Manastirliu: Nga viti 2018 do të zgjerojmë kalendarin kombëtar të vaksinimit

Në kuadër të javës Europiane të Vaksinimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga përfaqësuesit e Zyrës së OBSH-së dhe UNICEF-it në Shqipëri, vizituan Qendrën Shëndetësore nr. 3 në Tiranë, për të promovuar rëndësinë e vaksinimit në çdo fazë të jetës.

Manastirliu u shpreh se programi kombëtar i vaksinimit do të pasurohet me një vaksinë të re. Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë falas vaksinën e Rotavirusit, duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Bazuar në rekomandimet e grupit të ekspertëve dhe të OBSH-së, duke filluar nga viti 2018, ne do të zgjerojmë kalendarin kombëtar të vaksinimit me vaksinën e Rotavirusit, një vaksinë e re që do të mbrojë fëmijët tanë nga një sëmundje diarreike që shkakton sëmundshmëri të lartë. Me përfshirjen e kësaj vaksine, kalendari ynë i vaksinave i përafrohet kalendarit të vaksinimit të vendeve të BE-së”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Mjekja e konsultores së Qendrës Shëndetësore nr. 3, Mimoza Çabiri vuri theksin te rëndësia e vaksinimit, duke bërë sërish thirrje për prindërit që të mos hezitojnë të vaksinojnë fëmijet e tyre, pasi vaksinat janë efektive dhe të sigurta.

Ekspertja e shëndetit publik dr. Silva Bino u shpreh se mënyra e ruajtjes së vaksinave në qendra shëndetësore është permiresuar shumë gjatë viteve të fundit, duke e bërë zinxhirin ftohes të ruajtjes se vaksinave sipas standardeve te percaktuara nga OBSH.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, brenda këtij viti ne do të kemi kartelën e detyrueshme të vaksinimit për punonjësit e shëndetësisë, të cilët do të mbrojnë jo vetëm veten por edhe pacientët e tyre. Po ashtu do te kemi edhe një kalendar të përcaktuar vaksinimi për femrat e moshës ripodhuese dhe gratë shtatzëna për të pasur fëmijë të lindur të shëndetshëm.

Ministrja e Shëndetësisë falenderoi partnerët e OBSH dhe UNICEF, për mbështetjen që i kanë dhënë vendit tonë për të pasur një skemë sa më të mirë vaksinimi, me vaksina të sigurta.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne