Bota

“Lufta SHBA-Iran sjell fundin e Irakut”

Kreu i Lëvizjes Sadr në Irak, Muqtada al-Sadr, paralajmëroi se nëse vendi i tij nuk tregon një qëndrim serioz ndaj mundësisë së luftës mes SHBA-ve dhe Iranit, lufta mes dy palëve do të sjellë fundin e Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk jam në favor të nxitjes së një lufte mes Iranit dhe SHBA-ve. Poashtu nuk e mbështes që Iraku të zvarritet në këtë luftë dhe të jetë fusha e konfliktit mes Iranit dhe SHBA-ve. Nëse ne si Irak nuk tregojmë një qëndrim serioz dhe në unitet, lufta SHBA-Iran do të sjellë fundin e Irakut”, tha Sadr në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social.

Lideri shiit Muqtada al-Sadr tha se “As Iraku, as populli i tij nuk mund ta përballojnë një luftë tjetër”. “Ne kemi nevojë për paqe dhe ndërtim. Nëse ndonjë palë tërheq Irakun në luftë dhe nëse shkakton që vendi të bëhet fushë e kësaj lufte, ai do të jetë armik i popullit të Irakut”, tha ai.

Sadr thekson se nuk duan që SHBA-të dhe Irani të hyjnë në luftë dhe se kjo nuk duhet të nxitet./ AA