Lufta ndërinstitucionale e Shqipërisë për politikën e jashtme

Presidentit Ilir Meta nuk i ka penguar që kryeministri Rama të jetë de facto edhe ministër Arsimi, edhe ministër Kulture, por tek ministri i Jashtëm ndryshon pakëz puna. Ky post futet edhe në hisen e presidentit

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Përse presidenti Meta e pa të arsyeshme ta godasë kryeministrin Rama pikërisht me rastin e emërimit ministrit të Jashtëm? Për këtë ka disa arsye. Ndryshimi i ministrave me më shumë ndikim brenda Partisë Socialiste me ata me më pak ndikim brenda partisë është tregues i arrogancës së Edi Ramës për ta përqendruar pushtetin personal brenda partisë që e drejton. Këtë lëvizje politike të kryeministrit, presidenti Meta do ta ketë parë si një moment ku Rama ka krijuar mjaftueshëm armiq (të heshtur) brenda Partisë Socialiste. Këtu duhet ta kemi parasysh se Meta nuk është president si Alfred Moisiu, ambicie e vetme e të cilit ishte ta kryente detyrën e presidentit në mënyrë korrekte me nder e krenari kombëtare. Ilir Meta, duke qenë se vjen nga politika, si një lider i një force të rëndësishme politike, ka edhe ambicie të tjera politike pas përfundimit të mandatit të Presidentit. Meta, funksionin e Presidentit e sheh edhe si një mundësi për ta projektuar të ardhmen e vet post-presidenciale. Në këtë prizëm, Ilir Metës i intereson që Edi Rama të zhvishet sa më shumë nga petku i një demokrati brenda PS-së dhe të dalë sheshit prirja e tij autarkiste. Në këtë mënyrë, Meta synon që sa më shumë anëtarë e simpatizantë të pakënaqur të PS-së të kalojnë te LSI-ja, pasi që natyrshëm është më pak e pritshme që të pakënaqurit e PS-së të shkojnë në PD. Në këtë drejtim Ilir Meta edhe e arriti qëllimin, pasi që Edi Rama më në fund doli hapur se do që vetë të jetë edhe ministër i Jashtëm.

Po kthehem tani te manifestimi i arrogancës së kryeministrit Rama që përzgjedhë për ministre të Arsimit, Besa Shahinin. A mos është Besa Shahini një emër i njohur i shkencës apo arsimit në Shqipëri e Kosovë apo ndonjë profesor/eshë me reputacion ndërkombëtar, siç i kemi të paktën disa nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia? Ta zëmë, Bashkim Ziberi nga Tetova, ka kryer filloren e të mesmen në Tetovë, ka qenë student i imi i shkëlqyeshëm në Universitetin e Tiranës, ka bërë master e doktoratë në Gjermani, ka një varg punimesh shkencore pas vetes dhe ka ligjëruar në universitete në Shqipëri, Maqedoni e Gjermani. Për të, ta zëmë, mund të thuhet se i njeh të paktën 3 sisteme arsimore (Shqipëri, Maqedoni e Gjermani) dhe mund të prisnim që të sillte ndonjë reformë në arsimimin e kalbur shqiptar. E përmenda Bashkim Ziberin si mundësi nëse kryeministri do të kishte pasur për synim reformën e arsimit dhe njëkohësisht zgjerimin e konkurrencës me shqiptarë jashtë kufijve. Por, për ta thjeshtuar analizën time, shembull më ilustrativ është nëse marrim në konsideratë Artan Fugën. Fuga ka një emër prej intelektuali e profesori në të gjitha trojet shqiptare: e njeh arsimin në Shqipëri, sepse aty ka kryer shkollimin bazik, por edhe ka doktoruar në Francë. Por, nëse Artan Fuga (ose autoritete të përafërta me këtë kalibër) do të bëhej ministër arsimi, kryeministri Rama nuk do të mund të përzihej në arsim. Çfarë, do të mund ta mësonte Edi Rama Artan Fugën për çështje arsimi? Por, le ta zëmë, se ky nuk ka qenë motivi për ta përjashtuar si mundësi për ministër Arsimi Artan Fugën apo artanfugat e tjerë. Le ta zëmë që droja e kryeministrit Rama ka qenë se në rast se Artan Fuga bëhet ministër Arsimi, ai do t’u futet reformave të thella të arsimit, të cilat mund të ishin të papërballueshme për qëndrueshmërinë e qeverisë. Reformat e thella kërkojnë sakrifica të mëdha dhe janë zakonisht të rrezikshme për qëndrueshmërinë e qeverisë. Nëse kryeministri do të këtë pasur një frikë të tillë, atëherë ka pasur në opsion të vendosë për ministër ndonjë aktivist partiak, ta zëmë Musa Ulqinin, të cilin unë e njoh për aktivistin më të devotshëm partiak në Shqipëri. Ndoshta në Shqipëri ka aktivistë shumë më të devotshëm se Musa Ulqini, por unë këtë e njoh si të tillë, prandaj po ia përmend emrin në shembullin tim. Cili do të ishte problemi i kryeministrit në këtë rast? Musa do t’i shihte proceset në arsim në ditën e interesave të partisë, dhe mund t’i bënte vërejtje kryeministrit se kjo ose ajo lëvizje politike në fushën e arsimit mund t’i kushtonte vota partisë. E kryeministri Rama, duke mos pasur durimin as të përcjellë hapat reformatorë të Artan Fugës e as të dëgjojë vërejtjet e Musa Ulqinit (për këtë të fundit është i interesuar vetëm që ta ketë në parti që të kujdeset për aktivistët dhe votat e partisë), ai do që të jetë vetë ministër i Arsimit. Prandaj, ai përzgjedh Besa Shahinin, e cila nuk është as artanfugë as musaulqin, por është thjeshtë një asistente teknike, mjaftueshëm inteligjente, në Ministrinë e Arsimit, që nënshkruhet si ministre në vendimet që i merr Edi Rama. Zaten, çfarë pritet të bëjë tjetër një vajzë inteligjente në pozicionin e saj? Të kundërshtojë kryeministrin?! Të japë dorëheqje!? Vallë a ka ajo autoritet të mjaftueshëm, që në një rast të tillë, të çohen në protesta studentët e profesorët e të kërkojnë kthimin e ministres së tyre të dashur në post?!

Natyrisht, Presidentit Ilir Meta nuk i ka penguar që kryeministri Rama të jetë de facto edhe ministër Arsimi, edhe ministër Kulture, por tek ministri i Jashtëm ndryshon pakëz puna. Ky post futet edhe në hisen e presidentit.

Politikën e jashtme të një vendi e bëjnë Presidenti, Kryeministri e ministri i Jashtëm. Frika e presidentit Meta ishte jo aftësitë që Edi Rama ia përshkruan Gent Cakajt, por një aftësi e tij e veçantë – e kjo është aftësia e Gent Cakajt që vendimet e Edi Ramës, si de facto ministër i Jashtëm, t’i shesë për vendime të veta. Në këtë rast, Edi Rama do të kishte mundësi që të fliste me dy gojë: me gojën e vet dhe me gojën e Gent Cakajt. Kjo për presidentin Meta ishte e tepërt, andaj bëri çfarë bëri dhe ia mbylli njërën gojë. Tani kryeministri Rama është më i zhveshur si autokrat, ndërsa presidenti Meta ka dy përfitime: e para, ka përfituar zemrat e antikosovarëve në Shqipëri dhe, e dyta, ka përfituar zemrat e kosovarëve në Kosovë, pasi arsyetimi i tij se ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk guxon ta përkrahë copëtimin e Kosovës është një gjë që i prekë në tel kosovarët.

Përndryshe, konflikti i hapur Rama-Meta është konflikti ndërinstitucional i treti me radhë në historinë e Shqipërisë si shtet. I pari konflikt ishte mes Princit Wilhelm Wied-it (1876-1945) dhe ministrit të Brendshëm dhe të Luftës, Esat Toptani (1864-1920), më 1914, që përfundoi me largimin e Esat Toptanit. I dyti ishte mes kryeregjentit Mehdi Frashëri (1874-1963) dhe ministrit të brendshëm Xhafer Deva (1904-1978) më 1944, që përfundoi me largimin Xhafer Devës. (Konflikte jo të hapura kishte më shumë). E veçanta e këtij konflikti është se është i pari që shpërfaqet në fushën e politikës së jashtme./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne