Maqedoni e Veriut, konfirmohen dy raste të reja me koronavirus

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka informuar se janë regjistruar edhe dy raste të reja të koronavirusit në vend, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara arrin në nëntë, prej të cilëve një paciente është shëruar.

Më herët gjatë ditës, ministri Filipçe informoi se ishte duke u zhvilluar procedura e testimit për 12 pacientë, prej të cilëve në konferencën e fundit për media, të mbajtur sot për herë të dytë, ai bëri të ditur se dy persona nga Dibra kanë rezultuar pozitivë.

“Nga të gjithë pacientët e ekzaminuar sot, dy janë pozitiv në koronavirus. Ata janë dy persona nga Dibra, të cilët kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me tre të hospitalizuarit e mëparshëm. Janë fqinj, kanë pasur kontakte të shpeshta”, tha Filipçe

Ndryshe, të premten e kaluar u konfirmuan dy rastet e para të koronavirusit në Dibër, ku bëhet fjalë për dy bashkëshortë të moshës 62 dhe 68 vjeçare, të cilët kishin qëndruar në Italinë veriore.

Filipçe gjithashtu theksoi se të gjithë familjarët e tjerë që jetojnë në shtëpinë e njëjtë janë negativë në testin e koronavirusit, duke shtuar se ata do të vazhdojnë të jenë në vetizolim dhe në mjekim shtëpiak, pasi siç u shpreh ai, gjendja e tyre shëndetësore e mundëson këtë.

Ministri i Shëndetësisë informoi edhe mbi masat e reja qeveritare, ku mes tjerash përmendi rekomandimin për të punësuarit në sektorin shëndetësor që të mos shfrytëzojnë pushime vjetore apo mungesa në punë gjatë kësaj periudhe.

Filipçe gjithashtu tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë masat e nevojshme kundër personave dhe mediave që përhapin dezinformata dhe gënjeshtra në rrjetet sociale.

Koronavirusi i ri u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), që atëherë, virusi është përhapur në 110 vende, ndërsa OBSH ka shpallur shpërthimin urgjencë ndërkombëtare shëndetësore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne