Malajzia kërkon të hetojë shkeljet e të drejtave kundër ujgurëve

Qeveria e Malajzisë ka caktuar një institut ndërkombëtar për të kryer një studim mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut të kryera kundër popullatës muslimane ujgure të Kinës.

Ministri i Jashtëm Saifuddin Abdullah tha që Instituti Ndërkombëtar i Mendimit dhe Qytetërimit Islamik (ISTAC) i është ngarkuar të shkruajë një raport të detajuar mbi situatën e ujgurëve në provincën Xinjiang të Kinës.

“Malajzia nuk do të mbështesë verbërisht asnjë raport të dhënë nga qeveria kineze dhe as nuk do të kritikojë hapur Kinën”, u tha Abdullah gazetarëve sipas gazetës në gjuhën angleze me bazë në Malajzi, New Straits Times.

“Ne duam të sigurohemi mbi të vërtetën pas çdo raporti që marrim në lidhje me incidentet atje”, shtoi ai.

Rajoni perëndimor i Kinës, Xinjiang është shtëpia e 10 milion ujgurëve. Grupi musliman turk, i cili përbën rreth 45% të popullsisë së Xinjiang, ka akuzuar prej kohësh autoritetet kineze për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.

Kina është akuzuar për kryerjen e politikave shtypëse kundër ujgurëve dhe kufizimin e të drejtave fetare, tregtare dhe kulturore.

Deri në 1 milion njerëz, ose rreth 7% e popullsisë muslimane në Xinjiang, janë burgosur në një rrjet në zgjerim të kampeve të “riedukimit politik”, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve të KB.

Në një raport në shtatorin e kaluar, Human Rights Watch akuzoi Kinën për kryerjen e një “fushate sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut “kundër muslimanëve ujgurë në Xinjiang.

Kina mohon akuzat, duke pretenduar se ujgurët po edukohen në “qendra të formimit profesional”./Gazetaimpakt/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne