Shqiperia

Mali i Zi i kërkon shpjegime qeverisë shqiptare për hidrocentralet në lumin e Cemit

Nga Erblin Vukaj

Mali i Zi do t’i kërkojë qeverisë shqiptare informacion për ndërtimet e hidrocentraleve në lumin Cem, i cili rrjedh nga disa fshatra veriore të Malësisë së Madhe dhe kur kalon në vendin fqinj quhet Cijevna.

BalkanInsight raportoi se të enjten qeveria shqiptare nuk iu përgjigj shqetësimeve të homologëve të saj malezez rreth kësaj çështjeje. Për këtë Mali i Zi do të kërkojë shpjegime në takimin e ardhshëm ndërshtetëror për menaxhimin e ujërave, të parashikuar për t’u mbajtur më 19 shtator.

Konventa e Espoos e ratifikuar nga të dy vendet, ndalon ndërhyrjet në burimet e përbashkëta natyrore pa njoftuar paraprakisht palën fqinje për ndikimet e mundshme.

Facebook/Tuba dhe diga për hidrocentralet në Lumin e Cemit.

Lumi i Cemit rrjedh nga zonat e thella të Malësisë së Madhe dhe kalon për rreth 32 kilometra fshatrat Selcë, Dobrinjë, Tamarë e Brojë duke rrjedhur më pas në territorin malazez.

Banorët kanë qenë kundër hidrocentraleve, por gjithësesi, prej vitit 2018, atje po ndërtohen HEC Dobrinjë dhe HEC Murasi. Këto HEC-e janë disa nga mbi 100 lejet që qeveria Rama dha vitet e fundit.

Facebook/Disa diga të ngritura në Lumin e Cemit.

Në asnjë zonë ku ky lum kalon në territorin shqiptar nuk ka status mbrojtje, por në anën malazeze, në vitin 2017, kanjoni i Cijevinas u shpall monument natyre.

Prej kohësh ka pasur protesta dhe kontestime për hidrocentralet në Cem. Së fundmi eksperti mjedisor Abdullah Diku publikoi disa foto që tregonin ndërhyrjet e bëra atje, ndërkohë që është përfolur se ka plane për ndërtimin e dhjetra hdirocentraleve.

Mjedisorët i kanë kundërshtuar vazhdimisht hidrocentralet për dëmin që sjellin peisazhit natyror, ekosistemit dhe sidomos botës ujore. Në lumin e Cemit thuhet se jetojnë 22 lloje peshqish, mes të cilëve trofta e mermertë, që konsiderohet në rrezik zhdukje.

Në korrik Kryeministri Rama pranoi se “hidrocentralet e vogla janë të padobishme dhe të dëmshme”. Ai tha se ato nuk do të ndërtoheshin më, por pavarësisht kësaj një hulumtim i gazetarit Artan Rama zbuloi se qeveria kishte vepruar në mungesë totale transparence dhe lejet për hidrocentrale nuk ishin 440, por 714./exit.al