Lufta që nuk ndodhi

Nga Dr. Sabri Kiçmari

1. Pikëpyetja

Në verën e vitit 1993 politologu amerikan Samuel P. Huntington botoi esenë e tij të njohur „The Clash of Civilisations?“ në revistën prestigjioze amerikane “Foreign Affairs”. Edhe Huntingtoni ndoqi të njëjtën skemë si Fukuyama katër vite më parë: Titullit të esesë së tij “Lufta e civilizimeve?” i vendosi pikëpyetjen. Tri vite më vonë kur e botoi librin me titull “Lufta e civilizimeve dhe ribërja e rendit botëror” ai e shmangu pikëpyetjen. A ka pasur të drejtë Huntington ta heqë pikëpyetjen në librin e tij? Kësaj pyetje do të mundohemi t’i japim përgjigjie përmes këtij recensioni.

Esenë e tij Huntington e fillon me hipotezën se burimi themelor i konfliktit në botën bashkëkohore nuk do të jetë në radhë të parë ideologjik ose ekonomik, por kulturor: “Shtetet kombëtare do të mbeten aktorët më të fuqishëm në politikën botërore, por konfliktet kryesore në politikën botërore do të jenë ato në mes të kombeve dhe grupeve të civilizimeve të ndryshme. Lufta e civilizimeve do ta dominojë politikën globale. Kufijtë në mes të civilizimeve do të shndrrohen në kufijë betejash të së ardhmes.”

Tezat e Huntingtonit u botuan dy vite pas shpërbërjes së BRSS, pas rënies së Murit të Berlinit dhe shndrrimeve rrënjësore sistemore në Evropën e Lindjes. Tezat e tij pa dilemë prekën nervin e kohës. Ato janë lehtë të kuptueshme dhe paraqesin një paradigmë sfiduese në analizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai përdor një instrument interesant prognozues për konfliktet. Rëndësia e tezave të Huntingtonit është parashikimi i një rend të ri botëror konfliktual në mes të civilizimeve.

Reagimet e shumta kundër tezave të tij në “Foreign Affairs” e shtynë Huntingtonin që të shpjegonte më gjerësisht pikëpamjet e tij përmes librit “Lufta e civilizimeve dhe ribërja e rendit botëror”, i cili u botua në vitin 1996, tri vite pas botimit të esesë. Libri i Huntingtonit është i ndarë në pesë pjesë, përmban 17 tabela, 9 figura dhe 6 harta. Ndryshe nga libri i Fukuyamas, titujt e librit të Huntingtonit kanë përmbajtje shkencore dhe jo publicistike. Përderisa teknika e analizës te Fukuyama është më shumë filozofike, Huntingtoni përdorë teknikën politologjike të analizës.

Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Qendrën Tragtare në New York u krijua një klimë e tillë politike ndërkombëtare, e cila do të ndikonte në marrjen shumë me seriozitet të tezave të Huntingtonit. Libri i tij u bë një bestseller. U botua në 26 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Nuk ka pothuajse asnjë libër tjetër, që nga 11. 09. 2001, që është diskutuar në mënyrë më kontraverse se sa libri i tij. Nuk ka një teori tjetër që ka polarizuar kaq shumë. Për disa studiues ai është një përfaqësues i ideologjisë konservative luftënxitëse, për të tjerët një përfaqësues i postrealizmit dhe parashikues i jashtëzakonshëm. Cila është e vërteta? Diku në mes! Libri i tij nuk është as një profeci e jashtëzakonshme dhe as një libër që duhet hedhur poshtë.

Huntingtoni konstaton se ndryshimet dramatike që ndodhën me rastin e përfundimit të Luftës së Ftohtë sollën deri te një proces rikonfigurimi kulturor të shteteve: “Kultura dhe identiteti kulturor, të cilat në rrafsh të gjërë janë identitete qytetëruese, janë duke krijuar modelet e kohezionit, dezintegrimit dhe konfliktit në botën e pas Luftës së Ftohtë.” Sistemi bipolar që mbizotëroi deceniet e Luftës së Ftohtë, sipas Huntingtonit i ka lëshuar vendin sistemit multipolar. Popujt po e definojnë veten “në bazë të origjinës së tyre, religjionit, gjuhës, historisë, vlerave kulturore, zakoneve dhe institucioneve të tyre. Ata po identifikohen me bashkësitë e tyre kulturore: fiset, grupet etnike, bashkësitë religjioze, kombet dhe në rrafshin më të gjërë me civilizimet e tyre.” Pra, civilizimet po e fitojnë primatin. Me këtë po ravijëzohen edhe konfliktet e së ardhmes. Ai konstaton se edhe politika globale po rikonfigurohet sipas kufijve të civilizimeve. Popujt dhe shtetet me kultura të ngjajshme po afrohen mes vete. Rreshtimet mbi baza ideologjike po i lëshojnë vendin rreshtimeve mbi baza qytetëruese sipas përkatësisë etnike, religjioze dhe civilizimit. Në botën bashkëkohore identiteti civilizues do të mbetet faktori qendror i aleancës dhe antagonzimit.

2. Shtatë ose tetë civilizime?!

Sociologu Norbert Elias konsiderohet themelues i Teorisë së Civilizimit. Në librin e tij “Mbi procesin e civilizimit” ai përshkruan ndryshimin afatgjatë të strukturave të personalitetit, i cili është rezultat i ndryshimit të strukturave sociale. Profesori i antropologjisë Larry E. Sullivan e definon civilizimin si “një grup të njerëzve që e konstituojnë një kulturë ose një bashkësi. Civilizimet pretendojnë të bëhen kultura të avansuara me struktura sociale të shumëllojshme, sistem ligjor të zhvilluar dhe mundësi të shumta ekonomike, edukative dhe kulturore. Qytetarët e tyre ndajnë vlera, norma dhe besime të përbashkëta dhe e konsiderojnë veten superior në raport me njërëzit në shoqëritë më pak të zhvilluara ose ato primitive.”

Sipas Huntingtonit historia botërore është histori e civilizimeve. Civilizimet ai i definon si entitete kulturore që jetojnë gjatë, më gjatë se mbretëritë, qeveritë, lëvizjet politike dhe ideologjitë. Si entitete kulturore civlizimet “nuk kanë sistem drejtësie, nuk mbledhin tatime, nuk negociojnë traktate ose gjëra të tilla që bëjnë qeveritë.” Mbi këtë bazë ai parasheh ndarjen e “shtatë ose tetë civilizimeve të mëdha”, të cilat do të luftojnë, konkurojnë dhe ndeshen mes vete: civilizimi sinik (kinez), japonez, hindu, islamik, ortodoks, perëndimor, latino-amerikan dhe (ndoshta) afrikan.

Civilizimi japonez – është civilizimi më unik. Japonia është shtet, civilizim dhe kulturë me vete. Veçantia e Japonisë dëshmohet me dallimet e mëdha kulturore nga të tjerët dhe me një shoqëri shumë homogjene. Civilizimi japonez karakterizohet me atë se i kushtohet më pak rëndësi individit se sa marrëdhënieve ndërnjerëzore përkatësisht bashkësive, raporti me religjionin është më i dobët se në perëndim dhe vështirë i dallueshëm mes vete në mes të shinteizmit dhe budizmit, synohet harmonia në shoqëri, karakterizohet me mungesën e një ideologjie politike autoktone si në rastin e perëndimit (liberalizmi), e cila do të mund të eksportohej te shoqëritë tjera etj..

Civilizimi ortodoks – e ka Rusinë si shtet bërthamë. Në këtë civilizim sipas Huntingtonit bëjnë pjesë: Rusia, Belorusia, Ukraina, Gjeorgjia, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Rumania, Bullgaria, Moldavia, Kazakstani etj. Huntingtoni nuk e nënvizon faktin se statusin e shtetit bërthamë Rusisë nuk ja njohin dy vende fqinje të saj: Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat kanë një sens pavarësie në raport me Moskën. Poashtu është fakt se shumica e vendeve ortodokse synojnë integrimin në strukturat perëndimore. Karakteristikë e civilizimit ortodoks është një rikthim i fuqishëm drejt religjionit pas rënies së socializmit në Bashkimin Sovjetik dhe RSFJ, i kombinuar me nacionalizmin. Larmia etnike ka ndikuar në zhvillimin e mentaliteteve të ndryshme brenda civilizimit ortodoks. Besimi në fat, bestytnitë, mentaliteti ‘krejt ose asgjë’, i cili nuk njeh kompromisin ose mesin e artë, shpërfaqja hapur e ndjenjave në kundërshtim me racionalitetin, lidhja e fortë me atdheun dhe ndjenja e përbashkësisë përkatësisht kolektivizmit, përparësia e bashkësisë para individit janë disa nga karakteristikat e këtij civilizimi.

Civilizimi sinik (kinez) – e ka Kinën si vend udhëheqës, në të cilin përfshihen edhe Korea, Vietnami, Tibeti, Hong Kongu, Taivani, Singapori, si dhe me ndikim të madh edhe në Tailandë, Vietnam, Malajzi, Indonezi dhe Filipine, ku ka popullsi të shumtë kineze. Shoqëritë sinike përshkohen në masë të madhe nga etika konfuciane, e cila nënvizon vlerat e autoritetit, hierarkisë, nënshtrimin e të drejtave individuale interesave të përgjithshme, rëndësinë e koncenzusit, shmangien e konfrontimit, “ruajtjen e fytyrës” dhe në përgjithësi supremacinë e shtetit mbi shoqërinë dhe shoqërisë mbi individin. Sipas Huntingtonit në shumë nga këto shoqëri evolucioni shoqëror matet në terma të shekujve dhe mileniumeve.

Civilizimi islam – karakterizohet me mungesën e një shteti bërthamë dhe sistem të decentralizuar. Tri strukturat fundamentale origjinale të civilizimit islam janë familja, fisi dhe bashkësia religjioze. Tribalizmi dhe religjioni luajnë një rol determinues në zhvillimin social, ekonomik, kulturor dhe politik në shoqëritë islame. Karakteristikë dalluese e islamit nga religjionet tjera është se idenë e shtetit kombëtar e konsideron jokompatibile me besimin në sovranitetin e allahut. Sipas Huntingtonit muslimanët e përceptojnë kulturën e perëndimit si materialiste, të korruptuar, dekadente, brutale, represive, dhe imorale. Në kohën e Luftës së Ftohtë oponenti i tyre kryesor ishte “komunizmi i pafe”, në kohën e pas Luftës së Ftohtë muslimanët e shohin si oponent të tyre “perëndimin e pafe.” Islami nuk e njeh barazinë në mes njerëzve, sidomos ndaj jobesimtarëve dhe femrave. Të gjashtë shtetet e mundshme si shtete bërthamë të Islamit (Indonezia, Egjipti, Irani, Pakistani, Arabia Saudite dhe Turqia) nuk mund të luajnë këtë rol për arsye se atë nuk ua pranojnë shtetet tjera islame.

Civilizimi hinduist – e ka si bërthamë shtetërore Indinë. Ai konsiderohet si një nga civilizimet e vjetra, i cili daton që nga viti 1500 para erës sonë, me një status qendror në subkontinetnin indian. Karakteristikë e civilizimit hinduist është se ai konsiderohet vërtetë më shumë një civilizim se sa një religjion ose sistem social. Rreth 1 miliardë njerëz i përkasin këtij civilizimi. Shumica e njerëzve të këtij civilizimi janë të bindur se jeta dhe vdekja rrjedhin në një qark dhe besojnë në reinkarnacion. Rendi i kastave dhe hierarkia sociale dominojnë, sipas të cilave gjallesat që nga lindja ndahen mes vete sipas detyrës, të drejtave, obligimeve dhe aftësive.

Civilizimi latino-amerikan – nuk ka një shtet bërthamë. Shumica e popullsisë e ka prejardhjen nga civilizimi perëndimor. Civilizimi latinoamerikan ka ndjekur një rrugë të ndyrshme nga Evropa dhe karakterizohet me një kulturë korporatiste, autoritare, dominim të gjuhës spanjolle, përkatësi religjioze të krishterë, ruajtja e disa formave të politeizmit te popullsia indigjene, një rrugë e veçantë e zhvillimit ekonomik dhe politik e përcjellë edhe me tentime për etablimin e sistemit diktatorial, mosstabilitet politik dhe dhunë në disa shtete të këtij rajoni. Amerika Latine nuk e ka etabluar gjithanshëm sistemin e sekularizmit dhe në disa vende kisha luan rol të rëndësishëm në sistemin arsimor dhe atë të mbrojtjes sociale.

(Ndoshta) Civilizimi afrikan – Huntingtoni nuk është i sigurt nëse duhet njohur si civilizim më vete civilizimin afrikan. Në qoftë se është e njohur se në veri të Afrikës ka një ndikim të fuqishëm të civilizimit islam, në jug të Afrikës ka veçori civilizuese të dallueshme nga të shtatë civilizimet e tjera dhe afrikano-jugorët në asnjë rast nuk do të duhej hamendur për t’i njohur si civilizim më vete vetëm për faktin se civilizimi perëndimor është munduar të injektojë normat dhe vlerat e tij përgjatë procesit të kolonializmit. Civilizimi afrikan karakterizohet me një prirje të fuqishme ndaj familjes dhe fisit. Në disa shoqëri afrikane sundon matriarkati. Individi ka raport altruizmi me familjen dhe fisin, përderisa raporti i tij me shtetin ka filluar të zhvillohet përgjatë procesit të dekolonializmit. Shumica e këtyre shoqërive janë statike me një sistem dobët të zhvilluar të mobilitetit social.

Civilizimi perëndimor – sipas Huntingtonit ka si bërthamë të tij SHBA. Ky civilizim filloi të forcohej në shekullin e VIII dhe IX të erës sonë. Një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij civilizimi ka luajtur renesansa evropiane, iluminizmi, pluralizmi social, tregtia dhe arritjet teknologjike. Perëndimi kontrollonte në vitin 1914 rreth 84% të territorit të botës, duke ju falenderuar aftësisë së tij për të organizuar dhe ushtruar dhunën. Gjatë luftës së Ftohtë civilizimi perëndimor kualifikohej si botë e lirë. Në të përfshihen Amerika e Veriut, Evropa Perëndimore, Australia dhe Zelanda e Re. Ky civilizim karakterizohet me lirinë, barazinë, demokracinë, ekonominë e tregut, individualizmin si dhe prirjen për të mos i besuar qeverisë, për të sanksionuar të drejat e njeriut dhe laicizmin.

Nga ndarja e mësipërme e Huntingtonit mund të konstatojmë se ai është ndikuar nga Max Weberi në sistemit e tij të klasifikimit të religjioneve botërore. Huntingtoni është kritikuar se nuk e bënë dallimin në mes të kulturës dhe religjionit, se ai mendon se civilizimet janë identike me religjionet botërore, se ai e ka vendosur kulturën jashtë kontekstit.

Në fakt kritika e drejtpërdrejtë që mund t’i adresohet Huntingtonit është pasiguria e tij shkencore që nga definimi i nocioneve që përdorë, e deri te formulimet e veçanta shkencërisht të paqëndrueshme. Kjo vërehet që në fillim të librit të tij, me rastin e numërimit të civilizimeve: ai nuk është i sigurtë nëse fjala është për shtatë apo tetë civilizime në botë. Civilizimet e numëruara nga Huntingtoni nuk pasqyrojnë larminë civilizuese në botë. Po numërojmë një shembull konkret: popullsitë indigjene në ishujt e Paqësorit. Ato kanë një religjion, kulturë dhe civilizim krejt të dallueshëm nga të tetë civilizimet e numëruara nga Huntingtoni. Popullsitë melaneze (në Papua Guinenë e Re, Ishujt Solomon, Fixhi, Vanuatu, Nauru), mikroneze (Samoa, Tonga, Ishujt Kok, Tuvalu) dhe polineze (Mikronezia, Palau, Ishujt Marshall dhe Kiribati), edhe pse kanë përqafuar në shumicë religjionin e krishterë, kanë dallime të mëdha qytetëruese me të tetë civilizimet e përmendura, dhe do të duhej numëruar si civilizim më vete.

Huntingtoni mund të kritikohet se aplikon një sistem të thjeshtë kordinatash. Ai përdor kategori jounike në ndarjen e hartës botërore: kështu civilizimi islam, ortodoks dhe hinduistik emërtohen bazuar në religjion, civilizimit perëndimor i jep karakter gjeografik, civilizimin ameriko-latin e bazon në një rajon gjeografik dhe kulturor, civilizimin japonez e definon si unik të vendosur në një shtet të vetëm, përderisa civilizimit sinik i atribuon karakteristika historike, kulturore dhe religjioze. Ky sistem i civilizimeve i përshkruar nga Huntingtoni mbetet i diskutueshëm.

3. Civilizimi universal

Edhe pse nuk thuhet në mënyrë të qartë, lexuesi i vëmendshëm lehtë mund ta konstatojë se libri i Huntingtonit është një lloj polemike me tezat e Fukuyamas. Huntingtoni parasheh një botë jostabile, anarkike, me luftëra dhe konflikte. Fukuyama parasheh një botë demokratike liberale, që e shmang luftën, si realizim të teorisë së fundit të historisë dhe paqes demokratike. Pas rënies së komunzimit u forcua bindja te vendet perëndimore se ideologjia e demokracisë liberale ka triumfuar në rrafshin global. Me këtë është arritur “fundi i historisë.” Ky lloj botëkuptimi transmetohej edhe si një lloj ftese për popujt jo-perëndimor që të drejtoheshin te vlerat perëndimore të demokracisë liberale, tregut të lirë, të drejtave të njeriut, individualizmit, shtetit të së drejtës etj. Por, sipas Huntingtonit, shumë nga shoqëritë joperëndimore e përceptojnë këtë si një thirrje imperialiste: “Ajo që është unversalizëm për perëndimin është imperializëm për të tjerët.”

Në fakt, në botën politike dhe ekonomike bashkëkohore ka një trend të krijimit të një lloj civilizimi universal. Ka disa vlera që kanë natyrë universale të pranueshme për të gjitha kulturat si: qëndrimi kundër vrasjes dhe dhunës, respektimi i familjes, morali shoqëror për të mirën dhe kundër së keqes. Në këtë kontekst filozofi amerikan Michael Walzer e bën dallimin në mes të “moralit të dendur” dhe “moralit të rrallë.” I pari vlen për raportet morale brenda civilizimeve të veçanta, kurse i dyti do të përfshinte rregullat e arta universale që vlejnë paralelisht për të gjitha civilizimevet. Ai pledon për një etikë minimale gjithëbotërore.

Por, koncepti për civilizimin universal keqkuptohet dhe keqpërdoret lehtë. Në perëndim me civilizim universal nënkuptohet ajo që Huntingtoni e quan “Kultura e Davosit”. Çdo vit në Davos mblidhen biznismenë, bankierë, zyrtarë qeverish, intelektualë dhe gazetarë në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, të cilët kanë shkollime të larta në fizikë, shkenca sociale, biznes ose drejtësi, flasin anglisht dhe ndajnë mes vete vlera të tilla si individualizmi, ekonomia e tregut dhe demokracia liberale.

Huntingtoni është skeptik se një lloj i tillë i civilizimit gjithëbotëror mund të etablohet në nivel global. Dy elementet kryesore që e përshkojnë një civilizim janë gjuha dhe religjioni. Gjuha angleze, përkundër shpërndarjes masive në 67 shtete si gjuhë zyrtare, flitet nga rreth 840 milionë e popullsisë së botës, përderisa gjuha kineze flitet nga rreth 1 051 milionë njerëz, por nuk ka shpërndarje në nivel tejkontinental si gjuha angleze. E njëjta gjë vlen edhe për religjionin: religjioni i krishterë që ka një shpërndarje më të gjerë në botë prej rreth 31.5%, nuk pranohet nga rreth 68,5% e popullsisë së botës dhe nuk ka gjasa për një shpërndarje të tillë në nivel botëror, që do të përbënte shumicën e thjeshtë në nivel gjithëbotëror.

Në fakt ideja e civilizimit universal përceptohet si një ideologji perëndimore nga civilizimet tjera. Karakteristikat e civilizimit perëndimor si trashëgimia klasike (filozofia greke dhe racionalizmi, ligji romak dhe latin), katolicizmi dhe protestantizmi, gjuhët e shumta evropiane, sekularizmi, shteti i së drejtës, pluralizmi, individualizmi, nuk pranohen si të tilla nga civilizimet tjera. Prandaj Huntington e formulon skemën ndarëse: “Perëndimi dhe të tjerët!” (Angl. “The West and the Rest”). Fakti se perëndimi, pas fitores së Luftës së Ftohtë, ka arritur “të shtrijë dominimin e tij në fusha të jetës politike, shoqërore, ekonomike, ushtarake dhe kulturore në botën bashkëkohore, të udhëheqë dhe operojë me sistemin ndërkombëtar bankar, të kontrollojë monedhat e forta, të jetë konsumatori kryesor botëror, të sigurojë shumicën e mallërave botërore, të dominojë tregun botëror, të ushtrojë udhëheqjen morale brenda shumë shoqërive, të jetë i aftë për intervenime masive ushtarake, të kontrollojë linjat detare, të drejtojë hulumtimet më të avansuara teknike dhe zhvillimore, të kontrollojë udhëheqjen e edukimit teknik bashkëkohor, të dominojë qasjen në hapësirë, të dominojë industrinë e hapësirës ajrore, të dominojë komunikimin ndërkombëtar dhe teknologjinë e lartë të industrisë së armatimit,” nuk e garanton a priori ruajtjen e supremacisë së tij në të ardhmen.

Zhvillimi i hovshëm i tigrave aziatikë (Japonia, Hong Kongu, Taivani, Korea e Jugut dhe Singapori) dhe Kinës, në deceniet e fundit, e sfidojnë këndvështrimin perëndimor për përparësinë e sistemit të tyre si variant të përsosur në nivel universal. Rritja ekonomike në Azi shpjegohet me variant autokton suksesi si produkt i kulturës aziate dhe superioritetit të saj në rrafshin social. Në këtë kontekst Huntingtoni citon themeluesin e shtetit të Singaporit z. Lee Kuan Yew, i cili kujtohet për politikën e tij të shkëlqyeshme zhvillimore, duke e transformuar Singaporin nga një vend të pazhvilluar, që i përkiste “Botës së Tretë”, në një vend të zhvilluar – pjesë e “Botës së Parë” dhe konsiderohet si një nga udhëheqësit më të sukseshëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të një vendi të vogël pas pavarësisë: “Konfucianizmi, rendi, disciplina, përgjegjësia ndaj familjes, puna e rëndë, kolektivizmi dhe modestia janë të kundërta me vlerat perëndimore si vetëkënaqja, individualizmi, krimi, edukimi inferior, mungesa e respektit për autoritetet, dhe eshtërimi mental….Sa shumë vlera dhe praktika komunitare të zbatuara në Azinë Lindore (Japoni, Kore, Taivan, Hong Kong dhe Singapor) janë dëshmuar si asete të rëndësishme për ta quar përpara procesin zhvillimor. Vlerat në të cilat mbështetet Azia Lindore si përparësia e interesit të grupit para interesit të individit ndihmon në zhvillimin e shpejtë të grupeve të përgjithshme.”

Një qëndrim të ngjajshëm mbajnë edhe shoqëritë islame. Edhe ato kërkojnë zgjidhjet e tyre jo në ideologjitë perëndimore, por në religjionin islam. Çështja te vendet islame bëhet më e komplikuar për shkak se ato e konsiderojnë islamin jo vetëm si religjion, por edhe si mënyrë jetese. Huntingtoni konstaton se modernizmi ka prodhuar fundamentalizmin islamik. Ai parasheh që të rinjë me edukim sekondar shkollor do të vazhdojnë të promovojnë rilindjen islame dhe militantizmin, militarizmin dhe migracionin islam. Si rezultat vitet e para të shek. 21 do të kenë një rigjallërim të fuqisë dhe kulturës joperëndimore gjë që do të rezultojë me një luftë në mes të qytetarëve të civilizimit joperëndimor me atë perëndimor. Do të krijohet një aleancë e shoqërive islamike dhe sinike kundër perëndimit”

Huntingtoni konstaton se Perëndimi e ka pushtuar dhe dominon botën jo me madhështinë e vlerave, ideve ose religjionit të tij, por me aftësinë për të përdorur dhunën ushtarake. Sipas tij perëndimorët shpesh e harrojnë këtë fakt, por joperëndimorët nuk e harrojnë kurrë këtë fakt. Ky formulim synon ta relativizojë teorinë protestante të Max Weberit, sipas së cilës sundimi i perëndimit bazohet në racionalitetin e oksidentit. Këndvështrimi im është së të dy operojnë me modele të thjeshtëzuara: Weberi me metodën e tij idealtipike, Huntingtoni me makroteorinë e tij, e cila i vështron kulturat në blloqe homogjene.

4. Lufta që nuk ndodhi

Në bazë të tezave të tij Huntingtoni projekton në fund të librit të tij një skenar të luftës botërore, e cila do të ndodhte sipas gjasave në të ardhmen e afërt (rreth vitit 2010). Një luftë e tillë do të zhvillohej ndërmjet civilizimeve të ndryshme. Sipas këtij skenari Koreja do të ishte ribashkuar, SHBA do t’i kenë tërhequr tashmë trupat e tyre nga Koreja e Jugut dhe zvogëluar ato në Japoni. Kina do të jetë bashkuar me Tajvanin dhe do t’i ndajë rezervat e naftës në Detin e Kinës Jugore me Vietnamin si dhe është në rrugë të realizimit të primatit të fuqisë në rajon. India e sulmon Pakistanin, i cili mbështetet nga Irani dhe shtetet tjera muslimane. Vie deri te një sulm i koncentruar i vendeve islamike kundër Izraelit, përderisa Japonia i pushton bazat e SHBA në Japoni pas sukseseve të Kinës në konfliktin SHBA –Kinë. Kjo shkakton frikë te Rusia, e cila i forcon trupat e saj në Siberi dhe fillon një konflikt ushtarak me Kinën. SHBA e mbështesin Rusinë dhe kërkojnë mbështetjen e Evropës, e cila i ofron mbështetje ekonomike dhe diplomatike, por jo ushtarake. Me qëllim të kërcënimit të vendeve të Evropës për të mos ndërhyrë në luftë, Kina dhe Irani prodhojnë armë atomike në Algjeri dhe Bosnje, përderisa Serbia marshon me forcat e veta në Bosnje dhe arrin te sigurojë armë bërthamore. Shqipëria dhe Turqia tentojnë të ndihmojnë Bosnjën, kurse Greqia dhe Bullgaria mësyjnë për të invaduar pjesën evropiane të Turqisë. Si hakmarrje fundamentalistët algjerianë hedhin një bombë atomike në Marseille, gjë që shkakton një seri sulmesh hakmarrëse të NATO-s në veriun e Afrikës. Me këtë ka filluar një luftë globale. Kjo luftë do të sjell deri te përdorimi i armëve nukleare, të cilat i posedojnë të dy palët, kështu që do të vie deri te shkatërrime substanciale te të dy palët. Huntingtoni thotë se ky skenar nuk është i paevitueshëm, por jo i pamundshëm.

Për të vërtetuar tezën e tij për luftën në mes të civilizimeve Huntingtoni përshkruan në këtë mënyrë raportet konfliktuoze: “Muslimanët dhe hindusët në Subkontinent, rusët dhe kaukazianët në veri të Kaukazit, armenët dhe turqit në Transkaukaz, arabët dhe çifutët në Palestinë, katolikët, muslimanët dhe ortodoksët në Ballkan, rusët dhe truqit nga Ballkani e deri te Azia Qendrore, singalezët dhe tamilët në Shri Lankë, arabët dhe zezakët në Afrikë, paraqesin relacione, të cilat nëpër shekuj kanë involvuar ndryshimet në mes të koegzistencës mosbesuese dhe dhunës vicioze.” Sipas tij konflikti i ardhshëm do të jetë ai në mes të muslimanëve dhe shoqërive aziate në njërën anë dhe perëndimit në anën tjetër. Burim i konfliktit do të jetë arroganca e perëndimit, joteleranca islamike dhe këmbëngulsia sinike (kineze).

Përmes tezave të tij për luftën ndërmjet civilizimeve Huntingtonin e rreshtojmë lehtë në shkollën realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare. Shkolla realiste bazohet në atë se “të gjitha shtetet dhe shoqëritë gjenden në një gjendje të tillë, në të cilën lufta është vazhdimisht e mundshme.” Konfliktet ndodhin nëse dy ose më shumë aktorë ndjekin qëllime të njëjta, të cilat janë të papajtueshme. Konflikti përfshin “interesat e kundërta (pozicione të ndryshme) në lidhje me vlerat nacionale (pavarësia, vetëvendosja, kufijtë dhe territori).” Edhe Huntingtoni argumenton ngjajshëm, vetëm se ai i zëvendëson vlerat nacionale me vlera kulturore. Sipas tij lufta e kulturave është një konflikt fisnor në shkallë globale.

Huntington konstaton se 19 nga 28 konflikte në mes të viteve 1990 ishin në mes të muslimanëve dhe jomuslimanëve: 11 kundër ortodoksëve dhe 7 me pasuesit e krishterimit. Sipas tij konfliktet në mes të Perëndimit dhe Islamit fokusohen më pak në territor e më shumë në çështje ndërcivilizuese si të drejtat e njeriut dhe demokracia, kontrolli i naftës, migracioni, terrorizmi islamik dhe intervenimi perëndimor. Huntingtoni e konsideron Luftën e Golfit (1991) si një luftë civilizimi: “Lufta e Golfit ishte lufta e parë në mes të civilizimeve.” Por, argumentet flasin kundër tezave të Huntingtonit: Lufta filloi për shkak se Iraku e sulmoi dhe pushtoi Kuvajtin. Aleanca perëndimore ndërhyri për të zmbrapsur Irakun agresor. Vetë Liga Arabe në gusht të vitit 1990 votoi me shumicë kundër aksioneve të Irakut (14 për, dy kundër, pesë abstenime.) Vendet islame si Egjipti, Turqia, Siria, Pakistani, Maroko dhe Bangladeshi kontribuan me një numër trupash në koalicionin kundër Irakut udhëhequr nga SHBA.”

Analizat shkencore bashkëkohore në lidhje me konfliktet nuk e vërtetojnë tezën e Huntingtonit për dominimin e luftërave në mes të civilizimeve. Sipas Institutit të Heidelbergut për Hulumtimin e Konflikteve Ndërkombëtare në vitin 2016 numri më i madh i luftërave ishte në Afrikën Subsahariane, pasuar nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Magrebit, Azia dhe Oqeania, Amerikat dhe Evropa. Në Evropë si luftë është regjistruar vetëm një – Lufta në Ukrainë. Në qoftë se analizojmë me kujdes barometrin e 18 luftërave të analizuara nga Instituti i Heidelbergut do të konstatojmë se shumica absolute e luftërave në Afrikën Subsahariane janë luftëra për dominim, kurse ato në Lindjen e Mesme dhe te vendet e Magrebit janë luftëra të grupeve që i përkasin të njëjtit civilizim. As lufta në Urkainë nuk mund të cilësohet si luftë në mes të dy civilizimeve. Ajo paraqet tendencën rusomadhe për ta mbajtur nën tutelë Ukrainën.

Perëndimi në vitet 1990 i konsideronte si shtete terroriste Iranin, Irakun, Sirinë, Libinë, Sudanin (të gjitha muslimane) dhe Kubën dhe Korenë e Veriut (vende jo muslimane). Si është gjendja sot, në vitin 2017? Irani dhe Sudani (përkundër pavarësimit të Sudanit të Jugut), njësoj si Kuba dhe Koreja e Veriut, gjenden në të njëjtën gjendje si në vitin 1996. Kjo nuk mund të thuhet më për Irakun, Sirinë dhe Libinë. Në Irak, Siri dhe Libi kanë ndodhur shndrrime rrënjësore politike dhe shoqërore, në të cilat një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe aktorët perëndimor. Karakteristikë e zhvillimeve pas Pranverës Arabe 2011 në këto shtete është shpërthimi i kontradiktave dhe konflikteve të brendshme, pra brenda të njëjtit civilizim, të cilat po përcillen me mosstabilitet politik dhe shoqëror. Katër nga pesë diktaturat komuniste të mbetura në botë gjenden në Azi. Timori Lindor ka fituar pavarësinë e tij në vitin 1999, kurse lëvizjet për pavarësi vazhdojnë edhe sot në Mindanao, Tibet, jugun e Tailandës dhe lindjen e Myanmarit, Aceh dhe Papua.

Kur u shkrua libri i Huntingtonit (1996), Kina ishte në rrugë për t’u bërë fuqi dominante në Azinë Lindore, kurse sot mund të konstatojmë se me ndikimin e saj zhvillimor në Azinë Lindore, rritjen e madhe ekonomike, me rolin qendror që kinezët etnikë luajnë në zhvillimin dhe ekonomitë e Singaporit, Tajvanit dhe Hong Kongut, Tailandës, Malajzisë, Indonezisë dhe Filipineve Kina e ka forcuar shumë ndikimin e saj në rajon. Ajo prandaj paraqet një sfidë reale për ShBA. Huntington konstaton me të drejtë se pothuajse në asnjë çështje të madhe politike SHBA dhe Kina nuk ndajnë objektiva të njëjta. Por, këto konflikte nuk i kanë rrënjët në kulturat e ndryshme të të dy shoqërive dhe shteteve, por në interesat e ndryshme ideologjike dhe gjeostrategjike.

Parashikimet se Rusia do të ndjek rrugën e ekonomisë së tregut dhe demokracisë liberale nuk doli i saktë. Në Evropën Juglindore Rusia ka lidhje shumë të forta me Serbinë. Me Armeninë e lidh interesi i mbrojtjes nga muslimanët në Nagornji Karabah. Paternalizmi i Rusisë shtrihet në Bellorusi, ku ka sens të dobët të identitetit kombëtar dhe shumica e banorëve e identifikojnë veten si rusë. Në Moldavi Rusia ushtron presion në lidhje me Transnistrinë. Ajo mban de fakto nën kontroll Osetinë Jugore dhe Abhazinë në Gjeorgji, e mban të ndezur konfliktin në Lindje të Ukrainës dhe e ka pushtuar Krimenë, kurse Çeçenia po mbahet e pushtuar dhe është thyer keq nga dhuna shtetërore e Moskës. Pra, rrjedhimisht Rusia ka një numër të madh problemesh të mprehta brenda vetë civilizimit ortodoks dhe është më se i diskutueshëm roli i saj prijës në rrethin e saj të civilizimit. Me këtë rast duhet pranuar një parashikim të saktë të Huntingtonit në lidhje me Ukrainën dhe Krimenë. Ai e vë re me të drejtë në vitin 1996 dallimin e madh në mes të pjesës perëndimore të Ukrainës nacionaliste, që e flasin ukrainishten dhe kanë orientim evropian, dhe pjesës lindore të Ukrainës, që flet rusisht, me identitet të fortë sllav dhe ortodoks. Në lidhje me konfliktin në Ukrainë Huntingtoni citon një gjeneral rus të ketë thënë: “Ukraina ose për më tepër Ukraina Lindore do të kthehet (në Rusi) pas pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë viteve. Ukraina perëndimore le të shkojë në djall!”

Huntingtoni ka të drejtë në konstatimin e tij se me përfundimin e Luftës së Ftohtë ka ardhur deri te forcimi i religjionit. Sidomos Islami dhe Ortodoksia po përjetojnë një valë ngritjeje, duke u shoqëruar edhe me një rritje të fundamentalizmit. Kjo mund të shpjegohet me vakumin që krijoi rënia komunzimit. Qytetarët në vendet ish-socialiste e vështronin komunizmin si një idol që po çmontohej në tërë skeletin e tij dhe mësynë një skelet të ri shoqëror: nacionalizmin dhe religjionin. Islami dhe Ortodoksia po forcohen me një frymë antiperëndimore, antisekulare dhe antiuniversale. Në këtë proces vërehen dy trende interesante: te ortodoksia kthimi drejt religjionit të ishkomunistëve fanatikë, kurse te islami të rinjtë po bëhen më religjioz se sa prindërit e tyre. Si duhet të gjendet perëndimi në këtë situatë? Jürgen Habermas me rastin e marrjes së Çmimit të Paqes të Librit Gjerman në vitin 2001 pati deklaruar se “ata të cilët dëshirojnë për të shmangur një “luftë në mes të civilizimeve” duhet të kenë parasysh dialektikën e pazgjidhur në procesin e sekularizimit në vetë perëndimin tonë.”

Hans Küng e vë në dyshim në princip nëse pas Luftës së Ftohtë dhe botës bipolare përmes forcimit të trendit drejt një bote multipolare mund të flitet sot për një model shpjegues global. Tezat për definimin e rendit bashkëkohor botëror mbeten ende objekt diskutimi në rrafshin shkencor. Pikëpamja ime është se rendi botëror është njëpolar dhe jo multipolar. Ndërhyrjet kundër Irakut (1991), kundër Serbisë (1999), kundër Irakut (2003), kundër Libisë (2011) dhe ato në Siri (2017) dëshmojnë se SHBA i përcakton linjat e veprimit në rrafshin ushtarak në politikën ndërkombëtare. Kjo nuk do të thotë se SHBA nuk sfidohen në rrafshin politik, ekonomik dhe ushtarak nga aktorë të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare, por fuqia e këtyre aktorëve është pakrahasimisht më e dobët se sa SHBA. Roli prijës i tyre do të mbetet edhe më tutje i pazëvendesueshëm në të tri këto rrafshe.

5. Huntingtoni për shqiptarët

Teza e luftës në mes të civilizimeve nuk vërtetohet as në rastin e vendeve të Evropës Juglindore. Në këtë rajon përfundimi i Luftës së Ftohtë shkaktoi një ristrukturim shtetëror. U shpërbë Federata e Jugosllavisë dhe lindën shtatë shtete të reja. Gjatë Luftës së Ftohtë Turqia dhe Greqia ishin anëtare të NATO-s, Bullgaria dhe Rumania ishin anëtare të Paktit të Varshavës, Jugosllavia anëtare e Lëvizjes së Mosinkuadrimit, kurse Shqipëria një kohë në aleancë me Kinën dhe më pas krejtësisht e izoluar. Huntingtoni parasheh një aleancë ortodokse greko-serbo-bullgare. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Parashikimi i Huntingtonit nuk doli i saktë. Sot Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania dhe, me gjasë, shpejt edhe Mali i Zi, janë anëtarë të NATO-s, kurse Kosova pritet të anëtarësohet në të ardhmen. Sllovenia dhe Kroacia me shumicë katolike, bashkë me Bullgarinë dhe Rumaninë me shumicë ortodokse janë anëtare të BE. Dy shtetet tjera me shumicë ortodokse Mali i Zi dhe Serbia synojnë të anëtarësohen në BE, ashtu si edhe Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia mjaft plurale në rrafshin religjioz. Greqia me shumicë ortodokse e bllokon pranimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, kurse Bullgaria dhe Mali i Zi me shumicë ortodokse dhe Maqedonia plurale në rrafshin religjioz e kanë pranuar Republikën e Kosovës, përkundër thirrjeve të Serbisë dhe Rusisë ortodokse për të mos e bërë këtë gjë.

Edhe në rastin e Luftës së Kosovës nuk janë vërtetuar tezat e Huntingtonit. Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999 gjeti mbështetje masive nga SHBA, BE, NATO dhe vendet tjera perëndimore, kurse fare pak mbështetje konkrete nga vendet islame. Ajo u njoh masivisht pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2008 nga shumë vende të civilizimit perëndimor, por jo në masë të mjaftueshme nga vendet islame. Në qoftë se mbështetja gjatë luftës erdhi si rezultat i ruajtjes së karakterit çlirimtar të luftës së UÇK, duke shmangur çdo lloj tentimi për t’i dhënë karakter religjioz luftës për liri dhe pavarësi, mbështetja përgjatë procesit të shtetkrijimit është rezultat i një qëndrimi unik properëndimor të shoqërisë së Kosovës.

Huntington boton në faqen 159 të librit të tij hartën ndarëse në mes të civilizimeve në Evropë. Sipas kësaj harte Evropa ndahet në mes të Ortodoksisë dhe Islamizmit në njërën anë, përballë Perëndimit në anën tjetër. Kjo hartë pasqyron ndarjen e Perandorisë Romake në shekullin e 4-të. Ajo fillon në kufirin në mes të Finlandës dhe Rusisë, vazhdon vija ndarëse në mes të Rusisë dhe vendeve baltike, e ndanë Belorusinë, Ukrainën dhe Rumaninë përmes, thyhet nëpër kufirin e Bosnjës dhe përfundon në Detin Adriatik në kufirin në mes të Kroacisë dhe Malit të Zi. Ai shkruan se ky kufi përfaqëson edhe ndarjen historike që ka egzistuar në mes të Perandorisë Osmane dhe asaj Austro-Hungareze. Këtë ai e konsideron si kufi kulturor të Evropës dhe kufi politik dhe ekonomik të Perëndimit dhe Lindjes.

Sigurisht që një ndarje e tillë ka plot pikëpyetje? Shqiptarët bëjnë një përjashtim. Ata paraqesin një gjendje sui generis. Kultura shqiptare është e dallueshme nga kulturat përreth: kryeheroi kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (i krishterë), që luftoi kundër osmanëve (islamë), shqiptarët ju përkasin tri religjioneve të ndryshme dhe karakterizohen me një harmoni tradicionale ndërfetare, me një shkallë të lartë areligjioziteti faktik (sidomos në Shqipëri) dhe me një ndarje të fortë në mes të religjionit dhe shtetit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Shqiptarët e konsiderojnë vetën kulturalisht dhe në rrafshin e civilizimit pjesë të perëndimit.

Në librin e tij Huntington bënë një paralele në mes të konfliktit shqiptaro-serb dhe palestinezo-izraelit. Ai konstaton se nuk mund të ketë një zgjidhje të lehtë të çështjes territoriale në mes të shqiptarëve muslimanë dhe serbëve ortodoks në lidhje me Kosovën ose në mes të çifutëve dhe arabëve në lidhje me Jerusalmenin, pasi që territori përkatës ka kuptim historik, kulturor dhe emocional për të dy popujt. Së pari në formulimin e tij ka një shmangie nga e vërteta shkencore: Shqiptarët në Kosovë nuk janë vetëm muslimanë, por edhe të krishterë dhe një numër i konsiderueshëm jobesimtarësh. Pra, shqiptarët në Kosovë nuk mund të definohen vetëm si muslimanë. Së dyti, koha do ta vërtetonte shpejt se konflikti në Kosovë është shumë më lehtë i zgjidhshëm se sa ai në Palestinë.

Huntingtoni bënë një parashikim të saktë në lidhje me rritjen demografike të shqiptarëve ashtu siç e parashikon edhe eskalimin e situatës në Kosovë. Sipas tij përqindja e të rinjëve shqiptarë do të bie në fillim të shekullit, por megjithatë rritja rapide demografike e tyre “shkakton shqetësime sigurie te serbët, grekët ose italianët.” Ai parasheh saktësisht se shqiptarët në Kosovë do të mënjanojnë “pozicionin aktual paqësor” dhe se një konflikt në mes të Kosovës dhe Serbisë është më se i mundshëm.

Kështu i përshkruan Huntingtoni rrethanat në Kosovë: “Në Kosovë muslimanët shqiptarë vuajnë keq nga ligji serb dhe po e mbajnë qeverisjen e tyre paralele ilegale, me mundësi të madhe në shpërthimin e dhunës në mes të dy grupeve.” Siç e shohim edhe nga citati i mësipërm shqiptarët për Huntingtonin vendosen në skemën e tij muslimane, pavarësisht se ju përkasin tri religjioneve të ndryshme, kanë një harmoni tradicionale ndërreligjioze dhe kishin (në kohën kur është shkruar libri i tij) dhe kanë edhe sot një orientim të qartë properëndimor.

Luftën që pritej të ndodhte në Kosovë Huntingtoni e konsideron si luftë në mes të civilizimeve. Ai shkruan se Kosova ishte një krahinë autonome “brenda Republikës së Serbisë” me fuqi faktike si të gjashtë republikat jugosllave me përjashtim të së drejtës për shkëputje. Shkalla e lindshmërisë te shqiptarët, e cila ishte më e larta në Evropë, sipas tij solli situatën që në Kosovë popullsia të ishte më e dendura në Jugosllavi. Në vitet 1980 afër 50% e shqiptarëve ishin më të rinjë se 20 vjeç. Ai më tej shkruan se një numër i serbëve emigruan nga Kosova për të shfrytëzyur mundësitë më të mira ekonomike në Beograd dhe kudo tjetër. Si rezultat, ne vitin 1991 Kosova kishte 90% muslimanë dhe 10% serbë. Serbët, megjithatë e shohin Kosovën si vendin e tyre të shenjtë ose Jerusalemin e tyre, në mes të tjerave bazuar në Betejën e Fushë Kosovës të 28 Qershor të vititi 1389, “kur ata u mundën nga osmanët turq dhe si rezultat ju nënshtruan sundimit osman për pesë shekuj.”

Në formulimin e mësipërm të parafrazuar dallohen një numër të dhënash reale dhe asosh të pasakta të Huntingtonit. Ai e përshkruan me objektivitet zhvillimin demografik në Kosovë dhe shkaqet e shpërnguljes së serbëve nga Kosova, gjë që solli në ndryshimin e strukturës demografike në Kosovë. Por, ai konstaton gabimisht se Kosova kishte fuqi faktike si të gjashtë republikat në Federatën Jugosllave. Kosova konsiderohej njësi federale, por edhe pjesë e Serbisë, gjë që e kufizonte seriozisht statusin e saj të barabartë në Federatë. Në këtë pasus Huntingtoni përzgjedh kategorinë etnike definuese për serbët, kurse për shqiptarët kategorinë religjioze. Kjo është një pakujdesi e madhe në rrafshin shkencor. Edhe formulimi për Betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389 dëshmon se Huntingtoni nuk është njohës i historisë së rajonit. Beteja e Kosovës ka qenë një betejë e humbur e popujve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane dhe jo betejë serbe. Dhe ajo që i mungon këtij formulimi është e dhëna se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, të cilët u gjendën në trojet e tyre me rastin e ardhjes së fiseve sllave në shekujt VI dhe VII.

Huntington konstaton se civilizimet paraqesin “Ne- Bashkësitë” më të mëdha shoqërore: ato paraqesin hierarkinë më të lartë të identitetit dhe kanë jetëgjatësinë më të madhe. Në mënyrë të veçantë religjioni luan rol në përcaktimin e përkatësisë civilizuese, dhe ka më shumë rëndësi se sa etniciteti: Njeriu mund të jetë gjysëm-francez dhe gjysëm-arab, por jo gjysëm-katolik ose gjysëm-musliman. Huntingtoni me këtë rast nuk e vë re se te kombe të caktuara, siç është rasti te kombi shqiptar, përkatësia kombëtare shqiptare ka shumë më shumë rëndësi se sa ajo fetare sipas sentencës së Pashko Vasës “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”

6. Kritikë teorisë së Huntingtonit

Libri i Huntingtonit nuk i plotëson të gjithë parametrat e një libri shkencor nga fusha e shkencës politike. Këtë fakt e pranon edhe vet ai. Ky libër është vetëm një interpretim i politikës globale pas Luftës së Ftohtë. Studiuesi i kujdesshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare pas leximit të librit të Huntingtonit do të konstatojë se Huntingtoni i tejçmon kufijtë e civilizimit. Duke hyrë në rrafshin e parashikimit të zhvillimeve shoqërore, ai nuk ju përmbahet as këshillave të Karl Poperit për orientimin në të dhënat empirike dhe riprovimin si mekanizma të shmangies së mundësisë së falcitetit në shkencat shoqërore. Në rrafshin gjuhësor dhe përmbajtësor tezat e Huntingtonit janë një apel në botën e ndjenjave të lexuesit. Shprehjet e Huntingtonit janë plakative, tezat e tij janë njëdimensionale dhe të thjeshtëzuara. Librit i mungon një sistem i qartë dhe rëndohet me përsëritje të shpeshta të tezave. Lexuesit i krijohet një pamje e frikshme të një luftë të madhe shkatërrimtare në mes të civilizimeve.

Koncepetet e Huntingtonit janë kritikuar në mesin e shkencëtarëve dhe në opinionin publik si një utopi e një shkencëtari pro-perëndimor dhe konservativ. Më i ashpër nga të gjithë me Huntingtonin është treguar sociologu Martin Riesebrodt, i cili shkruan se konstatimet e Huntingtonit se civilizimet bazohen në një „bërthamë të pandryshuar, mbihistorike, mbishoqërore“, paraqesin një „pseudoshkencë të ideologjisë fundamentaliste,“ kurse definimin e religjionit nga ana e Huntingtonit e ka vlerësuar si të padiferencuar, ahistorik dhe esencialist. Studiuesi gjerman Harald Müller ka zgjedhur një mënyrë tjetër kundërshtie ndaj tezave të Huntingtonit: ai ka bërë një analizë të kundërt me Huntingtonin në formë libri me titull „Bashkëjetesa e kulturave“.

Në rrafshin metodik Huntingtoni u kritikua me të drejtë se në artikullin e tij të botuar në Foreign Affairs ai përdori vetëm 8 fusnota në 49 faqe tekst dhe pothuajse të gjitha citatet ishin burime perëndimore. Këtë gjë e ka shmangur në masë të konsiderueshme në libër. Studiesi amerikan i politikës Richard Rosencrance shkruan se koncepti i Huntingtonit është metodologjikisht problematik, pasi që të dhënat empirike dëshmojnë se koegzistenca e kulturave të ndryshme nuk është shkak i domosdoshëm për konflikt. Shumë shoqëri moderne karakterizohen sot me një larmi kulturore dhe nuk ka konflikte brenda tyre. Kjo dëshmohet edhe historikisht: shumica e luftërave dhe konflikteve janë zhvilluar brenda një civilizimi (psh. në Evropën Perëndimore) se sa në mes të kulturave të ndryshme. Edhe konfliktet akuale zhvillohen më shumë brenda një civilizimi se sa në mes të civilizimeve të ndryshme: Lufta në Siri, Irak, Ukrainë etj.

Projekti i Huntingtonit është një parashikim lufte. Detyra e politikanëve dhe shkencëtarëve është ta evitojnë atë: të ftojnë për një dialog të mundshëm në mes të civilizimeve dhe për një politikë paqësore dhe koopertive ndërkombëtare në të ardhmen. Një proces i tillë do të nxitej përmes bashkëpunimit, tolerancës dhe përshtatjes në kuadrin e globalizimit. Revolucioni në teknologjinë e informimit dhe shkëmbimet ekonomike në mes të shteteve që ju përkasin civilizimeve të ndryshme e stimulojnë bashkëjetesën paqësore në mes të civilizimeve. Shtetet bashkëkohore si edhe kompanitë multinacionale janë më të interesuara për bashkëpunim, shkëmbim dhe paqe se sa për tensione. 60 vitet e egzistimit të Bashkimit Evropian dëshmojnë se sa ka ndikim për paqen në një rajon integrimi brenda një sistemi demokratik dhe bashkëpunimi ekonomik. Dhe ky lloj sistemi integrativ ka ndikuar në zgjerimin e hapësirës së tij në shtetet dhe rajonet përreth, sidomos në 25 vitet e fundit. Ky trend duhet të vazhdojë.

Revolucioni teknologjik i ka thyer kufijtë kulturor të pretenduar nga Huntingtoni. Interdependenca politike dhe ekonomike ndërmjet civilizimeve, kooperimi dhe komunikimi intensiv i lehtësuar nga teknologjia informative (sidomos interneti), duke mundësuar komunikim të shpejtë dhe të thjeshtë, ndikon më shumë në rritjen e mirëbesimit në mes të njerëzve dhe civilizimeve të ndryshme se sa në nxitjen e konfliktit. Shkëmbimi ekonomik dhe tregtar tejkontinetal është shumë intensiv. Amerika, Evropa dhe Azia kanë mësyrë pandalshëm tregtinë me njëri-tjetrin. Lufta në mes të civilizimeve do të ishte në kundërshtim me këtë trend global. Prandaj bota nuk mund t’ia lejojë vetes një luftë në mes të civilizimeve. Ata që pretendojnë konflikt izolohen në fushën ekonomike (Shembull Rusia). Tendenca e bashkëpunimit është më e madhe se ajo e konfliktit. Një luftë ndërmjet civilizimeve nuk mund të merret me mend në ambientin aktual ndërkombetare.

Prandaj, 23 vite pas botimit të tezave të tij dhe 20 vite pas botimit të librit të tij mund të konstatojmë se Huntingtoni nuk do të duhej t’i heqë pikëpyetjen titullit të librit të tij. Lufta në mes të civilizimeve e parashikuar prej tij nuk ndodhi
xha Një dukuri sa e vjetër aq edhe e re me të cilën përballet Shqipëria gjatë viteve të pluralizmit, është edhe korrupivisht i ri njerëzit nga mosdija shme prej formave bombastike..

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress