LUFTOI PËRKRAH TYRE, NUK I DHANË DËMSHPËRBLIM PËR TË RËNËT DHE DËMET E PËSUARA

Xhafer Sadiku 

 

Dokumentet arkivore dëshmojnë se, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Esad Pashë Toptani ndërmori një varg përpjekjesh pranë autoriteteve franceze dhe organeve ndëraleate për të përfituar dëmshpërblim për dëmet që kishin pësuar shqiptarët e ai vet gjatë luftës dhe pushtimit austro-hungarez. Në këtë proces u përfshinë edhe disa përfaqësues diplomatikë francezë, të cilët i përcollën autoriteteve të tyre kërkesat dhe argumentet në favor të tij. Këtu më poshtë po radhisim permbajtjen e shkurter të disa letrave nëpërmjet të cilave gjenerali u kujtonte kontributin e shqiptarëve dhe të tij në luftën përkrah aleatëve dhe në fitoren e tyre.
Që më 17 dhjetor 1918, Esad Pashë Toptani i dërgoi një letër konsullit francez në Selanik, në të cilën rendiste humbjet që, sipas tij, kishin pësuar Shqipëria dhe ai vetë.
Më 28 maj 1919, Esad Pashë Toptani, në cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare, iu drejtua Georges Clemenceau-së, kryetar i Konferencës së Paqes, si dhe z. Graillet, konsull i Francës në Shqipëri, lidhur me dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara gjatë luftës dhe pushtimit austro-hungarez.
Më 23 qershor 1919, Krajevski i dërgoi një notë Drejtorisë Politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. Në këtë dokument ai paraqiste në mënyrë të hollësishme dëmet që, sipas tij, Esad Pasha kishte pësuar gjatë luftës. Krajevski rendiste gjithashtu meritat dhe shërbimet që Esad Pasha i kishte kryer, sipas tij, në favor të Francës dhe, mbi këtë bazë, argumentonte se ai duhej të dëmshpërblehej me shumën prej 10 milionë frangash.
Më 24 janar 1920, Krajevski i dërgoi një tjetër notë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga Esad Pashë Toptani për dëmet e pësuara gjatë luftës. Në këtë dokument paraqiteshin edhe argumentet që, sipas Krajevskit, e justifikonin dhënien e këtij dëmshpërblimi.
Çështja vijoi të trajtohej edhe në muajt e parë të vitit 1920. Më 17 mars, Esad Toptani i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, z. Paléologue, në të cilën shprehte pakënaqësinë e tij për situatën që e konsideronte anormale dhe të vështirë, si për veten, ashtu edhe për vendin e tij. Për sqarimin e çështjeve të ngritura, ai propozonte një ballafaqim me z. Krajevski, ish-ambasador i Francës në Shqipëri.
Më 14 prill 1920, Poichar i drejtoi një kërkesë, në mënyrë konfidenciale, të dërguarit të Francës në Komisionin e Dëmshpërblimeve. Ai kërkonte që të shqyrtohej mundësia e dhënies së 10 milionë frangave Esad Toptanit, si dëmshpërblim për dëmet e pësuara gjatë luftës.
Megjithatë, përpjekjet e Esad Toptanit nuk sollën ndryshimin e situatës. Qeveria franceze kishte nxjerrë, që pas përfundimit të luftës, një urdhër që pengonte kthimin e tij në Shqipëri.
Më 29 prill 1920, Esad Toptani iu drejtua z. Poincaré, kryetar i Komisionit të Dëmshpërblimeve, lidhur me kërkesën për dëmshpërblim për dëmet e pësuara gjatë luftës, si dhe në lidhje me familjet e ushtarëve shqiptarë të rënë në luftë përkrah forcave aleate.
Një ditë më pas, më 30 prill 1920, i dërguari i Francës në Komisionin e Dëmshpërblimeve iu përgjigj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës lidhur me kërkesën për shqyrtimin e mundësisë së dhënies së një dëmshpërblimi Esad Pashës. Në përgjigjen e tij, ai e konsideronte këtë mundësi të pamundur dhe i kërkonte ministrit të hiqte dorë nga kjo çështje.
Më 22 maj 1920, delegacioni francez në komisionin e dëmshpërblimeve i përgjigjej letrës së Esad Pashës lidhur me dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara nga lufta, duke i thënë se për këtë çeshtje duhej t’i drejtohej qeverive të Fuqive Aleate që kjo të zgjidhej.
Korrespondenca vazhdoi edhe më 23 maj 1920. Në këtë datë u zhvillua një shkëmbim shkresash ndërmjet të dërguarit të Francës në Komisionin e Dëmshpërblimeve, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Komisionit të Dëmshpërblimeve dhe Konferencës së Ambasadorëve. Korrespondenca lidhej me kërkesën për dëmshpërblim të Esad Pashës, si dhe me çështjen e shqiptarëve të rënë në krah të forcave aleate.
Kjo seri dokumentesh tregon se kërkesa për dëmshpërblimin e Esad Pashë Toptanit u trajtua për një periudhë të gjatë në kanalet diplomatike franceze dhe në organet ndëraleate të krijuara pas luftës. Dokumentet pasqyrojnë njëkohësisht argumentet e vetë Esad Pashës, ndërhyrjet e përfaqësuesve francezë në favor të shqyrtimit të kërkesës. Gjate ketij leterkembimi Esad Toptani mori vesh se qeveria franceze kishte marre vendim qe te mos e lejonte te kthehej ne Shqiperi. Pas afro nje muaj ai u vra ne Paris.

_______________
Burimi: AQSH, fondi 1503/3, dosja 37 dhe 46.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne