Shqiperia

Magjia e rreme e LIKE-ve të Erion Veliajt & CO

Serveri i shpërndarjes me urdhër të postimeve të kryetarit të bashkisë së Tiranës, dhe jo vetëm, mund të funksionojë për rritjen artificiale të numrit të Like-ve në rrjetet sociale. Por komentet e njerëzve të vërtetë e masakrojnë për spektaklin e shëmtuar të darkës
Ka mjaftueshëm prova tashmë që e gjithë energjia e kësaj qeverie, është e përqendruar tek mbledhja e Like-ve në rrjetet sociale. Edhe pse nuk është shumë e qartë se për çfarë i hyjnë në punë zyrtarëve të lartë të PS-së ky numër, kur realiteti shqiptar është për të ardhur keq dhe thika ka arritur kockën, sërish, të gjithë luftojnë për ato të shkreta pëlqime në Facebook, Twitter e Instagram. Vetëm se edhe kjo strategji që funksion me urdhër dhe urgjencë për çdo rast, nuk funksionon për aq kohë sa dielli nuk mbulohet dot me shoshë.

Skema që Edi Rama ka ngritur që kur ka ardhur në pushtet është e thjeshtë: Një server i veçantë në Kryeministri funksionon vetëm për “Like and Share”. Çdo postim i ministrave, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, dërgohet automatikisht në këtë server dhe prej tij shpërndahet në telefonin e çdo aktivisti të PS-së, punonjësi të emrëuar partiak e, këto kohët e fundit, edhe tek punonjësit e thjeshtë të administratës. Janë me qindra të tillë që janë thjeshtë të detyruar t’i përgjigjen thirrjes për “Like and share” të qeverisë së sotme. Përpos këtyre edhe një ushtri e tërë njerëzish punon në hije për të administruar të gjithë këtë shpërndarje në rrjet. Nëse Erion Veliaj ka një zyrë me 33 punonjës që i shërbejnë vetëm imazhit mediatik, Edi Rama ka dyfishin e tyre, njerëz që punojnë dhe paguhen nën emërtesa të rreme pozicionesh shtetërore. Pjesë e lojës janë edhe një tjetër ushtri e padukshme që, kur performanca shkon keq dhe e vërteta del sheshit nga komentet e njerëzve, hidhen në sulm me komente ekstra, të sheqerosura pro qeverisë, por me një shqipe që zakonisht të bën për të qarë.

Gjë që jo gjithmonë funksion për aq kohë sa herë pas here vetë kryeministri thërret të vetët në mbledhje e u jep urdhra e direktiva sa herë që numri i Like-ve bie. Edhe me një ssistem të tillë të sofistikuar, e vërteta del gjithmonë më e fortë.

Rasti i fundit ndodhi dje në mbrëmje me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ata që e njohin e dinë mirë se sa shumë i vuan Erioni komentet negative që bëhen në adresë të tij. Por e vërteta kjo është: se sa e duan qytetarët e Tiranës Erionin e thanë në votimet e qeshorit që lamë pas.

Për tu kthyer tek performanca e rrjeteve sociale: Edhe pse orë e vonë, dje Erioni zgjodhi një tjetër spektakël të shëmtuar për publikim. Vizimin 3D të një kryqëzimi në Tiranë. Nuk po i hyjmë diskutimit, nëse këto ngjyrat e ndezura që zgjedh kryetari janë konform rregullave të miratuara dhe e shkruar e zeza mbi të bardhë për vizimin e rrugëve, por po mbetemi tek entuziazmi i Kryetarit.

Mekanizmi i Like-ve me urdhër funksionoi për mrekulli. Brenda 45 minutash postimi i Erionit mori plot 1.6K pëlqime. Deri në mëngjes, 3.6K. Por shkëlqimi i rremë nuk e mbulon dot të vërtetën sepse 30 minuta mjaftuan që qindra qytetarë ta masakronin me komentet e tyre.

Ironi, tallje, nervoziëm në çdo koment që pasoi raportimin e fundit social të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Me qindra të tillë, po aq sa pëlqimet e shpërndara elektronikisht. Gjë që vërteton atë që ndodh në të vërtetë: ca hallexhinj, që për një kothere bukë, bëhen pjesë e një skeme që me siguri nuk e kuptojnë as vetë, pranojnë të qëndrojnë gjithë kohës on line për të dhënë Like sa munden. Përballë tyre, ata të vërtetët, njerëzit e thjeshtë që e heqin çdo ditë mbi kurriz qeverisjen e kësaj klase politike dhe që shkruajnë për të. Çka shpjegon dy të kundërtat që bëhen bashkë nëpër postimet e njerëzve me pushtet sot. Dhe të tilla “përplasje” të vërtetash ndodhin çdo ditë.

Natyrisht stafi i ngushtë i Erionit iu vu punës menjëherë për t’i rregulluar humorin kryetarit. U vu në punë ushtria e dytë e komentuese. Por këta nuk e mbuluan dot atë që ngjau brenda një harku kohor prej vetëm 30 minutash, në vetëm një postim të kryetarit të Tiranës. Përveç kësaj, kjo e dyta, ushtria e komentuesve, ka diçka që e identifikon shumë kollaj: shqipja e përçunduar dhe emoji-t pa lidhje.

Të tilla situata janë të zakonshme çdo ditë, në faqet zyrtare të çdo figure publike, duke filluar nga Kryeminsitrit. Një magji e rreme publiciteti që kënaq egon e sëmurë të një klase njerëzish që prej kohësh kanë humbur çdo lidhje me realitetin.

Të tillë politikanë të kujtojnë pseudovipat e Instagramit. Pasi frymëzohen mirë e mirë me Kim Kardashian&CO, iu luten dashnorëve tu japin ndonjë lek për të blerë Like andej nga tregu indian dhe kinez. Dhe pastaj ulen dhe adhurojnë veten duke besuar se kështu pushtohet bota!/Pamfleti

OPINIONE

INTERVISTA