“Magnacarta” angleze dhe “Sened-i Ittifak-u” osman

E përbashkëta më e rëndësishme e këtyre dy dokumenteve qëndron në gjurmët e orvatjeve për kapërcimin e monopatit të vështirë të absolutizmit monarkik në shoqëritë përkatëse dhe shënimin e aktit konkret për jetësimin e idesë që shteti të lidhet për të drejtën dhe me të drejtën, gjë që do të kulmonte edhe me konceptin e shtetit të së drejtës shekuj më vonë.  

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Njerëzimi është dëmtuar tej mase nga pushteti politik i pakufizuar dhe i pakontrolluar. Angazhimi për ta tejkaluar këtë model ka përpirë qindvjeçarë të tërë. Sot, lehtësisht, flitet për demokracinë, kushtetutën, liritë dhe të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe terme të këtilla që gjejnë përdorim të gjerë në diskursin publik. Por, që këto të jenë pjesë e shtetit modern është dashur të tejkalohen sfida të mëdha. Përpjekjet e popujve për t’u çliruar nga regjimet autoritare e despotike janë shfaqur në trajta të ndryshme. Kufizimi i fuqisë autokratike të një sundimtari, historikisht, rëndom është bërë me mjete të dhunshme, siç janë revolucionet ose puçet ushtarake e, nganjëherë, edhe me rrugëzgjidhje paqësore. Në vijim do të shtjellohen dy raste nga dy vende që prodhuan dy karta me të cilat janë kufizuar dy pushtete absolute.

Anglia dhe lindja e aktit “Magnacarta”

Para dyndjeve normane në Angli nuk ekzistonte një strukturë e fuqishme e sovranitet të copëtuar dhe me anarki, andaj aty rastisej një klimë më e butë e dukurisë në fjalë. Në vend mbretëronte monarkia absolute, mirëpo nuk nëpërkëmbeshin plotësisht as kërkesat e feudalëve. Veçanërisht në periudhën e Mbretit Henry II vërehej një prirje për moszbatimin e ngurtë të qeverisjes absolute, por njëherësh edhe ishin marrë disa kompetenca nga duart e feudalëve si, fjala bie, ajo e kufizimit në masë të madhe e funksionit për të gjykuar.

Pasardhësit e tij nuk ndoqën të njëjtën politikë balancuese. Mbreti Richardi I kishte përjetuar probleme me feudalë, meqë synonte rritjen e tatimeve dhe kishte kërkuar nga lordët ta shoqëronin në ekspeditat e kryqëzatave.

Ndërkaq, me të hipur në fron më 1199, Mbreti Johni ishte përveshur ndaj shfrytëzimit absolut të privilegjeve që i ofronte monarkia absolute. Ai ishte në gjendje lufte me Francën, në përplasje me Kishën dhe në mospajtim me feudalët. Andaj pësoi disfatë kundër francezëve, u shkishërua nga Papa Innocenti III dhe u përball me kryengritjen e feudalëve, të cilën e përkrahu edhe borgjezia londineze. I ndodhur në situata të pafavorshme, Mbreti John u shtrëngua të lëshojë pe ndaj baronëve (feudalëve). Për rrjedhojë, në vitin 1215 do të proklamohej marrëveshja që i sendërtonte raportet dhe kompetencat midis mbretit dhe parisë feudale dhe e cila do të quhej Magna Carta Libertatum (Karta e Madhe e Lirive). Kjo ishte një përftesë paqësore pas grindjeve mes kurorës dhe fisnikëve.

Përmbajtja e kartës “Magnacarta”

Ky pakt i firmosur nga palët e lartcekura përbëhej nga 63 nene. Dokumenti shquhet për garantimin e disa lirive dhe të drejtave të njeriut. Si kategori e garantuar zuri vend e drejta në pronë (neni 9). Gjithashtu, mbreti nuk do të mund t’i ngarkonte me tatime individët sipas dëshirës së vet (neni 12) dhe për këtë duhej që paraprakisht të merrte miratimin e një komisioni të përbërë nga baronët dhe klerikët (neni 14). Po ashtu u ndalua puna e detyrueshme (neni 16). Për ta ruajtur lirinë individuale, askush nuk do të arrestohej, nuk do të burgosej, nuk do t’i konfiskohej pasuria, nuk do të shpallej i kundërligjshëm, nuk do të internohej dhe në asnjë mënyrë nuk do të dëmtohej pa një vendim paraprak të gjykatësit (neni 39). Së këndejmi, është përcaktuar principi se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me fajin e bërë (neni 20). Këtu hasen shenjat e parimit të proporcionalitetit në vepra penale, si standard palëkundur i të drejtës bashkëkohore në botë. Po ashtu, është siguruar edhe liria tregtare (neni 41).

Ndër çështjet kryesore të domenit të Magna Carta-s është hapja e trasesë për kontrollimin e akteve të mbretit dhe të zyrtarëve që veprojnë në emër të tij. Në këtë kontekst, do të krijohej një këshill prej njëzet e pesë vetash, i quajtur Magnum Concilium Regis, që do t’i shqyrtonte ankesat e individëve (neni 61). Sanksionet ndaj shkeljeve eventuale të Mbretit parashiheshin të ishin materiale, por, varësisht nga shkalla e fajit, kur, për shembull, konsistonte në shkelje të rëndë të ligjeve, duke cenuar paqen dhe liritë, mund të shkonte deri në kryengritjen e lordëve, që nënkuptonte drejtën në rezistencë.

Studiuesit pretendojnë se për një kohë të gjatë, diku deri në shek. XVII, Magna Carta nuk ishte aktuale, përderisa ajo filloi të përdorej në diskursin politik pas përplasjeve ndërmjet mbretit dhe parlamentit (që ishte përfaqësues i borgjezisë). Që atëherë kjo kartë u bë burim frymëzimi për lëvizjet shoqërore anticentraliste.

Mbi të gjitha, me anë të këtij dokumenti u sanksionua që edhe mbreti detyrohej t’u nënshtrohej rregullave dhe se ato ishin edhe mbi të. Kjo nënkuptonte çarje të botëkuptimit absolutist në qeverisje dhe një hap drejt themelimit të shtetit të së drejtës.

Shteti osman dhe lindja e aktit “Sened-i Ittifak”

Në vitin 1807 në Stamboll plasi një kryengritje kundër sulltanit Selimi III. Për rrjedhim, Sulltani u rrëzua nga froni dhe në vend të tij erdhi Mustafai IV. Më pas, nën udhëheqjen e ajanit Alemdar Mustafa Pasha u iniciua një përpjekje për rikthimin e Selimit III në fronin mbretëror, mirëpo në këto ngjarje ky i fundit mbeti i vrarë. Atëherë, ky pasha i pushtetshëm e solli në fron Mahmudin II nga dinastia osmane dhe për vete e siguroi postin e Sadrazamit (kryeministrit).

Ndër të bëmat e tij të rëndësishme ishte rivënia e autoritetit shtetëror në kryeqytet. Mirëpo, gjendja në provinca nuk ishte në dobi të administratës qendrore. Në Rumeli, por edhe në Anadoll, ajanët e fuqishëm pothuaj kishin krijuar mbarështim të pavarur nga qendra, madje edhe ndodhte të mos e njihnin fare autoritetin qendror. Rëndom, këta vinin nga familje të mëdha me ndikim në zonat e tyre. Disa sish ishin guvernatorë, që kishin formuar një rend të tyrin, e disa të tjerë, tregtarë të pasur.

Në këto rrethana, si ithtar i reformave që ishte, Alemdar Pashai ndërmori nismën e ftesës në Stamboll të ajanëve të kohës për të diskutuar rreth ecurisë së jetës shtetërore. Ai kishte organizuar një mbledhje nën kryesimin e tij kah fundi i shtatorit të vitit 1808, në të cilën kishin marrë pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe ajanët.

Si rezultat i kësaj, me datë 7 tetor 1808, u firmos një marrëveshje, e cila u quajt Sened-i İttifak. Palë nënshkruese ishin: Sadrazami, Shejhulislami, vezirët (ministrat) dhe ajanët. Më pas, këtë dokument e miratoi padishahu, Sulltan Mahmudi II.

Ky dokument politik me cilësi juridike është hartuar si pasojë e dobësimit të autoritetit të Padishahut, që ishte sinonim për pushtetin qendror, dhe fuqizimit të ajanëve, të cilët ishin mëkëmbës lokalë në zona të ndryshme të Perandorisë Osmane. Këta synonin që ta fitonin garancinë se nuk do t’u prekeshin të mirat që dispononin. Ata e realizuan pajtimin e Sulltanit se privilegjet që kishin do t’i trashëgoheshin nga pasardhësit e tyre. Synimi i Pashait ishte që ta konsolidonte unitetin brenda pushtetit qendror dhe të sigurohej se ajanët nuk do ta kundërshtonin rrekjen për reforma në të ardhmen.

Me këtë pakt, sundimtari i kohës, Mahmudi II, bashkë me sadrazamin Alemdar Pasha – në njërën anë – dhe ajanët, në anën tjetër, nënshkruan zotimin se do t’i respektonin të drejtat dhe kompetencat e ndërsjella. Kjo ishte një risi në jetën politike të shtetit osman, meqë për herë të parë po kufizohej me shkrim sovraniteti absolut i sulltanit.

Përmbajtja e kartës “Sened-i Ittifak”

Ky pakt përmbante një “hyrje”, shtatë “kushte” (dispozita) dhe një “shtojcë”. Terreni sovran i Padishahut tkurrej kundër vullnetit të vet nga një fuqi e jashtme, që në rastin konkret ishin ajanët. Mund të thuhet se të dya palët kanë fituar diçka: ajanët morën disa garanci për administrimin vendor, ndërsa shteti vazhdoi t’i mbante nën autoritetin e vet. Kështu, pushteti qendror i fitoi disa garanci: çdokush do ta pranonte autoritetin e Padishahut dhe të shtetit (dispozita 1); do të respektohej bindja ndaj Sadrazamit (dispozita 4); do të respektoheshin vendimet përkitazi me tatimet (dispozita 3); njësitet ushtarake do t’u bindeshin Padishahut (dispozitat 1, 2 dhe 6) dhe do të ndalohej ndërhyrja e ajanëve jashtë trevës së tyre.

Në anën tjetër, edhe ajanët përfituan nga kjo marrëveshje. Ata arritën ta përfshinin garancinë se Sadrazami nuk do të vepronte me arbitraritet, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare (dispozita 4). Ndërlidhur me këtë, ajanët do të mund të përgjigjeshin me vendosmëri kundrejt përpjekjeve për zhveshje nga favoret që i zotëronin dhe do ta fitonin të drejtën e organizimit të përbashkët midis vete kundër pushtetit qendror nëse ky i fundit do të ndiqte politika me reprezalje dhe sulme të padrejta. Njëherësh, ata e fituan të drejtën e trashëgimisë në sundimin e principatave, vetëqeverisje të gjerë dhe sovranitet ndaj ajanëve më të vegjël (dispozita 5).

Krahas këtyre pikave pajtuese, që e normonin raportin hierarkik midis pushtetit qendror dhe atij lokal, në marrëveshje kishte klauzola edhe për të mirën e përgjithshme. Në këtë kontekst, vëmendje i kushtohej edhe mbrojtjes së popullatës nga padrejtësitë dhe, sidomos, marrjes parasysh të fuqisë ekonomike të të varfërve në rastet e caktimit të taksave (dispozitat 5 dhe 7). Po kështu, ndalohej ndëshkimi i një faji pa u zhvilluar një proces hetimor (dispozita 5).

Nga përmbajtja e dokumentit, mund të përfundohet se akti Sened-i İttifak mundësoi që personaliteti i Padishahut të sigurohej se ajanët do të ishin nën urdhrin e tij. Sipas marrëveshjes, ajanët shprehnin gatishmërinë se do t’i vinin në ndihmë pushtetit qendror kundër atyre që e refuzojnë shërbimin ushtarak dhe dhënien e tatimeve, si dhe do të mobilizoheshin përkrah Sulltanit në rastet eventuale të kryengritjeve ose tentimeve për puç ushtarak. Në këtë aspekt, Sened-i İttifak-u mund të cilësohet si një kompromis i përkohshëm i pushtetit qendror (me tendencë të konsolidimit të autoritetit) me një pjesë të personaliteteve të fuqishme rajonale. Ky dokument parasheh sanksione morale dhe është firmosur me mirëbesim të ndërsjellë. Palët detyroheshin të betohen në emër të Zotit dhe Profetit se nuk do ta thyenin zotimin.

Zbatimi i kartës “Sened-i Ittifak”

Disa muaj pas hyrjes në fuqi të dokumentit në fjalë, në një konflikt të armatosur me jeniçerët, vdes ideatori i këtij pakti, Alemdar Pashai. Kësisoj kishte nisur zvetënimi i efektit të kësaj marrëveshjeje. Madje, në shtojcën e saj parashihej se marrëveshja duhej nënshkruar nga secili person që vjen në postin e Sadrazamit, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Ç’është e vërteta, ky dokument nuk kishte krijuar ndonjë mekanizëm efektiv për zbatimin e dispozitave të tij. Në këtë mënyrë, me ta përforcuar pozitën, vetë Sulltan Mahmudi II ishte treguar shpërfillës ndaj këtij dokumenti. Në trajtimet historike nënvizohet fakti se zgjerimi i ndikesës autonome të ajanëve në vise të ndryshme e bartte më vete rrezikun e krijimit të despotëve potencialë. Praktika e mëpasshme kishte treguar se ata nuk kishin synuar asnjëherë të përçonin kërkesa në adresë të pushtetit qendror për avancimin e lirive të shoqërisë. Madje, pritjet e shoqërisë ishin që autoriteti qendror të ishte më prezent në provinca. Prandaj, ka mendime se karta Sened-i İttifak-u nuk ishte refleksion i kërkesave të shtresave të gjera.

Me mbarimin e luftës kundër Rusisë më 1812, Sulltan Mahmudi II më nuk ishte i varur nga përkrahja e ajanëve. Siç që pohon historiani Inalcık (Inalxhëk), posaçërisht pas vitit 1815, gjithë mekanizmi i pushtetit qendror vihet në shërbim të dobësimit të rendit të ajanëve. Duke filluar nga Padishahu, Sadrazami, burokracia qeveritare, formacionet ushtarake nën urdhrin e Sulltanit dhe deri tek ulemaja, që të gjithë, mobilizohen që t’i defaktorizojnë ajanët nga jeta shtetërore. Njëri nga ajanët më të pushtetshëm dhe njëkohësisht më problematikë për qendrën ishte Ali Pashë Tepelena. Sulltani kishte vendosur që t’ia sillte fundin atij, por një gjë e tillë e solli shtetin buzë greminës. Në kalanë e Janinës Ali Pashai bëri qëndresë me armatimin më modern të kohës, të prurë nga Anglia. Në fund, duke i përdorur të gjitha mundësitë që shteti osman kishte në dispozicion, Mahmudi II ngadhënjeu. Mirëpo, kryengritja e Ali Pashë Tepelenës hapi udhë për kryengritjen greke, e kjo për atë të Mehmet Ali Pashës në Egjipt. Lufta me këtë të fundit rezultoi me dështim të forcave perandorake dhe, me këtë zhgënjim të thellë, Sulltan Mahmudi II ndërroi jetë më 2 qershor 1839.

Rëndësia e kartës “Sened-i Ittifak”

Sidoqoftë, edhe pse zbatimi i tij nuk ka shënuar sukses, me paktin Sened-i İttifak, për herë të parë në shtetin osman u shfaq dukuria e kufizimit të autoritetit sovran të Sulltanit. Dokumenti në fjalë zë vend në analet e historisë politike të shtetit osman si akti i parë kundër absolutizmit qeverisës të monarkut. Në mesin e studiuesve të historisë të së drejtës ekziston opinioni se ky dakordim paraqet hapin nismëtar në drejtim të shtetit të së drejtës dhe rendit demokratik. Andaj, megjithëse në aspektin formal juridik nuk konsiderohet kushtetutë, karakteri dhe përmbajtja e tij ia japin epitetin e dokumentit kushtetues.

Realisht, siç thekson studiuesi Sina Akşin, po të gjente mundësi aplikimi ky dokument, do të zyrtarizohej pozita e ajanëve dhe ky dokument do të fitonte cilësinë e një lloj kushtetute, bile atë të“kushtetutës” së parë në shtetin osman, për shkak se në të bëhej fjalë për dy ndër çështjet më të ndjeshme të revolucioneve demokratike në histori: drejtësinë në përcaktimin e tatimeve dhe parimin e konsultës së përbashkët në caktimin e tatimeve të reja. Kështu, ngase këshillimi mbi caktimin e taksave është në korrelacion historik me lindjen e parlamentarizmit. Prandaj mund të konkludohet se Sened-i İttifak-u është dëshmi për zanafillën e lëvizjeve konstitucionaliste në Perandori.

Përqasja e dy kartave

MagnaCarta ishte dokument që i rregulloi tagrat dhe obligimet e Mbretit John dhe baronëve të kohës. E njëjta gjë vlen edhe për tiparin e kartës “Senedi-i İttifak”.

Sa i takon avancimit të lirive dhe demokracisë, Magna Carta shihet si akt pararendës në Angli. Megjithëse koncepti mbi demokracinë tek osmanët është shumë më i vonshëm krahasuar me anglezët, edhe Senedi-i İttifak-u ka garantuar se vënia e taksave nuk do të bëhet me arbitraritet veçse duke u mbështetur në gjendjen faktike ekonomike të popullit. Përveç se në këtë pikë, këto dy dokumente kanë ngjashmëri edhe në proporcionalitetin e ndëshkimit me fajin e bërë dhe nevojën e një procedure hetimore para dhënies së vendimit dënues. Sikurse baronët në Angli, edhe ajanët në shtetin osman kishin për qëllim intensifikimin e pozitës së tyre dhe ruajtjen e privilegjeve.

Pozita e vështirë në të cilën gjendej regjimi i Mbretit John e shtyri atë të pranojë Magna Carta-n. Studiuesit thonë se as Sulltan Mahmudi II nuk qe bërë pjesë e një marrëveshjeje të cilës do t’ia jepte tumirën me vullnet, porse nga shtrëngimi i mundësisë së rrezikimit të sundimit të tij.

Magna Carta dhe Senedi-i İttifak kanë edhe veçori dalluese mes vete. Diferencë që bie në sy është ajo që ka të bëjë më institucionalizimin. Për shembull, Magna Carta përvijonte edhe procedurën e vënies së taksës, gjersa Senedi-i İttifak-u mjaftohej me përcaktimin e autoriteteve kompetente për çështjen.

Një karakteristikë dalluese është edhe subjektiviteti i monarkut në cilësinë e palës tek pakti. Mbreti John ishte pjesëmarrës aktiv i hartimit të saj. Prej gojës së tij rrëfehen paudhësitë e bëra dhe ai e pranon zbatimin e sanksioneve për vete nëse do t’i përsërisë. Ky është argument se Mbreti ishte mundur nga baronët dhe Magna Carta ishte dëshmi për dorëzimin e tij. Ndërkohë që e njëjta rrethanë nuk mund të pandehet për Sulltan Mahmudin II. Praktikisht, ky as që ishte palë e marrëveshjes, sepse marrëveshja ishte arritur mes Sadrazamit si përfaqësues i pushtetit qendror dhe ajanëve. Senedi-i İttifak-u nuk ishte as vendim e as dekret i Padishahut. Tërë çfarë kishte bërë ai, kishte qenë miratimi i paktit, madje pa dëshirën e tij. Përgjithësisht, në shoqërinë osmane përherë ka frymuar një respekt për institucionin e Padishahut. Përpos rasteve të kryengritjeve afatshkurtra, nuk ka ekzistuar ndonjë akuzë në adresë të tij për korrupsion dhe dukuri të ngjashme. Mbase, në historinë disashekullore të shtetit osman, përjashtim për këtë bëjnë kundërshtimet e konservatorëve ndaj reformave të Mahmudit II dhe ato të xhonturqve ndaj Abdylhamidit II.

Përtej të gjithave, e përbashkëta më e rëndësishme e këtyre dy dokumenteve qëndron në gjurmët e orvatjeve për kapërcimin e monopatit të vështirë të absolutizmit monarkik në shoqëritë përkatëse dhe shënimin e aktit konkret për jetësimin e idesë që shteti të lidhet për të drejtën dhe me të drejtën, gjë që do të kulmonte edhe me konceptin e shtetit të së drejtës shekuj më vonë./SHENJA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne