Shqiperia

Lulzim Basha – miti i rremë i të “shkolluarit jashtë”

Ajo që ndodhi në Partinë Demokratike së fundmi është një episod ndër të shumtët në historikun e tranzicionit shqiptar. Zgjedhje që shpallen si të tilla për të shmangur përgjegjësitë e humbësve kronikë dhe për t’u konformuar me një rregull të importuar sipas të cilit pastrimi vjen me votë.

Lulzim Basha nuk sjell asgjë të re në këtë drejtim. Ai është një ndër pleqtë më të rinj të tranzicionit, lapërdhitë politike të të cilit nuk i lënë gjë mangut asaj që ndodh në parti të tjera. Po të heqim vitet e para të pluralizmit në PD, si dhe garën zgjedhore të vitit 1998 në PS, partitë shqiptare nuk kanë një histori pozitive me zgjedhjet e brendshme.

Liderë si ky Lulzim Basha e ngarkojnë veten dhe partinë e tyre me detyra dhe misione luftarake për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndërkohë që vetë vjedhin vulën e kryetarit për të menaxhuar llogari dhe interesa personale.

Ka një degradim të përshpejtuar që duket se paralajmëron gjëra jo të mira. Historia politike e Shqipërisë postkomuniste ngarkoi Sali Berishën dhe Fatos Nanon me përgjegjësi të mëdha, në jo pak raste edhe me akuza kriminale, por të dy dëshmuan se në momentin e vendimeve kapitale për forcat e veta, morën vendimet të cilat bashkonin marrrjen e përgjegjësive politike me hapjen e perspektivës.

Fatos Nano dha dorëheqjen në vitin 1998 dhe kërkoi mandat në parti duke fituar ngushtë në një Kongres dhe garë të pakontestuar. Ai hapi rrugën për Edi Ramën në vitin 2003 dhe kjo ka jo pak rëndësi për t’u nënvizuar, pasi me skuthëritë statutore të Bashës dhe të Edi Ramës, kjo nuk do të ndodhte. Kujtoni se çfarë debati u bë në vitin 2009  kur PS humbi zgjedhjet. Edi Rama gjeti Maqo Lakrorin dhe gatoi një fitore personale. Po kështu në kohën e të ashtuquajturit referendum që çoi në largimin e Ben Blushit.

Por kjo kulturë që po ndot klimën në vend ka rrënjë më të thella. Të ashtuquajturit liberalë që u ndanë nga PD në vitin 1992 nuk arritën të sjellin ndonjë frymë të re. Intelektualët që do ndriçonin Shqipërinë krijuan parti private që u konvertuan në shtojca parazitare të një sistemi ku ata ishin simptoma dhe sëmundja.

Duam apo jo, Sali Berisha mund të kreditohet me beteja më të sinqerta – të paktën si ligjërim dhe veprim politik – për zgjedhjet, të cilat kur i humbi u largua. Edhe pse i la Shqipërisë në derë Lulzim Bashën që sot po manipulon opozitën dhe po e kthen atë në manekin të pushtetit. Këtu nuk vlen të thuhet asgjë për një regjiment politik si LSI e Ilir Metës.

Kjo që ndodh u heq legjitimitetin të gjithëve që të flasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme përderisa kërkesa dhe detyrimi për zgjedhje injorohet nga të gjithë brenda partive që janë me përkufizim organizime vullnetare. Lulzim Basha dha në këtë kuadër një mësim nga një tjetër drejtim: ai përfaqëson dështimin moral të një brezi që quhet i ri dhe i edukuar jashtë, cilësi që shpesh shiten si atu pozitive. Ai është sot më plaku, xhaketa më e vjetër e një klase politike që gjen tek individë si ky mundësinë e një kat’harsisi përmes parimit: janë të gjithë njësoj. Ai fitoi si Sali Berisha, si Edi Rama me mbi 90%. Por fitoi atë që i intereson më shumë dhe që mundet të mbajë: të drejtën e vulës dhe të qëndrimit në radhë derisa koha dhe apatia jonë si shoqëri ta kurorëzojë si kryeministër.

OPINIONE