Mali i Zi dhe Turqia bashkëpunim në të gjitha fushat

Shtypi në Mal të Zi i kushton vëmendje të veçantë prezencës së nënkryetarit të Qeverisë dhe Ministrit të Bujqësisë, Milutin Simoviç, në ceremoninë e dhënies së betimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe takimeve që ai ka pasur me afaristët në Turqi. Mësojmë se z. Simoviç u ka bërë thirrje investitorëve që të orientohen në tregun e Malit të Zi dhe të shfrytëzojnë të gjitha përparësitë që Mali i Zi u ofron atyre. Në takimin që Simoviçi pati me Presidentin Erdogan thuhet se ai ka shprehur bindjen që Kabineti i ri turk do të udhëheq Turqinë në drejtim të zhvillimit të mëtejmë, përparimit dhe stabilitetit. Ai ka nënvizuar edhe me këtë rast se Mali i Zi do të jetë mik i sinqertë i Republikës së Turqisë dhe do t’i kontribuojë bashkëpunimit të mëtejshëm të dy vendeve. Nga ana tjetër, Presidenti Erdogan ka falënderuar Simoviçin për pjesëmarrjen e tij në inaugurim që ka dëshmuar respektin që Mali i Zi tregon ndaj Turqisë. Thuhet se Presidenti Erdogan edhe një herë ka vërtetuar gatishmërinë e vendit të tij për vazhdimin e këtij bashkëpunimi të sinqertë në interes të dy vendeve. Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi ka pasur edhe një sërë takimesh me zyrtarë të tjerë të Turqisë dhe afaristë. Në takimin që ai pati me Kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), z. Serdar Çam, ai ka shprehur falënderimet për projektet e shumta që TIKA ka realizuar dhe po realizon në Mal të Zi. Z. Çam me këtë rast ka thëne se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të intensifikohet më shumë në të ardhmen. Simoviçi veçon takimin që ka pasur edhe me z Fuad Tosyali, pronarin e kompanisë “Tosyali”, respektivisht të uzinës së shkrirjes së çelikut në Nikshiq, ku është theksuar avancimi i marrëdhënieve veçmas në fushën ekonomike ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne