Mali i Zi me sy nga Shqipëria- vijojnë ndihmat nga qytete, institucione dhe individë

Me rastin e serisë së tërmeteve të fuqishme të cilat në mëngjesin e 26 nëntorit goditën Shqipërinë , nga i cili kanë pësuar deri në këto momente mbi  40 persona dhe janë plagosur mbi  600 të tjerë, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq i ka dërguar telegram ngushëllimi kolegut shqiptarë, Ilir Meta. Në telegram mes tjerash thuhet: “Mali i Zi është i gatshëm që në këto momente të rënda dhe në periudhën që vjen të ofrojë përkrahje të plotë dhe ndihmë Shqipërisë fqinje dhe mike”. Gjukanoviq thekson se telegrami  është shprehje e ngushëllimet më të sinqertë dhe shprehje e solidaritetit me popullin mikë shqiptarë. Edhe Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka biseduar  me Kryeministrin shqiptarë, Edi Rama. Ai njëkohësisht i ka ofruar ndihmën e Malit të Zi, ndërkohë të martën dy ministria malazez,  Kenan Hrapoviq dhe Mevludin Nuhoxhiq udhëtuan në Shqipëri me qëllim që të konkretizohet forma e ndihmës këtij vendi të goditur nga tërmeti. Edhe kryetari i Kuvendit  Ivan Brajoviq i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të tij shqiptarë, Gramoz Ruçi. Është deklaruar edhe kabineti i kryetarit të Ulqinit Loro Nrekiq. Në telegram ngushëllimi thuhet se “Qytetaret e Ulqinit me trishtim të thellë po përcjellin pasojat që shkaktoi tërmeti shkatërrimtar në Shqipëri, në qytetin e Durrësit të lashtë me pasojë të humbjes së jetëve dhe qindra persona të lënduar. Në këto momente të vështira ne jemi pranë jush, ne jemi pranë vëllezërve tanë ulqinakë që prej dekadash jetojnë në qytetin e Durrësit. Ulqini dhe ulqinakët të cilët dhe vetë i kanë përjetuar pasojat e tërmetit katastrofal të vitit 79’ janë në këto çaste pranë atyre që kanë humbur të afërmit e tyre. Ne lutemi për ata që ende janë nën rrënoja që të dalin gjallë. Komuna e Ulqinit ndan një shumë prej 10 mijë eurosh për familjet e prekura. Ndërkohë i bëjmë thirrje vëllezërve dhe motrave tona në diasporë që të ndihmojnë dhe të jenë pranë vëllezërve të tyre”. Në shenjë solidarizimi me qytetarët e Shqipërisë, sidomos të atyre të goditur nga tërmeti edhe Komuna e Tuzit ka ftuar të gjithë qytetarët e Malësisë e më gjerë, bizneset dhe shoqatat tjera që të ofrojnë ndihmën e tyre për bashkëkombësit tanë në nevojë. Komuna e porsa formuar e Tuzit ndau 3000 euro. Ndërkaq  me vendim të kryetarit të komunës së Podgoricës Ivan Vukoviq edhe kryeqyteti malazez i është solidarizuar me këtë fatkeqësi duke ndarë 20 mijë euro ndihmë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe komuna e Tivarit duke ndarë një shumë prej 20 mijë eurosh. Skuadrat e zjarrfikësve nga qyteti i Ulqinit, Tivarit dhe Podgoricës janë nisur drejt Durrësit për t’i ardhur në ndihmë kolegëve të tyre nga Shqipëria për sanimin e pasojave të tërmetit.

Ulqini përfshihet në aksionin e ndihmave për Durrësin

Qytetarët dhe institucionet në Ulqin përfshihen  në aksionin e madh të dërgimit të ndihmave në Shqipëri.  Shoqata humanitare “Amaneti “ dërgoi dje kontingjentin e parë të ndihmave për në Durrës siç janë: bananije, jorganë qumësht për bebe, pelena, etj. Po ashtu Forumi Rinor i Boshnjakëve nga Mali i Zi ndërmori aksionin për dhurimin e gjakut për të lënduarit, ndërsakësaj nisme iu bashkuan qindra ulqinakë. Aksioni i grumbullimit të ndihmave vazhdon edhe sot por edhe në ditët e ardhshme ku Bashkësia Islame në Ulqin do të grumbulloi ndihma në të gjitha xhamitë e qytetit dhe rrethinës.

Në Ulqin nuk ka pasoja të mëdha  nga tërmetit

Në Mal të Zi, nuk ka pasoja të mëdha nga tërmeti i fuqishëm në Shqipëri, veçanërisht në bregdet dhe në komunat përgjatë kufirit shqiptar, njoftoi Drejtoria e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Podgoricë. Ministria thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me homologët në Shqipëri për dërgimin e ndihmave të mundshme. Tërmeti i fortë që goditi në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit Shqipërinë u ndije mjaft edhe në Komunën e Ulqinit, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim për ndonjë dëm material. Lëkundjet e tokës  ishin aq të forta saqë frikësuan të gjithë banorët e këtij qyteti. Pa zbardhur mirë dita një pjesë e tyre braktisën për pak çaste banesat dhe pallatet e tyre, duke qëndruar jashtë në rrugë e automjete. Kjo situatë shqetësuese vërehet tek qytetarët e këtushëm gjatë gjithë ditës së 26 nëntorit. Ulqinakët e tronditur thonë se pas këtij tërmeti nuk e ndiejnë veten të sigurt. Shtojnë se kanë frikë nga lëkundjet e reja dhe rikujtojnë dëmet e mëdha që u ka shkaktuar tërmeti katastrofal i prillit të vitit 1979.

Anulohen aktivitete me rastin e kremtimit të 28 Nëntorit

Me rastin e tërmetit katastrofal që goditi Shqipërinë, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi solidarizohet me shtetin amë për t’iu ardhur në ndihmë viktimave dhe çdo qytetari shqiptar të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Këshilli njofton se aktivitetet e parapara që mbahen me rastin e shënimit të 28 Nëntorit Ditës së Flamurit Kombëtar do të anulohen, përveç Maratonës së Pavarësisë Shkodër Ulqin 2019, e cila këtë vit do të mbahet për nderë të viktimave të këtij tërmeti. Mjetet financiare të parapara për evenimentet festive do të dedikohen për ndihmën e familjeve në nevojë. Ndërkaq, në Tuz, në vend të koncertit festiv, më 28.11.2019 do të mbahet mbrëmje humanitare./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne