Mallkimi i burimeve: Bashkitë shohin pak përfitim dhe shumë kosto nga industria nxjerrëse

Politikat e centralizuara fiskale, burokracia dhe informaliteti i kanë kthyer industritë nxjerrëse të mineraleve dhe naftës në një bekim për qeverinë dhe mallkim për bashkitë – të cilat përfitojnë shumë pak nga renta për të mbuluar kostot e ndikimit në infrastrukurë dhe në mjedis.

Një mbledhje rutinë e komisionit për Ekonominë dhe Financat në fund të prillit 2017, ku u diskutua projektligji për ‘Financat e vetëqeverisjes vendore”, u shoqërua me një debat të pazakontë filozofik mes deputetëve mbi pasuritë kombëtare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në emër të shoqatës së kryetarëve të bashkive i kërkoi parlamentit rritjen e përfitimeve të qeverisjes vendore nga renta minerare nga 5% në 10 % të taksës.

“Me situatën e ndarjes së re territoriale, them a mos janë krijuar kushtet në bashkitë e mëdha si Fieri ose Bulqiza, ta çojnë kërkesën 10%,” pyeti Veliaj. “Normalisht janë pasuri që shkojnë drejt shterimit dhe ka kaq vite që vetëm shfrytëzohen, 5% është iniciativë e mirë, por është pak për këto bashki,” shtoi ai.

Kërkesa e Veliajt prodhoi reagime nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe nga kryetari i Komisionit, Erion Braçe. Ahmetaj nënvizoi se ndonëse kërkesa e bashkive ishte e drejtë, ajo ishte e pamundur të përmbushej në një situatë konsolidimi fiskal.

“Ky nuk është shtet federal, ky është shtet jofederal,” deklaroi Ahmetaj, duke shtuar se qeveria i kishte dhënë mundësinë këshillave bashkiakë të rrisnin taksën e pronës për të gjeneruar të ardhura.

Në të njëjtën linjë me Ahmetajn, por më i prerë kundër propozimit, Braçe u shpreh se qeveria qendore kishte përparësi në mbledhjen e taksave mbi burimet natyrore.

“Unë mendoj që pasuria kombëtare nuk është pasuri lokale. Nëqoftë se do ta mendojmë pasurinë kombëtare si pasuri lokale, kjo është histori tjetër. Në Shqipëri ka ndodhur që pasuria kombëtare të trajtohet edhe si pasuri lokale, madje edhe si pasuri personale po të doni,” tha ai.

Debati për ndarjen e rentës minerare midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore nuk është i ri në Shqipëri. Ndërsa transparenca e industrisë nxjerrëse është një angazhim ndërkombëtar i marrë nga Shqipëria me adoptimin e standardit ‘EITI.’

Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit të së drejtës për informim tregojnë se jo e gjithë taksa që parashikon ligji u transferohet bashkive nga ministria e Financave, për shkak të burokracisë së raportimit dhe përllogaritjes së saj si dhe mungesës së transparencës dhe informalitetit në sektorin minerar.

Përfaqësuesit e bashkive me burime të mëdha minerare ankohen se ato pak fonde që u akordohen nga renta nuk mund të krahasohen me impaktin negativ që kanë në infrastrukturë dhe mjedis industritë nxjerrëse, të cilat pasi i shterojnë burimet, shpesh bëjnë pak ose aspak për të rehabilituar zonat e shfrytëzuara.

E pyetur nga BIRN mbi ankesat dhe kërkesat e bashkive si dhe mbi dështimin e një numri të madh subjektesh për të raportuar sipas standardit EITI [Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse], Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk dha informacion përtej një përmbledhjeje të ligjit dhe udhëzimit ‘Për taksat kombëtare’.

‘Përsa i përket pyetjeve të paraqitura, mendoj se i duhen drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Tatimeve,” u përgjigj Ministria.

Përllogaritja e rentës           

Shqipëria ka një histori të gjatë në sektorin minerar të nxjerrjes së kromit, nikelit, bakrit dhe gurit gëlqeror. Studimet gjeologjike të kryera në vitet 1945-1995 kanë zbuluar depozita të konsiderueshme të mineralit të kromit, bakrit, hekur-nikelit, bitumit dhe minerale jo-metalore si gur gëlqeror dhe gurë dekorativë.

Sektori i dominuar më parë nga shoqëri me pronësi shtetërore u hap ndaj investimeve private në vitin 1994, pas miratimit të ligjit “Për sektorin minerar”. Në 2017, ky sektor dominohej nga 631 leje shfrytëzimi, që vepronin kryesisht në rrethin e Bulqizës (128), Krujës (43) dhe Kukësit (36), ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë në rrethet e tjera të vendit.

Kompanitë koncesionare paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes, në bazë të ligjit “Për taksat kombëtare” nr. 9975, datë 28 korrik 2008, i ndryshuar. Për kromin, bakrin dhe hekur-nikelin, ajo është në masën 6%, ndërsa për mineralet e tjera varion nga 4%-10%.

Renta për eksportet mblidhet nga Administrata Doganore, ndërsa ajo për shitjet vendase nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Deri në nëntor të vitit 2014, ligji ‘Për taksat kombëtare” parashikonte që 25% e rentës minerare i transferohej çdo njësie të qeverisjes vendore, në përpjesëtim me kontributin e tyre dhe në kuadër të kushteve të ligjit të buxhetit vjetor.

Në vitin 2013, ligji i buxhetit vjetor kufizoi transferimin e rentës minerare për bashkitë në 50% të transfertës së pakushtëzuar nga qeveria. Në kushte të tilla, njësitë e qeverisjes vendore mund të përfitonin, vetëm nëse pjesa e tyre e rentës minerare (llogaritur si 25% e rentës minerare gjeneruar në zonën e tyre) mund të arrijë mbi vlerën e transfertës së pakushtëzuar, llogaritur në përputhje me ligjin e buxhetit vjetor, nga nga 1% në 50% të transfertës së pakushtëzuar.

Në nëntor 2014, nëpërmjet amendimit të ligjit ‘Për taksat kombëtare,” qeveria vendosi që të paktën “5 për qind e të ardhurave nga renta minerare i takojnë pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria’, duke shtuar se “të ardhurat nga renta minerare përdoren për investime për njësitë e qeverisjes vendore.”

Problemet me transferimin e rentës

Sipas udhëzimit nr.26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, i cili përcakton procedurat rakorduese për alokimin e rentës minerare, bashkitë duhet të kryejnë rakordimet me drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave në fund të çdo muaji dhe të nisin këto rakordime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Njëkohësisht, drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave duhet të dërgojnë brenda muajit informacion analitik për rentën e mbledhur dhe bashkitë përfituese. Mbi bazën e rakordimeve, Ministria e Financave kryen transfertat e rentës për bashkitë përfituese në muajin pasardhës.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë që taksa e rentës minerare pati një vlerë prej 5.22 miliardë lekë në vitin 2015. Për shkak të rënies se çmimit të naftës dhe mineraleve, renta u ul në 3.53 miliardë lekë në vitin 2016 dhe 3.9 miliardë lekë në vitin 2017. Në total gjatë tre viteve të fundit, qeveria gjeneroi 12.6 milardë lekë nga renta minerare dhe i tranferoi bashkive 460 milionë lekë, ose 3.6 % të vlerës totale të mbledhur nga qeveria qendrore.

Realizimi i transfertës nga ana e Ministrisë së Financave ka qenë në masën 63 % në vitin 2015, 83 % në vitin 2016 dhe 75.6 % në vitin 2017.

Sipas përfaqësuesëve të njësive vendore, ky mosrealizim i transfertës së rentës vjen për shkak të burokracisë dhe mungesës së vullnetit nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Erion Hasani, drejtor i zyrës së taksave në bashkinë e Bulqizës thotë se pavarësisht përpjekjeve të bashkisë së Bulqizës, transferta e rentës nuk është kryer në kohë nga Ministria e Fianancave.

“Ne jemi përpjekur që të jemi korrektë dhe t’i kryejmë në kohë rakordimet, ndonëse gjatë rrugës na nxjerrin problematika, ndoshta për të shmangur pagesat,” tha ai.

“Problemi qëndron se ne i kemi bërë në kohë rakordimet, ndërsa prej tyre ka patur vonesa në kalimin e shumës”, shtoi Hasani.

Mirsad Hoxha, shef kabineti i bashkisë Kukës ka gjithashtu ankesa për ministrinë e Financave, duke nënvizuar se formati i përllogaritjes së rentës minerare krijon vonesa.

“Kjo formë ka për të qenë gjithmonë problematike. Kjo pasi, vetëm 6 kompani janë me seli administrative dhe të regjistruara në organet tatimore në Drejtorinë Rajonale Tatimore Kukës. Pjesa tjetër janë subjekte të DRT-ve të tjera, jashtë asaj të Kukësit. Ndaj ne jemi të detyruar t’u çojmë shkresa Shkodrës apo Tiranës, sepse aty janë të regjistruara këto kompani për të bërë rakordimin. Çdo muaj, të rakordosh me subjektin, tatimet dhe doganat dhe ky rakordim të shkojë në Ministrinë e Financave do të thotë që është një procedurë që s’ka për t’u bërë kurrë brenda muajit, sepse nuk të përgjigjet askush,” shpjegoi Hoxha.

“Ne kërkojmë që kjo procedurë shumë burokratike të reduktohet. Ministria e Financave i ka të gjitha informacionet dhe e di shumë mirë që rajoni i Kukësit ka këto subjekte dhe rakordimet mund t’i bëjë vetë. Nuk ka nevojë për agjentë të tjerë për të kryer transferimin,”shtoi Hoxha.

Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në grupin ndërinstitucional (MSG) të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, EITI, shprehet se të gjitha palët e përfshira në procesin e rakordimit të rentës minerare duhen të njohin më mirë ligjin, duke nënvizuar se njësitë e qeverisjes vendore hasin probleme me ministrinë e Financave.

“Pushteti qendror është një makineri e madhe dhe e rëndë dhe për pasojë vepron me ngadalë. Por kemi të dhëna që edhe Ministria e Financave nuk i është përgjigjur kërkesave të NJQV-ve,” tha Hajnaj.

“Duhet monitoruar me kujdes në radhë të parë a njihet siç duhet ligji dhe shumë çështje të tjera si strukturat përgjegjëse për zbatim në të gjitha institucionet,” shtoi ajo.

Ardit Kamberi, kreu i Sekretariatit ALBEITI – i ngritur nga Ministria e Energjetikës për zbatimin e Nismës Për Transparencën e Industrive Nxjerrëse, shprehet se të gjitha palët duhet të bëjnë më shumë për transferimin e rentës te komunitetet vendore.

“Alokimi i rentës kërkon angazhimin e vetë NjQV-ve, të cilat duhet të rrisin nivelin e rakordimit  me Drejtoritë e Tatimeve dhe Doganave. Sipas të dhënave të EITI, fondet që  NJQV-të kanë marë nga renta minerare (përfshirë naftën) kanë ardhur duke u rritur,” tha Kamberi.

“Një sugjerim do të ishte të shikohet potencialisht rritja e përqindje të rentës takuese për ato NJQV, të cilat relativisht janë më të varfra dhe me të ardhura më të pakta ekonomike,” shtoi ai.

Informaliteti dhe mungesa e transparencës

Standarti EITI nënkupton vendosjen e transparences së biznesit në industrinë nxjerrëse, në mënyrë që të ardhurat nga ky biznes të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit.

Raportimi i kompanive minerare pranë EITI është një detyrim që përcaktohet në ligjin “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”. Neni 36 i këtij ligji thotë se ”Në kuadër të nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse, subjektet duhet të raportojnë në përputhje me kërkesat e përcaktuara në aktet nënligjore që hartohen sipas detyrimeve të përcaktuara në nismën për transparencë në industrinë nxjerrëse.”

I njëjti nen saktëson se ‘forma e raportit teknik, financiar apo të pagesave të taksave duhet të jetë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për industrinë nxjerrëse”.

Ky ligj kërkon gjithashtu raportimin e flukseve të bëra nga të licencuarit që veprojnë në sektorët e naftës dhe minierave dhe palët pranuese, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Administratën Doganore Shqiptare dhe institucionet publike qendrore dhe lokale që mbledhin të ardhura nga sektori.

Megjithë detyrimin ligjor, jo të gjitha subjektet e industrisë nxjerrëse raportojnë të dhënat e tyre teknike dhe financiare pranë sekretariatit EITI, ashtu siç e kërkon dhe ligji.

Sipas të dhënave të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse, në 66 raste subjektet minerare kanë refuzuar të deklarojnë nivelin e prodhimit dhe pagesat me natyrë tatimore pranë sekretariatit gjatë viteve 2013-2016.

Pavarësisht se raporti i EITI-t për vitin 2017 nuk është publikuar ende, mungesë deklarimesh raporton dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e cila i tha BIRN se nga 312 subjekte të licencuar në sektorin metalor, deklaruan online vetëm 289 subjekete.

Ndërkohë që edhe në rastet kur këto kompani kanë dorëzuar deklaratat e tyre, raportet e EITI gjatë viteve 2013 -2016 shënojnë dhe shumë raste kur të dhënat e raportuara nga kompanitë nuk përputhen me të dhënat e raportuara nga institucionet shtetërore. Një pjesë e këtyre mospërputhjeve zgjidhen nga sekretariati i EITI, ndërsa të tjerat mbeten të pazgjidhura.

Sipas të dhënave të EITI, në vitet 2013-2016 ka pasur 694 mospërputhje të pazgjidhura, të cilat arrijnë një vlerë totale të parakorduar prej 349.9 milionë lekësh.

EITI merr në shqyrtim vetëm një pjesë të subjekteve të licencuara në sektorin minerar, çka do të thotë se pjesa tjetër e kompanive nuk kalojnë në ‘lupën’ e këtij organizimi. Megjithatë, Sekretariati thekson se bazohet në disa kritere mbi bazën e të cilëve kompanitë përzgjidhen për raportim – çka në thelb e bën përfaqësues për pjesën dërrmuese të prodhimit minerar në vend.

“Përsa i përket saktësisë të informacionit të dhënë nga subjektet sqarojmë se për raportin EITI, informacioni merret edhe nga disa institucione të tjera, si: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,  Drejtoria e Përgjithshme e e Doganave, AKBN, MIE, MFE dhe NjQV; dhe në rastet kur ka mospërputhje në informacion kërkohet të sqarohen këto mospërputhje deri në një limit të pranuar nga Standarti EITI,” tha kreu i sekretariatit ALBEITI, Ardit Kamberi.

“Përgjithësisht këto mospërputhje me subjektet kanë ardhur si rezultat i moskoherencave,  përshembull kur gjobat janë trajtuar si tatime, apo për pagesat në doganë, ku detyrimi parapaguhet dhe mund të ketë mbuluar dhe periudha jashtë asaj që kërkohet në raportim,” shtoi ai.

Sipas Kamberit, problemi i mosraportimit të një pjese të industrisë nxjerrëse vjen si pasojë e një ngërçi në ligjin ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë.”

“Ky ligj i detyron subjektet që ushtrojnë aktivitet në këta sektorë për të deklaruar sipas Standardit EITI,  por nuk ka përcaktuar masat penalizuese për subjektet që nuk e zbatojnë,” shpjegoi ai.

“Në draftin e ligjit të Transparencës EITI, i cili është përgatitur dhe pritet të diskutohet dhe të miratohet zyrtarisht brenda këtij viti, janë parashikuar dhe masat për subjektet që nuk e zbatojnë atë,” shtoi Kamberi.

Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në grupin ndërinstitucional të EITI, shprehet se raportimi në Sekretariat nga kompanitë komplikohet dhe nga informacionet e ndryshme që kanë regjistruar institucionet mbikëqyrëse.

“Shpesh ka probleme me elementë që lidhen me informacionin për secilën licencë nga institucione të ndryshme si QKR, AKBN, tatimet, etj. Ka problem edhe me kompanitë për të raportuar në kohë dhe saktë,” tha ajo.

‘Duhet gjetur mënyra që të sigurohet jo vetëm raportimi, por edhe ai i sakti,” shtoi Hajnaj.

Megjithatë, sipas ekspertëve të fiskut në raport historik por edhe aktualisht, evazioni në sektorin e industrive nxjerrëse shfaqet jo shumë në formën e shmangies totale, pra të mosregjistrimit e mosdeklarimit, por në çmime të nëndeklaruara qoftë edhe në sasi të ndryshueshme të deklaruara.

“Në këto industri ka patur dhe ka evazorë dhe ka shifra besoj në administratë që flasin për gjetje të konsiderueshme, apo edhe për borxhe ndaj buxhetit, përfshirë edhe operatorë potencialë,” i tha BIRN Artur Papajani, ish-nëndrejtori i përgjithshëm të Tatimeve, aktualisht ekspert i pavarur.

“Por duhet ndarë roli i aktorëve që pak a shumë të gjithë i japin nga një dorë këtyre fenomeneve. Pra politikat fiskale të mos jenë shtrënguese, por të zbatueshme e transparente, administrimi i mbledhjes të mos jetë ciklik, por i vazhdueshëm,” tha Papajani, duke shtuar se  EITI operon me intervistime direkte dhe ballafaqim me të dhënat e deklaruara zyrtarisht, çka e bën të besueshëm raportimin.

Kosto dhe përfitime

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, për vitin 2017 shuma totale e rentës së mbledhur kap vlerën 12.6 miliardë lekë, ndërkohë që shuma totale e transferuar njësive të qeverisë vendore arrin 147.6 milionë lekë.

Megjithatë, referuar shpërndarjes së saj sipas bashkive rezulton se pjesa dërrmuese i ka shkuar njësive administrative ku operojnë kompanitë e naftës, sikurse është Fieri, Mallakastra, Patosi apo Roskoveci. Gjatë vitit 2017, këto katër bashki kanë marrë 114 milionë lekë nga transferta e rentës ose 77% të transfertës totale nga qeveria qendrore drejt  pushtetit vendor.

“Bashkia Kukës për vitin 2015 ka përfituar nga kjo taksë një shumë prej 270 mijë lekësh, për vitin 2016 na janë alokuar 18,315 lekë, ndërsa për vitin 2017 shuma është e papërfillshme,” ankohet Mirsad Hoxha, shef i kabinetit në Bashkinë Kukës, një prej njësive administrative me numrin më të lartë të kompanive minerare që operojnë në vend.

“Në këto kushte, me buxhetin në dispozicion të Bashkisë Kukës si dhe me borxhet që ka akumuluar kjo bashki ndër vite në raport me të tretët – të bëra të ditura pranë Ministrisë së Financave, ne e kemi pothuajse të pamundur ndërhyrjen në infrastrukturën e njësive administrative, e cila po shkatërrohet nga funksionimi pa kriter ndaj mjedisit dhe infrastrukturës, pronës së banorëve, duke krijuar probleme sociale mjaft të mprehta,” shtoi ai.

Bashkia e Bulqizës- zona më e pasur me mineral kromi në vend mori rreth 30 milionë lekë të ardhura nga transferta e rentës për vitin 2017, një shumë kjo e konsiderueshme në krahasim me bashkinë Kukës. Megjithatë, për kreun vendor të taksave Erion Hasani, shuma e përfituar nuk mund të krahasohet me vlerën e mineralit të nxjerrë nga nëntoka.

“Ne mendojmë që shuma, e cila është e përcaktuar me ligj duhet të jetë më e madhe se 5% sepse normalisht vlera e kromit që del nga këtu është shumë herë më e lartë me atë shumë që marrim,” tha Hasani.

“Normalisht shuma duhet të jetë më e lartë që të ketë investime edhe për pjesën e qytetit. Një buxhet më i lartë do ndikonte për investime në infrastrukturë, kanale ujitëse, etj,” shtoi Hasani.

Bashkia e Bulqizës numëron dhe numrin më të lartë të subjekteve minerare në vend me 128 kompani të regjistruara në territorin e saj në vitin 2017.

Përveç reduktimit të burokracive apo rritjes së nivelit të rentës, njësitë e qeverisjes vendore kërkojnë shtimin e kompetencave, duke nënvizuar që impakti i industrive nxjerrëse në mjedis dhe infrastrukturë është më i madh se transferta e rentës minerare.

“Në momentin kur këto subjekte licencohen, shteti u kërkon një plan biznesi dhe 10% e këtij investimi përdoret në fund për rehabilitimin e zonës. Problemin e rehabilitimit të zonës nuk mund ta kontrollojë as ministria e Financave, as ndonjë institucion tjetër qendror sepse problemet janë në terren,” shprehet Mirsad Hoxha.

“Ne kërkojmë që ky fond garancie t’i shkojë pushtetit lokal, sepse është ai që i njeh më shumë problemet e banorëve. Ne kemi çdo 2-3 ditë shkresa nga banorë të këtyre zonave, pasi kompanitë e shkatërrojnë infrastrukturën  komunale, përdorin dinamit, përdorin mjete të tonazhit të rëndë, ndotin ambientin, ujërat dhe banorët kanë të drejtë,” shtoi ai.

Hoxha nënvizon se edhe masat administrative që merren ndaj subjekteve i shkojnë gjithashtu qeverisë qendrore, një hendek ligjor që i jep pak mjete bashkive për të kontrolluar aktivitetin e industrisë nxjerrëse.

“Masat administraive këto subjekte nuk i marrin prej nesh, por nga autoritetet qendore dhe këto gjoba nuk shkojnë në buxhetet e pushtetit lokal, por në buxhetin e qeverisë qendrore. Ne kërkojmë që të lihet akses me ligj që strukturat përkatëse të bashkive t’i kontrollojnë dhe të marrin masa penalizuese kundrejt tyre,” tha ai.

Ish- nëndrejtori i Tatimeve, Papajani bie dakord me Hoxhën, duke theksuar se mekanizmi i administrimit të rentës minerare duhet të mbështetet në dy principe themelore; ‘rritja e efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe drejtësia dhe sinqeriteti në rishpërndarjen e këtyre të ardhurave, në dobi edhe të popullsisë së zonave ku përftohen këto të ardhura.’

“Ato kryesisht të destinohen për investime të qeverive vendore, por edhe të jenë lehtësisht të kontrollueshme, pra mbi të gjitha transparente. Në ligjin fiskal të taksave kombëtare në Shqipëri është pranuar që zonat dhe rajonet gjeografike të atyre industrive që “prodhojnë” rentë, të kenë një burim shtesë të ardhurash në kuptim të administrimit të pushtetit vendor,” tha ai.

“Por ky është vetëm parimi, pasi në praktikë ka patur dhe ka këndvështrime të ndryshme. Për administrimin në tërësi të rentës minerare është e domosdoshme që politikat fiskale të jenë të harmoni me politikat zhvillimore të nivelit teknik, plus edhe konjukturat e tregut te brendshëm e atij ndërkombëtar,” përfundoi Papajani.

Ola Mitre / BIRN, Reporter.al 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne