë kohëve të fundit për të goditur depot e gazit helmues amoniak në Haifa, reaktorin bërthamor Dimona dhe puset dhe platformat e gazit në Mesdhe, nuk vjen në kuadër të luftës psikologjike, por edhe si një reflektim i gjendjes së rritjes së besimit të prijësit të rezistencës jugore, si dhe për të futur frikën në zemrat e izraelitëve.

Bombardimi me disa raketa izraelite i depos së armëve – për të cilën thuhej se i përkiste Hezbollahut – pranë aeroportit të Damaskut javën e kaluar, mund të vijë si një sfidë për Rusinë dhe Hezbollahun dhe si një telash për udhëheqjen siriane, madje edhe si një përpjekje për ta tërhequr atë që t’i përgjigjet në mënyrë të ngjashme me atë që ndodhi pas sulmit izraelit ajror mbi një autokolonë armësh të Hezbollahut pranë qytetit Tedmur (Palmira). Por palët e këtij trekëndëshi treguan vetëpërmbajtje, nuk iu kundërvunë këtyre raketave dhe nuk u kundërpërgjigjën për arsye ende të paqarta, por ka nga ata që thonë se reagimi i ardhshëm do të jetë strategjik.

***

Arena në të dy frontet, në frontin libanez dhe në atë sirian, është bërë gati për luftë, dhe gjendja aktuale e qetësisë ndoshta nuk do të zgjasë, veçanërisht pasi lufta e ardhshme – në rast se do të ndizet – nuk do të jetë kundër Hezbollahut, por një prelud për një luftë kundër Iranit dhe boshtit të tij, rripi ushtarak dhe ideologjik i të cilit shtrihet nga Mazar-e Sharif në perëndim të Afganistanit e deri në brigjet libaneze të Detit Mesdhe.

Të gjitha “Kupolat e hekurta” në botë nuk do të jenë në gjendje të zmbrapsin dy mijë raketa që do të bien si shiu mbi qytetet e ndryshme dhe kolonitë izraelite në Palestinën e pushtuar. Ndoshta situata do të jetë më e rrezikshme në qoftë se lëvizja “Hamas” dhe pjesa tjetër e fraksioneve të tjera luftarake (si Xhihadi, Fronti Popullor dhe Forcat e Rezistencës Popullore) do t’i bashkohen kësaj lufte dhe do të lëshojnë frerët e arsenalit të raketave të tyre për të goditur objektiva izraelite nga jugu. Sepse kjo luftë, në rast se plas, do të jetë nëna e luftërave dhe babai i tyre – dhe ndoshta më e fundmja e tyre – dhe triumfi i palës arabe dhe myslimane është më shumë i mundshëm se kurrë më parë. Kjo, për një arsye të thjeshtë, sepse kush do të përfaqësojë arabët dhe myslimanët në të nuk do të jenë ushtritë tradicionale “barkalece”, por fraksionet e rezistencës besimtare që synojnë martirizimin.

Ajo do të jetë një luftë që mund të bashkojë kombet arabe dhe islame, t’i japë fund gjendjes së përçarjes dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ta kthyer Izraelin nga një armik në një mik. Nuk ka asnjë çështje që të bashkojë e të mos përçajë, përveç çështjes palestineze… Koha është ajo që do na tregojë.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 30 prill 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne