Maqedoni e Veriut, 8 nga 10 prindër përdorin dhunë “fizike dhe psiqike” ndaj fëmijëve

“Në Maqedoninë e Veriut hulumtimet tregojnë se 8 prej 10 prindërve përdorin dhunë fizike dhe psiqike mbi fëmijët”, deklaroi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor sot dhe nesër në Shkup në konferencën “Zgjerimi i aksionit për vënien fund të dhunës mbi fëmijët e Ballkanit Perëndimor” do t’i konfirmojnë përpjekjet për veprimtarinë e përbashkët përmes partneritetit global për t’i dhënë fund dhunës mbi fëmijët.

Konferencën e hapën presidenti Pendarovski, përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Giovanni dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Samuel Zhbogar.

Pendarovski në adresimin e tij tha se dhuna mbi fëmijët është një nga dukuritë më devijante sot që për fat të keq ndodh çdo ditë në çdo skaj të botës.

Duke u përqendruar në hulumtimet për dhunë mbi fëmijët në Maqedoninë e Veriut, Pendarovski tha se shifrat janë të pamëshirshme.

“Tek ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut shifrat po ashtu janë të pamëshirshme. Hulumtimet tregojnë se 8 nga 10 prindër përdorin dhunë fizike dhe psiqike, kryesisht për t’i edukuar fëmijët në këtë mënyrë. Tek ne mbisundon qëndrimi se fëmija duhet të jetë i dëgjueshëm, përskaj atij kureshtar dhe i pavarur”, theksoi Pendarovski.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Giovanni, vuri në dukje se hulumtimet tregojnë se çdo fëmijë i tretë në Maqedoninë e Veriut e di se si duket dhuna fizike.

Ajo përmendi sistemin shëndetësor si një masë preventive për të parandaluar dhunën ndaj fëmijëve.

“Infermierët e patronazhit që shkojnë nëpër shtëpi dhe janë të ekspozuar ndaj mjedisit familjar duhet të jenë në gjendje të zbulojnë shenja se gjithçka është në rregull në familje, mbase është një familje që është nën stres, të cilin e ndjejnë edhe fëmijët dhe kjo manifestohet përmes dhunës”, tha Giovanni.

Samuel Zbogar, kreu i delegacionit të BE-së në Shkup, duke ndarë përqindjet e dhunës ndaj fëmijëve në Evropë, tha se një e katërta e fëmijëve vuajnë nga abuzimi fizik.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se pothuajse 10 për qind e fëmijëve në Evropë vuajnë nga abuzimi seksual. Një e katërta vuajnë nga abuzimi fizik. Dhe gati një e treta e fëmijëve vuajnë nga abuzimi psikologjik”, tha Zbogar, duke shtuar se përkundër të gjitha përpjekjeve në Evropë, 25 milionë fëmijë janë të uritur dhe jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Në konferencën e organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e UNICEF-it do të marrin pjesë rreth 500 pjesëmarrës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne